Çmimet e shitjes së apartamenteve në Tiranë janë trefishuar në 20 vitet e fundit.
Sipas të dhënave të indeksit të çmimit të shitjes së publikuar nga “Keydata” që prej vitit 2005, kur indeksi i çmimeve u llogarit në nivelin bazë 100 deri në 3-mujorin e dytë të vitit 2025, vlera e indeksit të apartamenteve në Tiranë është rritur me më shumë se 230%.
Sipas të dhënave të “Keydata” për indeksin e çmimit të shitjes së apartamenteve për periudhën 2005–2025, në tremujorin e dytë të këtij viti indeksi ka arritur në 334.61 pikë, duke shënuar nivelin më të lartë që prej fillimit të matjeve.
Krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit, indeksi i çmimeve të shitjes së apartamenteve është rritur 23.03%. Në raport me të njëjtën periudhë të 2024-s indeksi është rritur 16.5%.
Rritja e çmimeve të apartamenteve në Tiranë rezulton se është përshpejtuar pas periudhës së pandemisë së Covid-19.
Në fund të vitit 2023, indeksi arriti 251.16%, ndërsa në fillim të 2024 kaloi mbi 276%, duke regjistruar një rritje vjetore prej 33.2%, një nga më të lartat në tregun e pasurive të paluajtshme, sipas matjeve të “Keydata”.
Deri në qershor 2025, e llogaritur nga indeksi “Keydata” çmimi mesatar për një metër katror apartament arriti 1,830 euro. Çmimi mesatar është llogaritur mbi bazë të dhënash për çmimet e apartamenteve ekzistuese, pra për ndërtesë të ndërtuara 5, 10 apo 15 vite më parë dhe një numër të ulët të apartamenteve të reja. Çmimi mesatar i apartamenteve në 20 vite është gati trefishuar krahasuar me vitin 2005.
Në 2024 Shqipëria u rendit gjithashtu ndër vendet që kanë pësuar rritjen më të lartë të çmimeve në Europë, sipas raportit “Për indeksin e pasurive të paluajtshme 2025” i hartuar nga kompania ndërkombëtare “Deloitte”.
Në raport theksohej se çmimi mesatar i shitjeve të apartamenteve në vend arriti 1,620 euro për metër katror. Krahasuar me 2023 çmimi mesatar u rrit rreth 17%.
Në raport Shqipëria renditej e dyta pas Polonisë për rritjen më të lartë të shitjes së pronave. Në Poloni niveli i rritjes ishte 19.3%, por sipas ekspertëve theksohet se kjo rritje u ndikua nga zbatimi i politikave subvencionuese të shtetit për strehim.
Sipas të dhënave të indeksit të “Deloitte”, në Tiranë çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve arriti 2,000 euro për metër katror. Në zonat e qendrës si ish -Blloku apo sheshi “Skënderbej” çmimet mesatare të shitjes arritën 3,000 deri 3,500 euro për metër katror./Monitor

 
	    	 LIGJET E BIZNESIT
 LIGJET E BIZNESIT

 
 
 

 
 




 
