Pas më shumë se tri dekadash zhvillimi ekonomik, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të konsolidimit të kapitalit vendas.
Shumë prej sipërmarrjeve që nisën aktivitetin në fillim të viteve ’90, në periudhën e parë të tranzicionit, janë shndërruar sot në grupe të mëdha dhe të qëndrueshme, me një prani të gjerë në ekonomi dhe ndikim të dukshëm në punësim, investime dhe inovacion.
Në vitet e para, këto biznese u formësuan përmes përpjekjeve individuale, duke u zgjeruar gradualisht dhe duke riinvestuar fitimet në sektorë të ndryshëm.
Një pjesë e tyre zgjeroi aktivitetin përmes diversifikimit, duke hyrë në fusha që ende nuk ishin të zhvilluara dhe ku kërkesa në treg ishte e lartë, nga ndërtimi, tregtia dhe industria, deri te bankat, energjia, telekomunikacioni dhe turizmi.
Ndërsa brezi i dytë i sipërmarrësve, që hyri më vonë në treg, shfrytëzoi boshllëqet që lanë pas firmat e para për të krijuar modele të reja biznesi, më të specializuara dhe më të strukturuara.
Në tri dekada zhvillim të vazhdueshëm, në vend janë konsoliduar disa konglomerate të mëdha shqiptare, që sot operojnë me struktura korporative moderne dhe që përfshijnë shoqëri nën të njëjtin grup.
Viti 2024 ka qenë ndër më të mirët për shumë prej tyre, me rritje të fortë të fitimeve dhe zgjerim të aktivitetit. Sipas të dhënave financiare, Grupi BALFIN, ndërsa është i dyti më i madh në vend sipas të ardhurave, kryeson në renditjen e rezultatit financiar, me 12.5 miliardë lekë fitime para taksave.
Grupi “Kastrati”, më i madhi në vend për të ardhurat, është i dyti në listën tjetër, me 8.1 miliardë lekë fitime para taksave. Grupet e tjera të mëdha në treg regjistrojnë fitime që arrijnë deri në 2 miliardë lekë në vit, duke dëshmuar një strukturë të qëndrueshme dhe fitimprurëse.
Një dukuri e viteve të fundit janë fitimet e larta që po gjenerojnë grupet që janë përqendruar në aktivitetet e pasurive të paluajtshme në bregdet dhe hoteleri, si BALFIN, apo “Edil-Al”.
Sa më i madh të jesh, aq më e vogël duket tregu i brendshëm. Në mënyrë të natyrshme, zhvillimi i këtyre grupeve tashmë nuk po kufizohet më vetëm brenda tregut vendas.
Në vitet e fundit, shumë po i shtrijnë investimet përtej kufijve, duke hyrë në tregje të rajonit dhe më gjerë, nga Europa Qendrore deri në Amerikën e Veriut.
Kjo prirje drejt ndërkombëtarizimit të kapitalit shqiptar përbën një fazë të re për ekonominë e vendit, sepse u jep kompanive vendase dimension global dhe rrit profilin e Shqipërisë si vend që eksporton investime, jo vetëm si destinacion për to.
BALFIN
Grupi BALFIN, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, miniera, banka, është i dyti më i madh sipas qarkullimit vjetor.
Të ardhurat e 10 kompanive kryesore të grupit në Shqipëri ishin rreth 50 miliardë lekë, me rritje prej 11.4% me bazë vjetore në vitin 2024. Fitimet e këtyre kompanive arritën një nivel rekord prej 12.5 miliardë lekësh.
Fitimet më të mëdha grupi po i gjeneron nga investimet në bregdet. “Green Coast”, që po ndërton vila e hotele në Jugun e vendit, solli gati gjysmën e fitimeve në vitin 2024, e lidhur kjo dhe me fazën në të cilën ndodhet projekti.
E dyta renditet “Banka e Tiranës”, që solli rreth 27% të fitimeve. Normat më të larta të fitimit i kanë dy qendrat tregtare, QTU dhe TEG, por fitimi i tyre në vlerë është më i vogël për shkak të xhiros më të ulët.
Në vitin 2025, grupi BALFIN shiti zinxhirin e “SPAR Albania” që ishte kompania më e madhe e grupit, sipas të ardhurave në vitin 2024, me 25% të totalit, por që gjeneroi vetëm 4% të fitimeve.
Që nga mesi i vitit 2025, kjo shoqëri nuk është më pjesë e grupit, pas shitjes te sipërmarrja nga Kosova, “Viva Fresh”. Një tjetër shitje ishte “Fashion Group”, po te një sipërmarrje nga Kosova, “Albi Holding”.
Presidenti i BALFIN, z. Samir Mane, ka deklaruar në një intervistë të mëparshme për “Monitor” se “riorganizimi pasqyron strategjinë tonë për t’u fokusuar te bizneset që mund të shtrihen përtej një tregu të vetëm dhe që kanë potencial ndërkufitar.
Në këtë kuptim, shitja e SPAR dhe ‘Fashion Group Albania’ ishte një hap logjik, pasi këto aktivitete kishin kufizime gjeografike për t’u zgjeruar edhe në vende të tjera nga ana jonë.
Në vend të tyre, jemi përqendruar te marka si ‘Kiabi’ dhe ‘Flying Tiger Copenhagen’, të cilat kanë potencial për prani në disa shtete dhe për gjenerim vlere afatgjatë. Duke vijuar edhe me ‘Neptun’ dhe ‘Jumbo’, në industrinë e shitjes me pakicë, kjo qasje na lejon të ndërtojmë platforma më të mëdha, me efekte shkalle dhe standarde të unifikuara operimi”.
Një pjesë të rëndësishme të aktivitetit, Grupi e ka jashtë vendit. Sipas raportit vjetor të Grupit BALFIN, të ardhurat bruto të pakonsoliduara të grupit ishin rreth 1 miliard euro në vitin 2024. Grupi zotëron 61 kompani, plotësisht ose pjesërisht, në 11 vende të ndryshme në Europë dhe Amerikën e Veriut.
Me mbi 5000 të punësuar, 42% e të ardhurave të grupit vijnë nga kompanitë që operojnë jashtë Shqipërisë. Kjo e bën BALFIN një nga grupet më të rëndësishme të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

Kastrati
Grupi “Kastrati” është tregtuesi më i madh i karburanteve në vend. Grupi ka aktivitet në fushën e sigurimeve dhe të tregtimit të automjeteve, është diversifikuar në fushën e ndërtimit dhe hotelerisë, ndërsa vitet e fundit ka hyrë dhe në fushën e aviacionit, duke marrë koncesionin e “Tirana International Airport”.
Qarkullimi vjetor i grupit në vitin 2024 ishte 135 miliardë lekë, me rritje 10.6% me bazë vjetore, duke e renditur atë në më të madhin në vend, sipas të ardhurave.
“Kastrati Energy Trade” dhe “Kastrati Energy”, përkatësisht në tregtimin me shumicë dhe pakicë të karburanteve, mbajnë peshën kryesore të të ardhurave, me 71% të totalit, të ndjekura nga “Tirana International Airport”, me 8.4%.
Grupi deklaroi fitime rekord prej 8 miliardë lekësh. Ndërsa karburanti sjell të ardhurat më të mëdha, për fitimet, shoqëria kryesore është “Tirana International Airport”, me 55% të totalit.
“Kastrati Energy Trade”, ndonëse është shoqëria më e madhe në vend sipas të ardhurave, me 77.7 miliardë lekë, ka një normë fitimi prej 2.3%, çka bën që fitimet të jenë të ulëta në raport me xhiron, duke rezultuar 1.7 miliardë lekë në vitin 2024.

Grupi Agna
Grupi “Agna” është distributori më i madh në vend dhe ka njohur zgjerim vit pas viti. Krahas tregtimit me shumicë, grupi ka aktivitet edhe në prodhimin dhe ambalazhimin e pijeve freskuese dhe vitet e fundit ka hyrë dhe në segmentin e prodhimit të birrës.
Dy kompanitë kryesore të grupit, “Agna” sh.a. (shpërndarës produktesh dhe investues) dhe “Alfa” sh.a. (ambalazhues i “Pepsi”, “Ivi”, “7Up”, “Lipton Ice Tea”; prodhues i “Glina” dhe “Spring”; shpërndarës i “Heineken”, “Amstel”, “Alfa Beers”, “Tsantali Wines” dhe “Shark Energy Drink”), realizuan për vitin 2024 një xhiro prej rreth 32.6 miliardë lekësh, me rritje 12% në raport me vitin e mëparshëm.
Grupi deklaroi fitime prej 2 miliardë lekësh në vitin 2024, që ndahen pothuajse gjysmë për gjysmë mes “Agna” dhe “Alfa”.

Edil Al Group
“Edil Al Group” është grupimi i disa kompanive në fusha të ndryshme me fokus në ndërtim, media, telekomunikacion. “Concord Investment” dhe “Edil – Al – It” janë dy shoqëritë kryesore të përqendruara në ndërtim.
Grupi është zgjeruar dhe në turizëm, me ndërtimin e kompleksit rezidencial “San Pietro” dhe një hoteli me 500 dhoma në Gjirin e Lalëzit, nën markën e njohur spanjolle “Meliá”. Grupi ka interesa dhe në programet televizive, nëpërmjet platformës me pagesë “Tring” dhe televizionit “Vizion Plus”.
Të ardhurat e kompanive të grupit ishin 16.3 miliardë lekë në vitin 2024, me zgjerim prej 25% me bazë vjetore. Kjo tendencë u ndikua nga ecuria pozitive e aktiviteteve të “Concord Investment” dhe “Managment Hospitality Albania”, që administron aktivitetin e hotelit markë “Meliá”.
Grupi ka shënuar ecuri të mirë dhe për fitimet, që arritën në gati 1.7 miliardë lekë në vitin 2024.
Gjysma e fitimeve erdhi nga “Concord Investment”, që është investitore në një sërë projektesh të rëndësishme në lëmin e pasurive të paluajtshme dhe në shërbimet e hoteleri-turizëm duke qenë ndër të parat që kanë marrë statusin e veçantë të investitorit në hotelet me 5 yje.
“Managment Hospitality Albania”, që menaxhon hotelin “Meliá” është gjeneruesi i dytë më i madh i fitimeve, me 20% të totalit.

Union Financiar Grup
“Union Financiar Grup” është ndër grupet financiare më të mëdha me kapital vendas. Grupi përfshin “Union Bank”, “Union Financiar Tiranë”, “Landeslease”, “PayLink”.
Sipas të dhënave të bilancit, të ardhurat e grupit ishin 8.3 miliardë lekë në vitin 2024, me zgjerim vjetor prej 21%, të udhëhequra nga rritja e “Union Bank”. Kjo e fundit është më e madhja e grupit, me rreth 80% të të ardhurave në vitin 2024.
Grupi raportoi fitim prej 2 miliardë lekësh në vitin 2024, të ndikuara nga performanca e mirë e “Union Bank”.

Grupi Bigalb
“Bigalb” është grupi më i madh në vend me aktivitet në zinxhirin e supermarketeve. Nëpërmjet dy kompanive kryesore të tij, “Big Market” dhe “Tirana Cash and Carry”, të ardhurat totale arritën në 30 miliardë lekë në vitin 2024, me zgjerim prej 3.4%.
Grupi gjeneroi fitime prej 1.7 miliardë lekësh në 2024, i ndikuar nga performanca e “Big Market”.

Grupi EHW
Grupi EHW është ndër më të mëdhenjtë në vend me aktivitet të përqendruar në industrinë përpunuese, si përpunimi i mishit (marka EHW), prodhimi i ujit (marka “Qafshtama”) dhe vitet e fundit është zgjeruar dhe në zinxhirin e supermarketeve me aksione në “Conad”.
Prej disa vitesh, kompania publikon bilanc të konsoliduar për grupin, nën logon e EHW. Të ardhurat e grupit në vitin 2024 ishin 7.9 miliardë lekë, me rritje 5.8% me bazë vjetore.
Fitimet e grupit ishin 1.65 miliardë lekë në vitin 2024. Gati gjysma e fitimeve vijnë nga rrjeti i tregtisë me pakicë të supermarketeve, “Conad Albania”.
IGMJ Group
Sipërmarrësi i njohur, Grigor Joti, në vitin 2023 shiti aksionet e “InfoSoft System Tiranë”, një prej kompanive më të hershme në vend, e krijuar në vitin 1995.
Ai vijon të jetë aktiv në “Inter Trade & Distribution”, “Inter Distribution Service”, nëpërmjet grupit “Investment Joti”, sipërmarrje që janë të përqendruara në shpërndarjen me shumicë të produkteve.
Z. Joti pohon se tashmë, sipërmarrjet ku ai ka aksione janë nën grupin me emër “IGMJ”. Grupi ka interesa dhe në pasuritë e paluajtshme, nëpërmjet “InRe” dhe “InveG”. Qarkullimi vjetor i kompanive të grupit ishte 29.3 miliardë lekë, me rritje 9.5%.
Peshën kryesore e zënë shoqëritë e angazhuara në tregtimin me shumicë të produkteve të ndryshme.
Fitimi i grupit ishte 1.17 miliardë lekë, me kontributin kryesor, më se gjysmën, që e ka dhënë “Inter Trade & Distribution”.

Gjonaj Group
“Gjonaj Holding Group” është një nga grupet relativisht më të reja në vend, që ka shënuar rritje të shpejtë gjatë viteve të fundit.
Grupi ka një portofol në telekomunikacion, transferime të procesit të biznesit, tregtim dhe gjenerim të qëndrueshëm të energjisë dhe ndërtim e zhvillim të pronës së lartë.
Kompania kryesore e grupit është “Info Telecom”, me aktivitet në tranzitin e shërbimeve zanore, Transit, mesazhe dhe zgjidhje të personalizuara të menaxhimit të shërbimeve.
Aktiviteti i dytë më i madh është tregtimi i energjisë, përmes “Ener Trade”, ndërsa grupi po investon dhe në energjinë diellore. Të ardhurat e dy shoqërive kryesore ishin rreth 28 miliardë lekë në vitin 2024, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë. Fitimet ishin 832 milionë lekë.
Së fundmi, shoqëria po investon në energjinë diellore, duke hapur disa shoqëri me këtë fokus, por ende nuk ka filluar të gjenerojë të ardhura nga ky aktivitet. Sipas burimeve zyrtare, Grupi Gjonaj operon ndërkombëtarisht si një korporatë biznesi shqiptare me seli në Tiranë.

Ulaj
Vëllezërit Ulaj janë ndër më të mëdhenjtë në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, nëpërmjet kompanisë “Gener 2”.
Krahas ndërtimit, janë zhvilluar dhe aktivitetet e qendrave tregtare (“Aba Business Center”), qiradhënies, të cilat raportohet po si pjesë e aktivitetit të “Gener 2”.
Grupi është zgjeruar dhe në energji, përmes hidrocentralit Dragobia, ndërsa ka investuar dhe në energjinë përmes diellit.
Prej disa vitesh, pjesë e grupit është dhe televizioni i lajmeve “A2”, partner ekskluziv i CNN. Të ardhurat e grupit ishin 17.2 miliardë lekë në vitin 2024, me rritje prej 63%, të ndikuara nga ecuria e mirë e kompanisë kryesore të grupit “Gener 2”.
Fitimet ishin 616 milionë lekë në vitin 2024, me kontribuuesin kryesor që është “Gener 2”.

FINMAN
FINMAN ka interesa në aktivitetin e ndërtimit, me kompaninë kryesore “Alb-Star”. Vitet e fundit, grupi është zgjeruar në fushën e hotelerisë dhe turizmit, përmes ndërtimit të “Hotel Arena” (nën markën e “Marriott”), ndërsa është investitor i “Manastiri Resort”, me vila dhe apartamente luksoze, në Jug të vendit, i cili nuk ka filluar ende të gjenerojë të ardhura.
Kompanitë kryesore të grupit raportuan 8.2 miliardë lekë në vitin 2024, me rritje 27%.
Fitimet ishin 311 milionë lekë në vitin 2024.

Duka
Vëllezërit Duka kanë një shumëllojshmëri biznesesh, nga agroindustria te tregtimi. Shoqëria më e madhe e tyre është rrjeti i supermarketeve “Eco Market”, “D & D Distribution”.
Në vend të dytë është kompania e tregtimit të produkteve elektroshtëpiake “Go tech”.
Grupi ka interesa dhe në prodhimin e vezëve dhe tregtimin e produkteve të ndryshme. Të ardhurat e shoqërive kryesore ishin 7.4 miliardë lekë në vitin 2024, në të njëjtat nivele si vitin e mëparshëm.
Në janar të vitit 2025, grupi krijoi shoqërinë e re “D-trans”, me aktivitet në transport rrugor kombëtar e ndërkombëtar mallrash dhe udhëtarësh.
Grupi deklaroi në total fitime prej 233 milionë lekësh./Monitor







