Pas paralajmërimeve të kryeministrit Edi Rama për ata që ndërtojnë pa leje apo abuzojnë me lejet e ndërtimit, kanë hyrë në fuqi rregullat e reja për ndërtimet pa leje. Ato parashikojnë nga konfiskimi deri në 10% të sipërfaqes ndërtimore për punime pa leje apo me tejkalim të kushteve të lejes së ndërtimit, deri te gjoba maksimale prej 2 milionë lekësh për ndërtimet pa leje në zonat bregdetare.
Masat ndëshkuese janë miratuar përmes Aktit Normativ Nr. 8, datë 1.10.2025, i cili sjell ndryshime në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” dhe në ligjin “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”. Aktet janë botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, duke hyrë në fuqi menjëherë.
Sipas ndryshimeve të reja, nëse në një objekt evidentohen punime pa leje apo tejkalime mbi 2% të sipërfaqes së përgjithshme ndërtimore (mbi apo nën tokë), dhe nëse prishja nuk është teknikisht e mundur, atëherë pjesa e ndërtuar në mënyrë të paligjshme konfiskohet për interes publik ose përdoret për strehim social.
Në rastet kur tejkalimi shkon mbi 10%, autoritetet mund të vendosin konfiskimin e të gjithë objektit ose prishjen e plotë të tij. Vendimi për konfiskim merret nga IKMT-ja dhe miratohet nga KKTU-ja (Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Urbanizmit).
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu krijimin e një “liste të zezë”, ku do të regjistrohen të gjithë individët dhe subjektet që kryejnë shkelje të rënda të ligjit të ndërtimit – përfshirë ndërtimet pa leje, tejkalimet e sipërfaqeve apo shkeljet në zonat e mbrojtura.
Të regjistruarit në këtë listë do të përjashtohen nga e drejta për të përfituar leje ndërtimi për 5 vjet, edhe nëse ndryshojnë subjektin ligjor apo emrin tregtar.
Masat përforcohen edhe me një regjim të ri gjobash për ndërtimet pa leje: 5,000 lekë për metër katror ndërtim pa leje për qëllime fitimi, si gjobë minimale; Gjobë shtesë 10% e vlerës së preventivit për ndërtimet pa leje në bregdet, zona turistike, zona të mbrojtura ose pranë monumenteve të kulturës; 2 milionë lekë gjobë për autoritetet vendore që miratojnë leje pa akt konformiteti nga KKTU-ja; Përjashtim 7-vjeçar nga punësimi në shtet për punonjësit publikë të përfshirë në ndërtime të paligjshme.
Akti Normativ vendos edhe detyrimin për regjistrimin e hapësirave publike që rezultojnë nga lejet e ndërtimit, si: trotuaret, gjelbërimi, parqet apo sheshet për rekreacion pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, edhe në rast se ndodhen brenda pronës private, deri në ndërtimin e plotë të objektit. Njësitë vendore do të jenë përgjegjëse për mirëmbajtjen e tyre, ndërsa përdorimi pa leje i këtyre hapësirave ndalohet rreptësisht.
Pjesë nga aktet normative:
AKT NORMATIV Nr. 8, datë 1.10.2025 PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 107/2014, “PËR PLANIFIKIMIN DHE ZHVILLIMIN E TERRITORIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Në ligjin nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa: Neni 1
Në nenin 3 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme: 1. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon: “10. “E drejta për zhvillim” është e drejta ligjore për të zhvilluar një parcelë dhe/ose një zonë, në përputhje me dokumentet e planifikimit dhe të kontrollit të zhvillimit. E drejta për zhvillim është e dallueshme nga e drejta e pronësisë dhe jepet nga autoriteti vendor i planifikimit, që ka kompetencën për të rregulluar përdorimin e tokës në juridiksionin e tij, dhe KKTU-ja, në përputhje me përcaktimet ligjore në fuqi.”.
- Në pikën 12, fjalët “… autoritetit përgjegjës të planifikimit …” zëvendësohen me “… autoritetit përgjegjës të zhvillimit …”.
- Në pikën 14, pas fjalëve “… autoriteti përgjegjës i planifikimit …” shtohen “… dhe i zhvillimit …”.
- Në pikën 18, fjalët “… autoriteti përgjegjës i planifikimit …” zëvendësohen me “… autoriteti përgjegjës i zhvillimit …”.
- Në pikën 31, pas fjalëve “… autoriteteve të planifikimit …” shtohen “… dhe të zhvillimit …”.
- Pas pikës 33 shtohet pika 33/1, me këtë përmbajtje: “33/1. “Regjistër Kombëtar Elektronik i Lejeve të Zhvillimit/Ndërtimit” është databaza elektronike kombëtare, pjesë e sistemit e-Leje, ku regjistrohen të gjitha lejet e zhvillimit e të ndërtimit, që lëshohen nga autoritetet e zhvillimit të territorit.”.
- Pas pikës 47 shtohet pika 48, me këtë përmbajtje: “48. “Lista e zezë” është regjistri i të gjithë zhvilluesve, shoqëri ose individë, që shkelin parashikimet ligjore të zhvillimit të territorit, kontrollit dhe disiplinimit të punimeve të ndërtimit, të cilët përjashtohen nga e drejta për të përfituar leje, sipas përcaktimeve të këtij ligji, për një periudhë 5- vjeçare.”.
Neni 2 Neni 4/1 ndryshohet, si më poshtë vijon: “Neni 4/1 Hapësira publike 1. Hapësira publike është hapësira e jashtme, si: trotuari, rruga, sheshi, kënde lojërash për fëmijë, lulishtja, parku e të tjera të ngjashme, në shërbim të komunitetit, ku menaxhimi mund të jetë publik dhe/ose privat. Hapësira publike përfshin rrugëkalime publike dhe mjedise, që janë të hapura për publikun ose në shërbim të përdorimit publik, pavarësisht nga regjimi juridik i tokës dhe përtej përcaktimeve të pronës publike, sipas ligjit nr. 8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar.
- Autoritetet publike, kryesisht ose në partneritet me sektorin privat, krijojnë hapësirë publike nëpërmjet ndërtimit të infrastrukturave publike për gjelbërimin, transportin, aktivitetet sociale, edukativo-sportive, çlodhëse dhe/ose krijuese, sipas rregullave, kushteve dhe standardeve të posaçme.
- Kur në një leje ndërtimi janë përcaktuar zona apo sipërfaqe si hapësira të gjelbra, për rekreacion ose zona të pambuluara nga gjurma ndërtimore, të cilat janë pronë në bashkëpronësi sipas ligjit nr. 55/2025, “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”, ato regjistrohen si hapësira publike pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke ruajtur regjimin juridik të pronësisë.
- Njësitë e vetëqeverisjes vendore inventarizojnë hapësirën publike në pronësi shtet dhe brenda kufijve territorialë, që është jashtë lejeve të ndërtimit dhe brenda kufijve territorialë, dhe i regjistrojnë ato në regjistrin kadastral.
- Autoritetet vendore të zhvillimit kanë detyrimin të sigurojnë mbrojtjen, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e hapësirave publike, me shpenzimet
e veta, përfshirë në pronë private, pa cenuar të drejtën e pronarëve për zhvillimin e tyre deri në momentin e kryerjes së zhvillimit.
- Hapësirat publike të përcaktuara në bazë të lejeve të ndërtimit regjistrohen nga subjektet zhvilluese në regjistrin kadastral, duke ruajtur regjimin juridik të pronësisë.
- KKTU-ja, me rregullore të veçantë, mund të miratojë leje zhvillimi/ndërtimi në hapësira publike.
- Ndalohet zënia e hapësirave publike nga çdo individ apo subjekt, që nuk është pajisur me lejet përkatëse të shfrytëzimit të hapësirës publike nga autoritetet përgjegjëse. 9. Këshilli i Ministrave përcakton, me vendim, rregullat, kushtet e procedurat për përdorimin, menaxhimin dhe regjistrimin e hapësirës publike.”
“Neni 40/1 Konfiskimi për interes publik apo strehim social
Tek të gjitha objektet, në të cilat konstatohen punime pa leje apo në tejkalim të lejes mbi masën 2% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi dhe nën tokë, dhe për shkak të qëndrueshmërisë së objektit është e pamundur prishja e tij, konfiskohen për interes publik apo strehim social punimet e kryera pa leje për qëllime fitimi, ose një sipërfaqe ekuivalente me to, brenda objektit, e cila të jetë hapësirë e shfrytëzueshme. 2. Tek të gjitha objektet, në të cilat konstatohen punime pa leje apo në tejkalim të lejes për qëllime fitimi, mbi masën 10% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi dhe nën tokë, konfiskohet, për interes publik apo strehim social, i gjithë objekti apo vendoset prishja e plotë e tij nga organet përgjegjëse. 3. Konfiskimi kryhet me propozim të IKMT-së dhe me miratim të KKTU-së. 4. Rregullat, procedurat dhe mënyrat përkatëse për prishjen apo konfiskimin për interes publik apo strehim social miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”
Neni 17 Në nenin 46 bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon: “2. Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja paguhet pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore përpara dorëzimit të dokumentit të lejes së ndërtimit.”. 2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje: “4. Pas fillimit të punimeve për investimet publike, me zhvillues autoritetet publike shtetërore, taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data e lëshimit të faturës përkatëse nga njësia e vetëqeverisjes vendore.”.
“Neni 50/1
Përjashtimi nga procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit 1. Refuzohen nga pajisja me leje ndërtimi individët, subjektet, përfshirë administratorët, ortakët dhe pronarët përfitues, që, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji: a) kanë kryer shkelje të rënda të standardeve teknike dhe ligjore në projektet e ndërtimit; b) janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën e ndërtimit; c) kanë shitur njësitë e ndërtuara për të njëjtën sipërfaqe më shumë se një herë; ç) kur ndërtimet e kryera prej tyre janë objekt konfiskimi apo prishjeje, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi. 2. Përjashtimi nga shqyrtimi i kërkesës për leje ndërtimi mbetet në fuqi për një periudhë 5-vjeçare nga momenti i identifikimit të shkeljes dhe marrjes së vendimit përkatës. 3. Sekretariati teknik i KKTU-së mban dhe përditëson një regjistër të brendshëm me listën e zezë të subjekteve të përjashtuara, i cili mund të konsultohet gjatë shqyrtimit të çdo kërkese për leje ndërtimi nga autoritetet e zhvillimit të territorit. Ky regjistër është publik dhe i aksesueshëm në faqen elektronike të Sekretariatit.”.
Neni 23 Në nenin 52 bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 1. Në pikën 1 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme: 1.1 Fjalët “… përveç rasteve kur përbëjnë vepër penale …” hiqen. 1.2 Në fund të shkronjës “c” shtohen fjalitë, me këtë përmbajtje:
“… Ndryshimi i aktivitetit/funksionit/ destinacionit, pa marrë lejen përkatëse nga autoriteti përgjegjës, dënohet me gjobë në masën 5.000.000 lekë. Mosveprimet për miratimin në heshtje të dokumenteve të lejeve të ndërtimit, pas pagesës së taksës nga kërkuesit, sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 47, dënohen me gjobë në masën 2.000.000 lekë.”. 1.3 Shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon: “d) Mosdeklarimi i punimeve, që përjashtohen nga detyrimi i pajisjes me leje, sipas nenit 41 të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50.000 lekë deri në 150.000 lekë, si dhe me vendim prishjeje. Përjashtimisht, mosdeklarimi i punimeve të kryera brenda zonës së brezit bregdetar, pavarësisht natyrës së ndërhyrjeve, të cilat janë objekt i një lejeje ndërtimi të miratuar nga KKTU-ja, sipas pikës 1.1, të nenit 41, dënohen me gjobë sipas preventivit përkatës të depozituar pranë autoriteteve përgjegjëse, por, në çdo rast, jo më pak se 35.000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë për metër katror, si dhe me vendim prishjeje.”.
.4 Shkronja “e” ndryshohet, si më poshtë vijon: “e) kryerja e punimeve pa leje dënohet me gjobë të barabartë me vlerën e punimeve të kryera pa leje, sipas preventivit përkatës të depozituar pranë autoriteteve përgjegjëse, por, në çdo rast, jo më pak se 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë për metër katror, kur ndërtimi bëhet për qëllime fitimi dhe me: i. konfiskim për interes publik apo strehim social të punimeve të kryera pa leje kur ndërtimi pa leje është mbi masën 2% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi dhe nën tokë; ii. prishje apo konfiskim për interes publik, për të gjithë objektin, kur ndërtesa është e qëndrueshme, në rastet kur: – ndërtimi rezulton pa leje, mbi dhe nën tokë; – ndërtimi pa leje tejkalon masën 10% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi dhe nën tokë.”. 1.5. Pas shkronjës “e” shtohen shkronjat “e/1” dhe “e/2”, me këtë përmbajtje: “e/1. Kryerja e punimeve pa leje brenda brezit bregdetar, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në zonat e mbrojtura apo në zonën kufizuese të një monumenti kulture, krahas dënimit, sipas shkronjës “e” të kësaj pike, dënohet edhe me gjobë në masën 10% të vlerës së preventivit.
Për objektet e ndërtuara tërësisht pa leje brenda brezit bregdetar në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në zonat e mbrojtura apo në zonën kufizuese të një monumenti kulture, krahas dënimit, sipas shkronjës “e” të kësaj pike, dënohet edhe me gjobë në masën 10% të vlerës së shitjes për metër katror. Lejet apo deklaratat paraprake të punimit, të miratuara në këto zona nga organet e pushtetit vendor, pa marrë paraprakisht aktin e konformitetit nga Sekretariati Teknik i KKTU-së, janë akte absolutisht të pavlefshme. Shkelja e këtij rregulli nga autoritetet vendore dënohet me 2.000.000 (dy milionë) lekë gjobë; e/2. Shpenzimet e prishjes dhe të pastrimit të inerteve mbulohen nga subjekti zhvillues sipas faturës së prishjes e të pastrimit të inerteve nga organet shtetërore. Fatura e lëshuar sipas parashikimeve të kësaj pike përbën titull ekzekutiv dhe në rast mospagimi vullnetar ekzekutohet me bllokimin e llogarive bankare të subjektit zhvillues.”. 1.6 Pas shkronjës “i” shtohet shkronja “j”, me këtë përmbajtje: “j. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kryerja e punimeve pa leje nga punonjësi i shtetit, me kohë të plotë ose të pjesshme, i cili rezulton drejtpërdrejt i lidhur me punimet pa leje, konsiderohet shkelje shumë e rëndë, sipas legjislacionit në fuqi për rregullimin e marrëdhënies së punësimit, dhe sjell si pasojë largimin nga puna. Në këtë rast punonjësi ndalohet të punojë në institucione publike për një periudhë 7-vjeçare nga momenti i njoftimit të masës.”. 2.
- Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon: “4. Autoriteti përgjegjës i zhvillimit shqyrton kërkesën e paraqitur, sipas pikës 3, të këtij neni, dhe mund të miratojë lejen për ndryshimet në projekt apo rishikimin e kushteve gjatë ndërtimit, vetëm në rast se nuk cenon të drejtat pronësore të personave të tjerë, si dhe qëndrueshmërinë e sigurinë e objektit. Në rastet kur ndërtimi është në përputhje me kërkesat e mësipërme, autoriteti i zhvillimit merr vendim për miratimin e kërkesës dhe pajisjen me leje. Në rast të kundërt, autoriteti përgjegjës vendos prishjen e ndryshimeve apo të punimeve jashtë kushteve të lejes.”.
- Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje: “4/1. Kur autoriteti i zhvillimit ose autoriteti i inspektimit konstatojnë se subjekti zhvillues nuk ka zbatuar fasadën e objektit në përputhje me skedat teknike, pjesë e projektit arkitektonik, të miratuar me lejen e ndërtimit, ai njofton subjektin që të marrë masat të prishë vullnetarisht punimet e kryera në kundërshtim me lejen dhe të kryejë punimet në përputhje me projektin arkitektonik të miratuar, brenda një afati 90-ditor. Në rast se subjekti zhvillues nuk arrin të përfundojë punimet brenda afatit të përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike, ai ka të drejtë të kërkojë shtyrjen e afatit për një periudhë shtesë deri në 60 ditë, me kërkesë të arsyetuar, drejtuar autoritetit të zhvillimit të territorit që ka lëshuar lejen e ndërtimit. Rregullat, procedurat përkatëse dhe dokumentacioni i nevojshëm përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Nëse subjekti zhvillues nuk kryen vullnetarisht punimet në përputhje me projektin e miratuar brenda afateve të parashikuara në paragrafin e parë dhe të dytë të kësaj pike, objekti konfiskohet për interes publik, sipas procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.”
AKT NORMATIV Nr. 9, datë 1.10.2025 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9780, DATË 16.7.2007, “PËR INSPEKTIMIN DHE MBROJTJEN E TERRITORIT NGA NDËRTIMET E KUNDËRLIGJSHME”, TË NDRYSHUAR Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
VENDOSI: Në ligjin nr. 9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1 Pas shkronjës “b”, të nenit 3, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje: “c) Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në cilësinë e Sekretariatit Teknik të KKTU-së, për lejet në kompetencë të KKTU-së, e cila bashkërendon procesin e kontrollit e monitorimit me strukturat përgjegjëse për inspektimin.”. Neni 2 Në nenin 5 bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 1. Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon: “b) vendos gjoba, sipas llojit të shkeljeve të dispozitave ligjore në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit. Për shkeljet e lejeve të ndërtimit në kompetencë të KKTU-së, vendos gjoba me propozim të Sekretariatit Teknik të KKTU-së, apo të strukturës përgjegjëse qendrore për inspektimin;”
- Pas shkronjës “f” shtohen shkronjat “g” dhe ”gj”, me këtë përmbajtje: “g) Për lejet e ndërtimit në kompetencë të KKTU-së, vendos masat sipas shkronjave “b”, “ç”, “d”, “dh” dhe “ë” pasi bashkërendon procesin e kontrollit e të monitorimit me Sekretariatin Teknik të KKTU-së; gj) Për të gjitha lejet e ndërtimit në proces zbatimi, të dhëna nga organet përgjegjëse për zhvillimin e territorit, struktura përgjegjëse për inspektimin pranë njësive vendore, për çdo leje ndërtimi, përcakton të paktën një inspektor, i cili do të jetë personi përgjegjës, që ka për detyrë të monitorojë dhe të kontrollojë periodikisht zbatimin e ligjshmërisë e të standardeve teknike në fushën e planifikimit dhe të zhvillimit të territorit, gjatë të gjithë procesit të zbatimit të punimeve deri në kolaudimin përfundimtar të ndërtimit.”.
Neni 3 Në nenin 9 bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 1. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon: “a) ushtron kontrollin/inspektimin, me qëllim zbatimin e ligjshmërisë për mbrojtjen e territorit dhe të peizazhit nga ndërhyrjet dhe zhvillimet e kundërligjshme, ushtron përgjegjësitë e veta në nivel njësie vendore drejtpërdrejt dhe pa asnjë kufizim për ndërtimet/punimet, që lidhen me çështje, zona ose objekte me rëndësi kombëtare dhe në territor, duke garantuar një zhvillim të qëndrueshëm e të sigurt në fushën e planifikimit e zhvillimit të territorit, disiplinimit të punimeve në ndërtim dhe produkteve të ndërtimit, mbrojtjes së tokës, ajrit, ujërave, pyjeve dhe zonave të mbrojtura natyrore, monumenteve natyrore, përfshirë zonat me karakteristika unike gjeografike, zonat me rrezik natyror, rrjetet ekologjike, në fushën e menaxhimit të integruar të burimeve ujore, në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve. Kryen, gjithashtu, inspektimin e instalimeve të tipave A dhe B, inspektimin mjedisor dhe në territor për zonat e mbrojtura, objektet e trashëgimisë kulturore, zonat arkeologjike, zonat me përparësi turizmin dhe brezin bregdetar, lagunat, lumenjtë, liqenet, tokat bujqësore, spitalet publike, objektet dhe terrenet sportive, objektet infrastrukturore kombëtare, burimet dhe rrjetet minerare natyrore, komplekset dhe parqet industriale, rrugët kombëtare, linjat hekurudhore dhe infrastrukturat mbështetëse, sektorin e energjisë dhe të komunikimit elektronik, aeroportet, portet dhe rrugët detare, zhvillimet në zonat ushtarake, sipas përcaktimeve ligjore në ligjin e posaçëm dhe në atë për inspektimin, si dhe në vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit;”
- Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon: “b) kontrollon zbatimin e dispozitave të këtij ligji, të ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, si dhe të ligjit për kontrollin e disiplinimin e punimeve të ndërtimit nga struktura përgjegjëse e inspektimit pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe merr masat përkatëse në zbatim të ligjit.”.
- Pas shkronjës “dh”, të nenit 9, shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje: “e) për lejet e ndërtimit në kompetencë të KKTU-së bashkërendon procesin e kontrollit me Sekretariatin Teknik të KKTU-së.”.
Neni 9 Neni 15 ndryshohet, si më poshtë vijon: “Neni 15 1. Veprimet ose mosveprimet e kryeinspektorëve/inspektorëve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore dhe të inspektorëve të IKMT-së, që janë në kundërshtim me parashikimet e dispozitave të këtij ligji dhe të legjislacionit në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, të menaxhimit të integruar të burimeve ujore, të prodhimit dhe hedhjes në treg të produkteve të ndërtimit dhe kontrollit e disiplinimeve të punimeve në ndërtim, pavarësisht nëse përbëjnë vepër penale ose jo, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, si më poshtë vijon: a) Mosushtrimi i funksionit të kontrollit të territorit në fushën e ndërtimit, planifikimit dhe zhvillimit të territorit, në masën 300 000 lekë b) Shtrembërimi i rezultateve të kontrollit në fushën e ndërtimit, planifikimit dhe zhvillimit të territorit, menaxhimit të integruar të burimeve ujore, të prodhimit dhe hedhjes në treg të produkteve të ndërtimit dhe kontrollit e disiplinimeve të punimeve në ndërtim, në masën 400 000 lekë. c) Mosrespektimi i afateve për marrjen e vendimeve të parashikuara në këtë ligj, përfshirë dhe ato për prishje të ndërtimit të kundërligjshëm, në masën 200 000 lekë. ç) Mosrespektimi i afateve të zbatimit të vendimeve të parashikuara në këtë ligj, përfshirë dhe ato për prishje të ndërtimit të kundërligjshëm, në masën 300 000 lekë. d) Moszbatimi i vendimit të pezullimit të punimeve në ndërtim brenda afatit të parashikuar në këtë ligj, në masën 150 000 lekë. dh) Mosrespektimi i afatit për dhënien e informacionit dhe pengimi në përmbushjen e detyrave, në masën 100 000 lekë. e) Mosparaqitja e kërkesës për heqje licence të mbikëqyrësit të punimeve pranë organeve kompetente, në masën 500 000 lekë.
- Gjoba vendoset me vendim të kryeinspektorit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe përbën titull ekzekutiv.
- Në rastet kur ka një denoncim nga strukturat e IKMT-së, Policisë së Shtetit, apo nga vetë qytetarët për një ndërtim të kundërligjshëm, si dhe provohet mosveprimi me faj i kryeinspektorit/ inspektorëve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore, ndaj këtyre të fundit merret masa e menjëhershme e largimit nga detyra.
- Në rastet kur ekzistojnë kushtet sipas pikës 3, të këtij neni, IKMT-ja përgatit kallëzimin penal dhe e depoziton atë pranë organeve kompetente, me qëllim fillimin e ndjekjes penale në ngarkim të inspektorit dhe Kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore.”.
Neni 10 Hyrja në fuqi Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.