Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar një vendim të rëndësishëm, që sjell ndryshime dhe shtesa në sistemin e taksave dhe tarifave vendore, duke synuar të mbështesë shtresat më të ndjeshme të shoqërisë dhe të lehtësojë barrën fiskale për kategori të caktuara.
Vendimi nr. 59, përcakton qartë lehtësirat e reja, përjashtimet dhe kushtet që duhet të plotësohen për t’i përfituar ato. Efektet e vendimit kanë nisur nga muaji gusht dhe pagesa e tyre praktikisht bëhet në këtë fillimmuaji. Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore konfirmon se kanë hyrë në fuqi ndryshimet fiskale për këto kategori të miratuara në vendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.158, datë 26.12.2019, të Këshillit Bashkiak, “për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, të ndryshuar.
KUSH PËRFITON
Ndryshimet e miratuara kanë në fokus kryesisht gratë kryefamiljare, shoqatat e pensionistëve dhe organizatat e personave me aftësi të kufizuara. Dy nga lehtësirat më të rëndësishme lidhen me dy taksa specifike: taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe tarifa e pastrimit. Po ashtu, në vendim parashikohet 50% ulje për bizneset e grave kryefamiljare me tre ose më shumë fëmijë. Sipas vendimit, bizneset e krijuara nga gratë kryefamiljare që kanë tre ose më shumë fëmijë do të përfitojnë një reduktim prej 50% të taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore.
Për të marrë këtë lehtësi, subjektet duhet të paraqesin në Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore certifikatën familjare dhe ekstraktin historik të regjistrit tregtar. E njëjta kategori përfiton gjithashtu edhe nga tarifa e pastrimit: gjysma e pagesës për këtë tarifë, duke ndihmuar kështu shumë familje me të ardhura të kufizuara që drejtojnë një aktivitet ekonomik për të siguruar jetesën. Një tjetër pikë e vendimit është përjashtim i plotë për shoqatat e pensionistëve dhe të aftësisë së kufizuar. Një tjetër lehtësi e rëndësishme është përjashtimi i plotë nga këto dy detyrime për shoqatat e themeluara nga pensionistë apo nga persona me aftësi të kufizuara. Për të përfituar, përfaqësuesi ligjor i shoqatës duhet të dorëzojë vendimin e gjykatës për regjistrimin e saj dhe dokumentin që vërteton statusin e anëtarëve (pensionist apo person me aftësi të kufizuara).
AFATI I PAGESAVE
Vendimi i ri përcakton edhe rregulla më të qarta për afatet e pagesës, sidomos për kategorinë e bizneseve. Për këto, detyrimi duhet të paguhet deri më 31 maj. Për detyrimet e reja që lindin pas kësaj date, afati është 15 ditë nga lindja e detyrimit. Për bizneset e reja, taksa do të llogaritet që nga muaji i regjistrimit në QKB. Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Megi Fino, ka theksuar se këto masa janë ndërmarrë për të përballuar sfidat ekonomike që shumë familje dhe kategori të caktuara hasin në përditshmëri.
“Ky është një hap drejt një qyteti më social, ku ndihmojmë ata që kanë më shumë nevojë dhe i mbështesim në zhvillimin e aktivitetit të tyre”, – u shpreh ajo gjatë miratimit të vendimit, datë 24 korrik. Në thelb, këto ndryshime synojnë të krijojnë një barazi më të madhe sociale, duke ulur barrën fiskale për ata që e kanë më të vështirë dhe duke nxitur formalizimin e bizneseve të vogla. Nga njëra anë, këto masa janë një ndihmë e drejtpërdrejtë ekonomike, ndërsa nga ana tjetër pritet të rrisin edhe besimin e qytetarëve tek administrata vendore.
KATEGORITË PËRFITUESE, DOKUMENTET
- Lehtësohen nga tarifa e pastrimit në masën 50%, bizneset e krijuara nga gra kryefamiljare, që kanë tre ose më shumë fëmijë, vetëm pas dorëzimit të certifikatës familjare si dhe ekstraktit historik të regjistrit tregtar për të dhënat e subjektit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore.
- Përjashtohen nga tarifa e pastrimit shoqatat e themeluara nga pensionistë ose persona me aftësi të kufizuara. Për të përfituar nga ky përjashtim përfaqësuesi juridik i shoqatës depoziton pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, vendimin e gjykatës nëpërmjet së cilit është regjistruar shoqata dhe dokumentin shoqërues që vërteton statusin e pensionistit apo të personit me aftësi të kufizuara sipas rastit.
- Për ndërtime të cilat destinohen për qëllime publike dhe pronësia e objekteve të ndërtuara do të jetë shtetërore, taksa e ndikimit në infrastrukturë është 2 (dy) për qind e vlerës së investimit