Sezoni i verës 2025 ka sjellë një panoramë interesante të lëvizjeve tregtare të Shqipërisë, ku kapitujt e importeve tregojnë ritme të papritura dhe shpesh të lidhura drejtpërdrejt me flukset turistike e dinamikat e konsumit të brendshëm. Në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, disa kategori kanë shënuar rritje marramendëse si në sasi ashtu edhe në vlerë, duke reflektuar jo vetëm nevojat e tregut, por edhe transformimin e ekonomisë gjatë muajve të verës. “Scan Intel” ka marrë në analizë ndryshimin vjetor të kapitujve kryesorë, për periudhën Qershor-Gusht 2025, në peshë dhe në vlerë.
Në krye të listës qëndrojnë “gëzofët”, me një rritje prej 592.6% në peshë dhe mbi 605% në vlerë. Kjo shifër e pazakontë për një sezon veror lidhet jo vetëm me tendencat e modës dhe industrisë së tekstileve, por edhe me përgatitjen e tregut për periudhën e ardhshme të ftohtë. Në të njëjtën kohë, prurjet e larta të turistëve kanë nxitur importin e produkteve të reja dhe materialeve që përdoren në sektorin e shërbimeve, hotele dhe resorte, të cilat shpesh kërkojnë standarde dhe dekorime që nuk prodhohen në tregun vendas.
Një tjetër grup mallrash që bie në sy janë lokomotivat, vagonat dhe pjesët e tyre, të cilat kanë shënuar rritje me 325.8% në peshë dhe 84.1% në vlerë. Ky është një tregues i qartë i përpjekjeve për të përmirësuar infrastrukturën hekurudhore, një investim i cili lidhet drejtpërdrejt me strategjinë e zgjerimit të turizmit dhe lehtësimin e transportit.
Edhe importet e perlave natyrale, gurëve të çmuar, bizhuterive dhe monedhave janë rritur me 244% në peshë. Kjo reflekton konsumin e brendshëm dhe rritjen e kërkesës për artikuj luksi, e cila shpesh ndikohet nga turistët me fuqi blerëse më të lartë.
Gjithashtu, rritja e importeve të anijeve, varkave dhe strukturave lundruese, me 69.6% në peshë dhe 40.1% në vlerë, tregon qartë ndikimin e drejtpërdrejtë të turizmit detar, një sektor që po fiton gjithnjë e më shumë peshë në ekonominë kombëtare.
Një rritje të konsiderueshme në peshë kanë edhe prodhimet e kashtës, punimet në xunkth e në kallama, kapitull që lidhet drejtpërdrejt me kërkesat e turizmit.
Interesant është fakti se edhe mallrat e zakonshme si kafeja, çaji, erëzat, frutat dhe arrat e ngrënshme kanë pësuar rritje të qëndrueshme, të nxitura nga konsumi masiv në sektorin e shërbimeve dhe gastronomisë./Tv Scan