Ekspertët e OTP Bank vazhdojnë të favorizojnë tregjet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Ekonomitë e eurozonës dhe SHBA-ve po lëvizin në drejtime të kundërta. Ndërsa pritet që rritja në SHBA të ngadalësohet, Evropa duket e gatshme për një rimëkëmbje të moderuar, sipas strategjisë më të fundit tremujore të investimeve të OTP Bank. Analistët vënë në dukje se dy bankat qendrore, ndodhen në pole të kundërta të cikleve të normave të interesit. Banka gjithashtu ofron udhëzime mbi asetet që mund të performojnë mirë në këtë mjedis dhe tregjet ku investitorët duhet të përqendrohen.
Ekonomia e SHBA-së është ngadalësuar muajt e fundit, por jo aq sa pritej. Politikat fiskale mbështetëse dhe pritshmëritë për ulje të normave nga Rezerva Federale, e bëjnë gjithnjë e më pak të mundshme të ketë ngadalësim të mprehtë, sipas OTP Bank.
Të dhënat aktuale sugjerojnë se rritja në SHBA mund të ketë mbetur e fortë në tremujorin e tretë, me një zgjerim tremujor të përvitshëm rreth 3 për qind. Pas një tremujori të dytë më të dobët, konsumi dhe investimet e huaja po nxisin rritjen. Analistët kanë rritur paksa parashikimin për vitin 2026, nga 1.5 në 1.7 përqind rritje të PBB-së, megjithëse përbërja e rritjes mund të ndryshojë. Tarifat dhe inflacioni më i lartë pritet të kufizojnë shpenzimet e konsumatorëve, ndërsa eksportet janë përmirësuar së fundmi. Rreziqet janë të balancuara: tregu i punës mund të dobësohet krahasuar me pritshmëritë bazë, por përparimet në inteligjencën artificiale dhe sektorin e teknologjisë, mund të sjellin surpriza pozitive.
Evropa drejt një rimëkëmbjeje graduale
Në eurozonë, pritet një “ulje e butë” në gjysmën e dytë të vitit, me rritjen që arrin pikën më të ulët, përpara se të përshpejtohet gradualisht në vitin 2026. Struktura ekonomike e rajonit ka mbetur e qëndrueshme. Analistët presin që ekonomitë e Mesdheut të udhëheqin rritjen, ndërsa ato perëndimore, të fokusuara në industri, mund të mbeten pas.
Në afat të shkurtër, mosmarrëveshjet mbi tarifat mund të ngadalësojnë më tej rritjen, duke e mbajtur performancën vjetore nën 1 përqind. Megjithatë, politikat fiskale më të zbutura mund të nxisin rritjen vjetore përafërsisht deri në 1.5 përqind deri në fund të vitit 2026, veçanërisht nëse Gjermania merr pjesë. Pasiguria mbi ndikimin e masave stimuluese gjermane, i mban aktive rreziqet në kahun negativ.
“Dy ekonomitë kryesore jo vetëm që po rriten me ritme të ndryshme, por ato gjithashtu po përjetojnë trende të kundërta inflacioni,” – shprehet z. Gergely Tardos, Drejtor i Qendrës së Kërkimeve të OTP. Inflacioni në SHBA mbetet mbi objektivin e Rezervës Federale, ndërsa inflacioni në eurozonë ka arritur objektivin e Bankës Qendrore Evropiane (ECB). Si rezultat, bankat qendrore po ndjekin rrugë të ndryshme: Evropa nuk pritet të shohë ulje të mëdha të normave, ndërsa Rezerva Federale rifilloi lehtësimin në shtator, pas një pauze nëntë mujore. Inflacioni në SHBA mund të përballet ende me presione në rritje, për shkak të tarifave dhe politikave fiskale të zbutura.
Aksione, Mallra, Obligacione: Ku të përqendrohemi?
Duke marrë parasysh sfondin ekonomik aktual, tarifat në rritje mund të shkaktojnë korrigjime afatshkurtra në aksionet amerikane, të cilat historikisht kanë qenë të mbivlerësuara. Analistët e shohin rrezikun e recesionit si të ulët. Me politika fiskale dhe monetare mbështetëse dhe zgjerim të kreditimit, aksionet amerikane mbeten tërheqëse në afat të gjatë, duke e lënë qëndrimin e OTP neutral për tregjet jashtë SHBA-së, për momentin.
“Çdo korrigjim mund të ofrojë mundësi të mira blerjeje në tregjet amerikane,” – vëren z. Dávid Sándor, Drejtor i Strategjive Multi-Asset, OTP Global Markets. Aksionet evropiane janë të vlerësuara në mënyrë më modeste. Megjithëse perspektiva ekonomike është relativisht e favorshme, sfidat strukturore në eurozonë mund të kufizojnë performancën e tregut të aksioneve.
Një monedhë në dobësim si dollari dhe pritshmëritë për ulje të normave nga Rezerva Federale, mund të krijojnë mundësi në tregjet në zhvillim, megjithëse vlerësimet tashmë nuk janë veçanërisht të lira dhe perspektivat e fitimeve mbeten të pasigurta. Evropa Qendrore dhe Lindore vazhdon të duket relativisht jo e shtrenjtë, pavarësisht rreziqeve të shtuara për shkak të presioneve fiskale, të cilat mund të çojnë në taksa shtesë ose rritje të atyre ekzistuese. Në përgjithësi, OTP mban një qëndrim të mbivlerësuar ndaj tregjeve rajonale.
Teknologjia vazhdon të udhëheqë
Analistët mbeten optimistë për aksionet teknologjike dhe shohin gjithashtu mundësi në sektorin e shërbimeve publike dhe energjisë së rinovueshme. Kompanitë minerare mund të përfitojnë nga masat stimuluese të mundshme kineze. Japonia është veçuar si një treg me interes: deflacioni ka përfunduar, reformat korporative mund të tërheqin kapital dhe aksionet janë më të lira se në SHBA.
Në Amerikën Latine, Meksika mund të jetë fituese relative nga konflikti tarifor. Në Evropën Qendrore dhe Lindore, Polonia spikat falë rritjes më të shpejtë krahasuar me Evropën Perëndimore, lehtësimit fiskal që mbështet vlerësimet dhe nxitjeve të mundshme nga një armëpushim në Ukrainë.
Për sa i përket obligacioneve, OTP rekomandon maturime afatshkurtra dhe afatmesme si në SHBA ashtu edhe në Evropë, ndërsa mundësitë për obligacione korporative janë të kufizuara për shkak të ngushtimit të diferencave të fitimeve.
Për mallrat, analistët janë përgjithësisht neutralë, duke përmendur rritjen e pasigurt, tregun e punës në SHBA dhe zgjerimin më të ngadaltë të Kinës. Megjithatë, disa mallra, përfshirë arin, bakrin dhe uranin, mbeten tërheqëse për shkak të blerjeve të vazhdueshme nga bankat qendrore, rritjes së borxhit publik dhe presioneve fiskale.
Ky material ka vetëm qëllim informues dhe nuk përbën këshillë investimi. Nuk duhet të konsiderohet si baza e vetme për ndonjë vendim investimi, në lidhje me instrumentet financiare të përmendura.
Për informacion të plotë lidhur me produktet dhe shërbimet, ju lutemi të konsultoni faqen zyrtare të OTP Bank www.otpbank.hu.
Përpara se të kryeni ndonjë investim apo të përdorni ndonjë shërbim, shqyrtoni me kujdes të gjithë dokumentacionin përkatës, duke përfshirë broshurat e produkteve, prospektet, rregulloret, kushtet kontraktuale, njoftimet dhe strukturat e tarifave. Merrni parasysh rreziqet që lidhen me investimin, kostot e mundshme, tarifat dhe mundësinë e humbjeve. Informohuni mbi rregulloret tatimore që zbatohen për investimin tuaj.
Vlera e instrumenteve financiare dhe e letrave me vlerë mund të ndryshojë. Shitja e menjëhershme mund të ndodhë sipas çmimeve aktuale të tregut, gjë që mund të sjellë humbje. Opinione dhe informacionet e përfshira në këtë dokument nuk zëvendësojnë dokumentacionin zyrtar të emetimit (si prospektet apo rregullat e menaxhimit të fondeve) dhe as deklarimet e tjera të lidhura me produktin.
Të gjithë vendimet për investim janë përgjegjësi e vetme e klientit. OTP Bank nuk mban përgjegjësi për suksesin apo dështimin e ndonjë investimi individual, për arritjen e objektivave të klientit, apo çfarëdo pasojë që rrjedh nga vendime të marra mbi bazën e këtij dokumenti. Investimet përmbajnë rreziqe të natyrshme, përfshirë mundësinë e humbjes së pjesshme ose të plotë të kapitalit, dhe në disa raste, mund të lindin detyrime financiare shtesë, përtej investimit fillestar.
OTP Bank Sh.a. nuk mban asnjë përgjegjësi për humbje të drejtpërdrejta apo të tërthorta, kosto, apo pasoja ligjore të pafavorshme që mund të rrjedhin nga blerja apo shitja e instrumenteve financiare, ose nga përdorimi i shërbimeve të investimit të përshkruara në këtë dokument, edhe nëse banka është informuar për mundësinë e ndodhjes së ngjarjeve të tilla.