Nga Fatos Çoçoli
Aeroporti ndërtohet nga privati. Buxheti i Shtetit del garant.
Kosto e tij e ndërtimit prej 103.9 milionë eurosh nuk përballohet me asnjë qindarkë nga Buxheti i Shtetit.
Krijimi i mish-mashit informativ nuk na ndihmon.
Buxheti i Shtetit shqiptar del garant për 10 vitet e para të funksionimit të aeroportit, nëse të ardhurat për këtë periudhë janë më pak se 140 milionë euro.
Çdo qytetar mund të shikojë me sytë e tij të vërtetën në linkun e studimit të leverdisshmërisë të Aeroportit https://www.infrastruktura.gov.al/wp-content/uploads/2019/12/AL-STUDIM-FIZIBILITETI-VIA.pdf
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është një nga projektet më ambicioze infrastrukturore të Shqipërisë gjatë dekadës së fundit. Me vlerë investimi 103.9 milionë euro dhe me një rëndësi strategjike të shumëfishtë, ky aeroport pritet të ndryshojë jo vetëm hartën e transportit ajror të vendit, por edhe dinamikat ekonomike dhe turistike të gjithë rajonit të Jugut tonë.
Mish-mashi informativ
Është e vërtetë që kompania turke YDA, ortake me 48 për qind në aksionet e konsorciumit privat që po e ndërton Aeroportin e Vlorës, është larguar. Një në pesë sipërmarrje koncesionare në Europë në vitet 2019-2024, për shkaqe të ndryshme (pandemia nga Covid-19, kriza e çmimeve nga sulmi i Putinit mbi Ukrainën, etj.), ka përfunduar me mosmarrëveshje ortakësh ose largim të njërës palë prej tyre.
Ndërkohë, aktiviteti ndërtues vazhdon në aeroport. Në ditët e fundit, disa media dhe portale kanë sjellë për qytetarët të dhëna të rreme, ose gjysmë të vërteta, që kanë krijuar një mish-mash informativ. Nuk është e vërtetë që taksapaguesit shqiptarë do t’i paguajnë privatit për aeroportin 138 milionë euro në 13 vite.
Grafik 1: Aeroporti i Vlorës dhe Buxheti i Shtetit
Buxheti i Shtetit garanton të ardhurat minimale në 10 vitet e para(nëse dalin më pak se 140 mln euro). Konkretisht:
- Viti IV : 6 mln euro
- Viti V: 3 mln euro
- Viti VI: 2 mln euro
- Viti VII: 1 mln euro
Burimi: https://www.infrastruktura.gov.al/wp-content/uploads/2019/12/AL-STUDIM-FIZIBILITETI-VIA.pdf
Çmimi “minimal” i shitjes së aksioneve
Është e vërtetë që kompania turke YDA Group shiti aksionet e saj të kontratës për një çmim prej 4,450 eurosh. Kaq ishte pjesa e saj (48%) në kapitalin e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), nga konsorciumi i përbërë nga kompania Mabetex e sipërmarrësit të njohur shqiptar Behxhet Pacolli (50%), kompania turke YDA Group (48%) dhe kompania 2A Group (2%) e sipërmarrësit kosovar Valon Ademi.
Disa gazetarë dhe media, djallëzisht, e kanë cilësuar çmimin e shitjes 4,450 euro si “minimal”, ndërkohë kur edhe konsorciumi i kompanive turke që ndërtoi Aeroportin e ri të Stambollit, me vlerë 24 miliardë dollarë amerikanë, ishte regjistruar në Dhomën Turke të Biznesit me një shifër simbolike si kapital fillestar të konsorciumit.
Tabela 2. Aeroporti i Vlorës-historiku
| Nr. | Koha | Veprimi | Cilësim |
| 1 | Viti 1914 | Ndërtohet aeroporti ushtarak i Mifolit | – Përdoret për qëllimet e furnizimit të ushtrisë italiane në Vlorë |
| 2 | Viti 2002 | Qeveria Nano përkund idenë e ndërtimit të një aeroporti ndërkombëtar në Vlorë | – Nuk shndërrohet në projekt, pasi nuk gjen interesim direkt investuesish të huaj |
| 3 | Tetor 2017 | Përfundon studimi i leverdishmërisë për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës | – Studimi e nxjerr me shumë leverdi ndërtimin e aeroportit |
| 4 | 19 prill 2021 | Nënshkruhet kontrata me konsorciumin e kompanive Mabetex Group (50%), YDA-Group (48%) dhe 2A Group (2%). Vlera e investimit 103.9 milionë euro. | -Investuesi kryesor: Mabetex Lugano, me pronar Behxhet Pacolli, me pasuri neto 830 mln euro. Aksioneri tjetër, kompania turke YDA Group, ndërtoi spitalin rajonal të Fierit në tre muaj, me urdhër të Kryeministrit turk Erdogan. |
| 5 | 28 nëntor 2021 | Në 109 Vjetorin e Pavarësisë, nisën punimet për ndërtimin e aeroportit. | – Punimet kanë zgjatur katër vjet |
E ardhmja e Aeroportit nuk është “dështim” por sukses
Shoqata Ndërkombëtare e Transportuesve Ajrorë ka vlerësuar aplikimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, si në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke vendosur kodin për aeroportet dhe shitjen e biletave VLO.
Brenda sezonit veror 2026 mund të nisin fluturimet tregtare të Aeroportit. Që tani ka filluar prenotimi i fluturimeve për në dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, nga agjencitë turistike lokale dhe ndërkombëtare.
Agjencitë kanë filluar të prenotojnë avionët çartër të parë, sidomos për fluturimet transoqeanike. Fluturimet nga SHBA-të dhe Kanadaja, për shembull, mundësohen nga pista e gjatë 3.2 km e Aeroportit të Vlorës, i cili mund të presë avionë transoqeanikë.
Në vitin e parë të veprimtarisë, që do të jetë viti 2026, Aeroporti i Vlorës pritet të ketë pasagjerë më shumë nga sa ishte parashikuar në studimin e tij të leverdisshmërisë. Ky studim fliste për vetëm 330 mijë pasagjerë për vitin e parë të aktivitetit.
Parashikimet jo optimiste janë për mbi 440 mijë pasagjerë, ndërsa ato optimiste për mbi 1 milionë pasagjere.
Tabela 3. Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës: Të dhënat
- Investimi: 104.5 mln euro
- Vendodhja: Akërni. 10 min larg autostradës Levan-Vlorë
- 35 vite koncesion. Bazë për flotën e avionëve Air Albania
- Strehë e kompanive me kosto të ulët “low cost”
- Fluturime “point to point”. Lidhje me çdo aeroport dytësor në Greqi, Itali dhe Mal të Zi

Kontributi i Aeroportit në ekonominë e Vlorës dhe të vendit
Sipas Organizatës Ndëkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), një aeroport i ri ndërkombëtar në një rajon të caktuar jo kryeqytet i atij vendi, kontribuon zakonisht, duke e shtuar me 7-10 përqind vëllimin e ekonomisë lokale, ndërsa ekonominë e vendit me 02-0.3 përqind.
Sipas INSTAT, ekonomia e rajonit të Vlorës, duke përfshirë edhe Sarandën, kontribuoi në vitin 2024 me një të dhjetën në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto të vendit (PBB), ose ndryshe prodhimi kombëtar. Ky prodhim sot kap vlerën e mbi 25 miliardë eurove në vit.
Me ritmin e rritjes së turizmit në Shqipëri dhe rekordet që po thyen Rinasi në numër pasagjerësh dhe linjash fluturimi, por edhe me të dhënat e para për prenotimet e fluturimeve për në dhe nga Vlora, veprimtarët turistikë shprehen të sigurtë se Aeroporti i Vlorës mund të arrijë të presë për vitin 2026 më shumë se një milionë pasagjerë.






