Nga qendra studimore e taksave, Altax
Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Shqipëri arritën një rekord prej 1.58 miliardë eurosh në vitin 2024, duke konfirmuar një trend rritës dhe të qëndrueshëm që ka vijuar përgjatë gjithë periudhës 2021–2024. Kjo rritje nuk ka qenë thjesht e rastësishme apo pasojë e rikuperimit pas pandemisë, por një reflektim i drejtpërdrejtë i një klime politike më të qëndrueshme, i një rritjeje të perceptimit të sigurisë juridike dhe i një pozicionimi më të besueshëm të Shqipërisë në kontekstin rajonal dhe ndërkombëtar.
Kombinimi i këtyre faktorëve ka krijuar një ambient më të favorshëm për kapitalin e huaj, duke e bërë vendin më tërheqës në raport me të kaluarën, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, analiza e strukturës së këtyre investimeve zbulon një problem thelbësor.
Orientimi i tyre nuk përputhet me prioritetet strategjike të zhvillimit afatgjatë të ekonomisë shqiptare. Rreth 25% e IHD-ve janë kanalizuar në sektorin e pasurive të paluajtshme, veçanërisht në ndërtimin rezidencial dhe turistik.
Ky përqendrim reflekton më shumë një logjikë spekulative të ruajtjes së kapitalit, sesa një përpjekje për të krijuar kapacitete të reja prodhuese ose teknologjike. Investimi në real estate, ndonëse gjeneron aktivitet ekonomik të konsiderueshëm në afatshkurtër, mbetet i kufizuar në përhapjen gjeografike dhe në ndikimin afatgjatë mbi produktin e brendshëm bruto potencial.
Një pjesë tjetër e investimeve është e drejtuar në sektorë si energjetika dhe sistemi bankar, të cilët kanë rëndësi për stabilitetin makroekonomik, por që në shumicën e rasteve përfaqësojnë riinvestime të kapitalit ekzistues apo përqendrime në aktivitete të konsoliduara, pa sjellë zgjerim të ndjeshëm në kapacitete teknike, prodhuese apo punësuese.
Në këtë kuptim, IHD-të janë më shumë në funksion të optimizimit të fitimeve dhe qarkullimit të kapitalit, sesa të krijimit të zinxhirëve të rinj ekonomikë brenda vendit. Ky model investimesh, megjithëse ka sjellë rritje të përgjithshme të të ardhurave në disa sektorë, ka një ndikim të kufizuar në rritjen e produktivitetit të faktorëve të prodhimit, në transferimin e teknologjisë dhe në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Kjo situatë nuk ndihmon në thyerjen e modelit aktual ekonomik, që mbështetet ende fort në konsumin e brendshëm, remitancat dhe importet dhe nuk e orienton vendin drejt një ekonomie të bazuar në prodhim dhe inovacion. Mungesa e integrimit në zinxhirët ndërkombëtarë të vlerës lë Shqipërinë në një pozicion të brishtë, ku ekonomia varet nga faktorë të jashtëm dhe ku përthithja e vlerës së shtuar mbetet minimale.
Për sa i përket ndikimit në mirëqenien e qytetarëve, rritja e investimeve ka ndikuar pozitivisht kryesisht në sektorin e ndërtimit, si dhe në disa forma të punësimit sezonal, veçanërisht në fushën e turizmit dhe shërbimeve të lidhura me të.
Kjo ka sjellë rritje të të ardhurave në zona të urbanizuara dhe bregdetare, ku projekti turistik dhe ndërtimi kanë qenë më të përqendruar. Por këto efekte pozitive janë të përkohshme dhe gjeografikisht të pabarabarta, duke mos u reflektuar në mënyrë proporcionale në zonat e brendshme dhe rurale të vendit.
Më tej, mungesa e investimeve në sektorë me intensitet të lartë pune dhe potencial transformues, si bujqësia e përpunuar, teknologjia dixhitale dhe prodhimi industrial ka kufizuar përhapjen e efekteve zhvillimore në popullatën me të ardhura të ulëta.
Këto sektorë mbeten jashtë vëmendjes së kapitalit të huaj, ndonëse mund të jenë burim i stabilitetit afatgjatë, uljes së papunësisë, dhe rritjes së produktivitetit kombëtar. Si rrjedhojë, edhe pse ekonomia shqiptare shënon rritje nominale, dhe përfiton në perceptim ndërkombëtar, zhvillimi i saj mbetet i paqëndrueshëm dhe i pabarabartë.
Struktura e rritjes nuk përkthehet në forcim të bazës prodhuese, përhapje të teknologjisë apo rritje të qëndrueshme të kapaciteteve të punësimit me vlerë të lartë. Kapitali njerëzor nuk shfrytëzohet në mënyrë optimale, ndërkohë që emigrimi vazhdon të jetë rruga më e zakonshme për qytetarët që kërkojnë rritje të të ardhurave, jo brenda, por jashtë vendit.
Në këtë sfond, sfida kryesore për Shqipërinë mbetet jo të tërheqë më shumë investime, por të kanalizojë kapitalin drejt sektorëve që prodhojnë vlerë të qëndrueshme, stimulojnë inovacionin dhe krijojnë vende pune cilësore në të gjithë territorin kombëtar. Vetëm në këtë mënyrë, investimi i huaj mund të kthehet në një instrument transformues, jo thjesht financiar.