• Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Logo LIGJET E BIZNESIT


Fillimi Ekonomi

Nga tregtia, te pensionet e turizmi! Flet ambasadori italian në Tiranë: Ju presim në BE!

nga Fast News
5 hours më parë
në Ekonomi
0
Nga tregtia, te pensionet e turizmi! Flet ambasadori italian në Tiranë: Ju presim në BE!

Marco Alberti

152
SHPERNDAJ
1.9k
Klikime
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN

Bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Italisë pritet të rritet më tej këtë vit. Kjo nxitur edhe nga marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve, të konkretizuara së fundmi edhe me marrëveshjen e njohjes së ndërsjellë të pensioneve, që është bërë efektive nga 1 korriku.





Por cilat janë projektet e radhës, investitorët që pritet të vijnë, si e shohin ata Shqipërinë, por edhe  turistët italianë që na zgjedhin për të pushuar? Kemi realizuar një intervistë me ambasadorin e ri italian në Tiranë, zotin Marco Alberti.

 

Si do ta vlerësonit bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Italisë?

Jam i mendimit se marrëdhëniet ekonomike janë të shkëlqyera por që mund të përmirësohen. Mendoj se ka shumë mundësi rritjeje, shumë potencial ende për t’u shfrytëzuar, duke hedhur poshtë dy mendësi të pavërteta: e para sipas së cilës miqësia e vjetër midis dy Vendeve tona transformohet automatikisht në një përparësi biznesi dhe ekonomike. Kjo nuk është e vërtetë. Miqësia është themeli për të ndërtuar një zhvillim strategjik të marrëdhënieve tona ekonomike, por kjo nuk mjafton. Duhen krijuar partneritete, d.m.th, projekte të përbashkëta me objektiva të qartë dhe një vlerë të gjeneruar bashkërisht.

Mendësia e dytë e pavërtetë është ajo se në një Vend të vogël, si Shqipëria, duhet mbështetur ardhja e sipërmarrjeve të vogla ose të mesme. As kjo nuk është e vërtetë. Në një Vend të vogël duhen sjellë edhe sipërmarrje të mëdha, të afta të gjenerojnë punë, të krijojnë punë, të kenë një prani strategjike. Pra, veprimi ynë duhet të jetë i dyfishtë: duhet të mbështesim sipërmarrjet e vogla e të mesme në rrugëtimin e ndërkombëtarizimit të tyre dhe, në të njëjtën kohë, të sjellim në Shqipëri, brenda dy viteve të ardhshme, dy-tre sipërmarrje të mëdha, për të qenë të pranishëm në sektorët kyç, në atë të mbrojtjes, në atë shëndetësor, në atë energjetik, etj., tre apo katër, jo më shumë.

Nga pikëpamja tregtare, Italia vijon të jetë partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe për këtë jemi shumë të kënaqur. Synojmë të rrisim, brenda 4 viteve të ardhshëm, me rreth 20% vëllimin e shkëmbimeve tregtare. Fjala kyçe është diversifikim: diversifikim i sektorëve, i produkteve dhe i territoreve. Ka shumë zona në Shqipëri në të cilat mungon prania italiane për sa i përket veprimtarisë së import-eksportit dhe duam të punojmë pikërisht për këtë, për produkte të reja, teknologjikisht më të përparuara dhe, veçanërisht, në zona të ndryshme të Shqipërisë, jo vetëm në Tiranë.

Cilët janë sektorët, ku Italia po investon më shumë aktualisht në Shqipëri?

Sektori më me interes është, tradicionalisht, ai i prodhimit, si për shembull ai i tekstileve. Kjo është pikërisht sfida jonë. Duam të ndryshojmë këtë mendësi, dalëngadalë, bashkë me palën shqiptare, për të ngjallur interesin e sipërmarrjeve italiane dhe t’i sjellim të investojnë në Shqipëri në sektorë jo tradicionalë të pranisë italiane, në ata sektorë të cilët përmenda më parë: në sektorin e mbrojtjes, për shembull, me të gjithë teknologjinë e lidhur me këtë sektor, në sektorin e shëndetësisë, mjet thelbësor zhvillimi, në sektorin e energjisë, jo vetëm për sa i përket gjenerimit të energjisë elektrike por edhe duke punuar në infrastrukturën e transportit dhe shpërndarjes në tërësi.

Janë të shumta sipërmarrjet italiane të afta të vijnë në Shqipëri e të sjellin një vlerë të shtuar. Janë sigurisht edhe sektorët tradicionalë, por atje prania italiane është aq e gjerë sa e bën më pak të nevojshme mbështetjen institucionale.

A ka rritje të interesit për të investuar nga kompanitë italiane dhe në cilët sektorë?

Jam i mendimit se ka shumë interes, jemi ende në një fazë kurioziteti për Shqipërinë. Ky interes duhet të përkthehet në projekte. Ky është roli i institucioneve. Klima e biznesit në Shqipëri është shumë më e shëndetshme se ajo e dhjetë viteve më parë por ka ende vend për përmirësim.

Po punojmë pikërisht për këtë, sepse unë besoj se është një mënyrë më efikase se shumë të tjera për të tërhequr investime të huaja: të përmirësojmë disa situata për të ulur rrezikun e investimit, siç ndodh në çdo Vend tjetër. Jemi në një moment historik në të cilin sipërmarrjeve nuk u interesojnë vetëm mundësitë, të cilat janë të shumta në Shqipëri, por u interesojnë edhe faktorët e rrezikut. Sipërmarrjet dinë t’i gjejnë mundësitë.

Ambasada, pra, dhe institucionet e tjera italiane duhet të punojnë, bashkë me sipërmarrjet, për të zvogëluar faktorët e rrezikut të investimit, që mund të jenë financiarë por jo vetëm, edhe strukturorë, si në çdo Vend tjetër. Puna jonë është e drejtpërdrejtë por edhe jo e drejtpërdrejtë, e drejtpërdrejtë, me mbështetjen institucionale të ofruar nëpërmjet programeve të ndërtuar në Itali. P.sh. ka produkte SIMEST kushtuar mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla e të mesme për ndërkombëtarizimin e tyre, por edhe të tjerë.

Në mënyrë jo të drejtpërdrejtë Italia po e ndihmon Shqipërinë të ndërtojë një Bankë zhvillimi. Mjet ky shumë i dobishëm për të rritur mundësitë e investimit edhe nga aktorë të cilët do të ishin, në të kundërt, më pak të interesuar të investonin në Shqipëri. Interes ka, dhe është shumë i madh, dhe duhet ta përkthejmë këtë interes, duke ndihmuar sipërmarrjet, në projekte.

Reformat e parashikuara për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian janë një ndihmë e madhe përsa i përket zvogëlimit të rrezikut dhe përmirësimit të klimës së biznesit. Ka ende punë për të bërë por mendoj se rruga që kemi ndërmarrë është ajo e duhura.

Italianët janë ndër turistët kryesorë në Shqipëri. Si do ta vlerësonit turizmin në Shqipëri? Avantazhet dhe disavantazhet?

Është e vërtetë. Unë do të doja që italianët, përveçse turistë, të ishin edhe investitorë në sektorin e turizmit, që është diçka tjetër. Vitin e kaluar turistët italianë qenë më shumë se një milion dhe kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme, disa qytete si p.sh. Gjirokastra u vizitua nga më shumë se 140 mijë turistë italianë.

Është kjo një e dhënë shumë e rëndësishme. Shqipëria ka përvijuar një strategji të sajën mbi turizmin dhe rezultatet janë shumë të prekshme, mjaft pozitive, pikërisht përsa i përket zhvillimit me shpejtësi të turizmit. Tani duhet ruajtur niveli që është arritur. Të dhënat e fundit mbi numrin e turistëve të ardhur nga Italia, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, flasin për një tendencë të lehtë në rënie edhe për shkak të një rritjeje të çmimeve në Shqipëri.

Jam i mendimit se Shqipëria ka hyrë në fazën e konsolidimit të boom-it turistik që regjistroi në tre vitet e mëparshme. Dua këtu të bëj dy saktësime: burimi nuk është turizmi, burimi është territori. Turizmi është një mjet nëpërmjet të cilit të nxirren në pah vlerat e territorit tuaj të mrekullueshëm; në këtë mënyrë turizmi kthehet në mjet për nxjerrjen në pah të vlerave, jo vetëm të plazheve, por të të gjithë territorit të Shqipërisë.

Është gjithashtu e rëndësishme që një pjesë e fitimit të gjeneruar nga turizmi të investohet në territor në mënyrë që të përmirësohen më tej kushtet që ky mund t’i ofrojë turizmit. Ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe Italia mund të ndihmojë në këtë aspekt. Jemi shumë të lumtur që pak ditë më parë Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ishte në Itali në kuadër të Forumit të parë kushtuar turizmit në Vendet e Ballkanit.

Jemi shumë të kënaqur edhe sepse është regjistruar gjithashtu një rritje e numrit të turistëve shqiptarë në Itali, është shënuar një rritje prej 9% në vitin 2025. Jemi pra shumë të lumtur dhe mbështesim këtë mjet zhvillimi.

Shqipëria dhe Italia bën njohjen e pensioneve, që hyri në fuqi nga 1 korriku dhe që është një  një zhvillim shumë pozitiv. A ka nisma të tjera të rëndësishme në drejtim të bashkëpunimit me sdy vendeve?

Po, marrëveshja mbi sigurimet shoqërore ishte absolutisht një detyrim. Qe një proces shumë i gjatë i cili përfundimisht u realizua. Një sukses i madh për të cilin nuk dua të marr meritat sepse për të punuan të tjerë para meje, të cilët i falënderoj shumë.

Më shumë se 500 mijë shqiptarë dhe rreth 5 mijë italianë do të mund të gëzojnë më në fund këtë të drejtë dhe pikërisht pak ditë më parë u zhvillua një mision teknik i INPS, Institutit italian i cili ka punuar me palën shqiptare për të përmbyllur procedurat përfundimtare të nevojshme që kjo e drejtë të ushtrohet. Jemi vërtet shumë të lumtur.

Do të ketë gjithashtu nisma të shumta të rëndësishme: në vjeshtën e ardhshme parashikohet të mbahet, në Romë, Takimi i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri. Do të jetë një moment përcaktimi i marrëdhënies Itali-Shqipërisë në sektorët kryesorë. Takimi do të jetë një platformë mbi të cilën të ngrihet bashkëpunimi strategjik midis Vendeve tona në 3-4 vitet e ardhshme, në kuadër të hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Jam shumë i lumtur që Italia do të marrë Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian në gjashtëmujorin e parë të vitit 2028 d.m.th. kur do të jenë, shpresojmë, përmbyllur negociatat teknike dhe do të nisin ato politike për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. E presim, ju presim!

Këtë periudhë të qëndrimit në Shqipëri, a keni pasur mundësi ta vizitoni?

Po, jam i mendimit se është shumë e rëndësishme të udhëtosh nëpër një Vend. Ambasadori e përfaqëson Vendin e tij në të gjithë Vendin në të cilin është emëruar, jo vetëm në kryeqytetin e tij. Sa herë mundem, mundohem të njoh pjesë të Shqipërisë.

Kam qenë jo pak herë në Jug, në Butrint kemi organizuar një koncert të mrekullueshëm të Ermal Metës, në sitin arkeologjik. Kam qenë në Ksamil, në Sarandë. Kam njohur Vlorën, kam qenë disa herë në Berat, në Përmet. Vende të mrekullueshme, të pasura me gjurmë Italie për sa i përket arkitekturës, zakoneve, traditave.

Berati është një ndër qytetet që më ka pëlqyer më shumë. Kam qenë në Pogradec dhe, duke u ngjitur në Veri, në Shkodër, disa herë në Durrës dhe, vetëm pak ditë më parë, përshkova në këmbë, në mal, rrugën Valbonë-Theth, vërtet shumë e bukur. Malin e dua shumë dhe këtu malet janë të mrekullueshme. Vendi duhet jetuar, unë nuk dua të humbas asnjë sekondë të kohës sime të kaluar në Shqipëri.

Cilat janë gjërat që ju kanë pëlqyer më shumë dhe ato që nuk ju kanë pëlqyer?

Ajo çka më bën më shumë përshtypje në këtë Vend është energjia. Energji që shqiptarët e kanë përbrenda e që, ndonjëherë, nuk munden ta shprehin por që kur del në pah, të përfshin të tërin. Energjia, entuziazmi, dëshira për të vepruar, kreativiteti, vlera këto tek të cilat gjej edhe popullin tim, italianët.

Ndoshta edhe për këtë më bën shumë përshtypje, për ngjashmërinë që gjej në kodin njerëzor, në personalitetin e njerëzve. Nëse duhet të citoj gjënë më pak të bukur, ndoshta mënyra si disa drejtojnë automjetin. Trafiku shpreh mënyrën sesi dikush ndihet pjesë e një komuniteti, komuniteti ka rregulla që duhen respektuar e të cilat bëjnë të mundur bashkëjetesën. Në makinë disa shqiptarë janë nervozë. Populli juaj është i jashtëzakonshëm, me cilësi të shumta, por disa shqiptarë, kur hipin në makinë, transformohen disi!

Etiketa: aktualitet
Pas

Fuqizimi i Bordeve dhe Investitorëve: Përparësia Strategjike e Turizmit Rigjenerues

Para

Arratisja nuk të shpëton më, kush abuzon me fondet e BE do dënohet me deri në 7 vjet burg

Para
Arratisja nuk të shpëton më, kush abuzon me fondet e BE do dënohet me deri në 7 vjet burg

Arratisja nuk të shpëton më, kush abuzon me fondet e BE do dënohet me deri në 7 vjet burg

Të Gjitha

Kur arti tejkalon kufijtë: nga Tirana në Bari e Podgoricë – një diplomë, tre shtete, një qëllim i përbashkët

Kur arti tejkalon kufijtë: nga Tirana në Bari e Podgoricë – një diplomë, tre shtete, një qëllim i përbashkët

nga Fast News
14:23 | 02/08/2025
0

Po ndërtohet rruga e Dukagjinit, Rama: Kompletohet rrjeti i Alpeve

Po ndërtohet rruga e Dukagjinit, Rama: Kompletohet rrjeti i Alpeve

nga Fast News
13:02 | 02/08/2025
0

1 gushti, afati i “luftës së tarifave”, rezultatet dhe reagime

1 gushti, afati i “luftës së tarifave”, rezultatet dhe reagime

nga Fast News
12:58 | 02/08/2025
0

Rrebeshe dhe dy valë nxehtësie, ja sesi do të jetë moti në gusht

Rrebeshe dhe dy valë nxehtësie, ja sesi do të jetë moti në gusht

nga Fast News
10:00 | 02/08/2025
0

Recent News

Kur arti tejkalon kufijtë: nga Tirana në Bari e Podgoricë – një diplomë, tre shtete, një qëllim i përbashkët

Kur arti tejkalon kufijtë: nga Tirana në Bari e Podgoricë – një diplomë, tre shtete, një qëllim i përbashkët

14:23 | 02/08/2025
Po ndërtohet rruga e Dukagjinit, Rama: Kompletohet rrjeti i Alpeve

Po ndërtohet rruga e Dukagjinit, Rama: Kompletohet rrjeti i Alpeve

13:02 | 02/08/2025

Categories

  • Aktualitet
  • Analizë
  • Barazia Gjinore
  • Biznes
  • Bota
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
  • Ekonomi
  • Finance
  • Lifestyle
  • LIGJET e BIZNESIT
  • Të gjitha
  • Teknologji
  • Uncategorized

Rreth nesh

Fast News Economy është portali dedikuar ekonomisë, që informon mbi zhvillimet e fundit nga vendi dhe bota. Lajme të shpejta, analiza, opinione, gjithcka që doni dhe duhet të dini nga ekonomia i gjeni këtu.
Fast News Economy portali i lajmit të shpejtë!
Fast News Economy

Mbështetur nga

Ky website mirëmbahet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e „Fast News Economy by Aurora Sulce“ dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar