Detyrimet e papaguara për sigurimet shoqërore kaluan vlerën e 20.2 miliardë lekëve (rreth 200 mln euro) me rritje mbi 9% nga viti 2023 vëren raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas një inspektimi në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, nga të cilat rreth 18.9 miliardë lekë (rreth 190 mln euro) janë detyrime të mbatura nga bizneset dhe pjesa tjetër nga ndërmarrjet buxhetore.
Entet publike zotërojnë 6% të totalit të detyrimeve për sigurimet me vlerë mbi 1,2 miliardë lekë.
KLSH vëren se pavarësisht se, numri i debitorëve në sektorin publik ka rënë nga 823 në vitin 2023 në 724 subjekte në 2023, vlera totale e detyrimeve të papaguara është rritur ndjeshëm, duke u zgjeruar me rreth 469 milionë lekë krahasuar me vitin 2023. Rritja është veçanërisht e theksuar tek institucionet jo buxhetore, tek të cilat detyrimet pothuajse janë dyfishuar.
Nga ana tjetër, në sektorin privat situata u përkeqësua edhe më tej. Numri i subjekteve debitorë është rritur me 10,606 në vitin 2024, duke e çuar totalin në gati 120 mijë biznese. Detyrimet e papaguara në sektorin privat janë rritur me 1.3 miliardë lekë të tjera në vitin 2024, duke e çuar totalin e detyrimeve në këtë kategori në më shumë se 18 miliardë lekë.
Bizneset e vogla zotërojnë pothuajse 39% të detyrimeve totale të sigurimeve ose 7.85 miliardë lekë.
Subjektet juridike (bizneset e mëdha) mbajnë peshën kryesore të borxhit, me 54.9% të totalit, ose mbi 11.1 miliardë lekë.
Në një shkresë zyrtare drejtuar Tatimeve në shtator 2024, ISSH ka paralajmëruar se borxhi në rritje ndikon drejtpërdrejt në përfitimet e individëve. Për shkak se shumë punëdhënës nuk kanë shlyer kontributet, një numër i konsiderueshëm punonjësish nuk mund të marrin shërbime nga skema e sigurimeve shoqërore, pasi listë-pagesat rezultojnë të paverifikuara.
KLSH sugjeroi bashkëpunim më të fortë ndërmjet DPT-së dhe ISSH-së, për të garantuar administrimin e rregullt të kontributeve dhe uljen e stokut të detyrimeve të papaguara, i cili çdo tremujor vijon të jetë progresiv.
Në total, detyrimet e papaguara për sigurimet shoqërore për vitin 2024 përfshijnë 17.18 miliardë lekë principal, 2.08 miliardë lekë gjoba dhe 968 milionë lekë interesa, duke çuar vlerën e përgjithshme të borxhit në 20.22 miliardë lekë.
KLSH zbuloi se stoku i borxhit në detyrimet e papaguar u rrit me rreth 9.6% se një vit më parë. Kjo ecuri tregon rënien e disiplinës së bizneseve për pagesën e sigurimeve të punonjësve si dhe përkeqësimin e situatës financiare të bizneseve edhe dobësitë e administrimit të detyrimeve në sektorin publik.
Në vitin 2023 totali i detyrimeve ishte rreth 18.46 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2024 kaloi 20 miliardë lekët, duke e thelluar më tej presionin mbi sistemin e sigurimeve shoqërore dhe duke krijuar pasoja të drejtpërdrejta për punonjësit që nuk u njihet kontributi për shkak të mos-shlyerjes nga punëdhënësit./Monitor







