Nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Teksa qeveria ka premtuar integrimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, cka duhet të shoqërohet me një ekonomi të formalizuar, të dhënat tregojnë se po ndodh e kundërta. Sasia e parasë që qarkullon jashtë kontrollit të bankave dhe që është pjesë e ekonomisë informale ka shënuar këtë vit një tjetër rekord.
Në 5 muajt e parë të këtij viti, rezulton se paraja cash në ekonominë tonë arriti në 4.3 miliardë euro, me rritje nga fundi I vitit 2024 kur ku tregues ishte 4.2 miliardë. Ndërkohë që në vitin 2023, paraja jashtë bankave përllogaritej në 3.9 miliardë euro.
Por cilët janë burimet që kanë rritur sasinë e parasë cash në ekonomi?
E para, është ekonomia informale, ku përfshihen aktivitetet pa faturë, punësimi pa kontratë e aktivitete të tjera të ngjashme. Pason paraja që rrjedh nga evazioni fiskal e korrupsioni; paraja e aktiviteve të paligjshme, si dhe dërgesat në dorë të llojeve të ndryshme, ku futen edhe një pjesë e të ardhurave nga emigrantët.
Por cilat janë efektet në ekonomi të qarkullimit të një niveli të tillë të parasë cash?
Efektet janë kryesisht negative dhe pjesërisht edhe pozitive. Disantazhet lidhen me rritjen e informalitetit; dëmtimin e disiplinës fiskale; frenimin e depërtimit të bankave; nxitjen e pastrimit të parave, si dhe rritjen e kostos për ekonominë. Ndërkohë që tek efektet pozitive përfshihen financimi i një pjese të ekonomisë; duke ndikuar kështu në rritjen e konsumit, si dhe në amortizimin e krizave në afatshkurtër.
Por si paraqitet Shqipëria kundrejt Bashkimit Europian drejt të cilit synon të integrohet përsa i përket treguesit të parasë jashtë bankave?
Të dhënat tregojnë se parja cash në vendin tonë përbën 23.6% të totalit të parasë në qarkullim përkundrejt 9% që është në vendet e BE-së.