Nga Dr. Migen Sulaj, MSc. Alerda Cani
Dy studime kombëtare të realizuara gjatë vitit 2025 kanë zbuluar për herë të parë të dhëna të strukturuara dhe kritike mbi përgatitjen e profesionistëve në përfshirjen dhe mbështetjen e fëmijëve me çrregullime të spektrit të autizmit (ÇSA) në Shqipëri. Me një kampion të përgjithshëm prej 736 pjesëmarrësish, këto kërkime kanë evidentuar boshllëqe të mëdha në trajnimin praktik dhe mungesën e qasjeve të strukturuara për aftësitë sociale në autizëm – një thirrje e qartë për veprim institucional dhe politik.
Cfarë tregojnë të dhënat?
Në studimin e parë , 84.3% e mësuesve mbështetës pohuan se kanë përvojë direkte me fëmijë me autizëm, por vetëm 48.4% kanë marrë trajnim të specializuar. Ndërkohë, 92.2% shprehën nevojë të qartë për formim të mëtejshëm në fusha thelbësore si komunikimi, menaxhimi i sjelljes dhe përdorimi i metodologjive të mbështetura në prova, si Analiza e Sjelljes së Aplikuar (ABA). 89.7% e vlerësuan rolin e mësuesit mbështetës si kyç për përfshirjen efektive të fëmijëve me autizëm, por theksuan edhe mungesën e qartësisë në përshkrimin e rolit të tyre dhe nevojën për mbështetje institucionale të vazhduar.
Nga ana tjetër, studimi i dytë nxori në pah një kontrast domethënës: 97.1% e pjesëmarrësve deklaruan se kanë njohuri mbi çrregullimet neurozhvillimore, dhe 93.8% pranuan rëndësinë jetike të aftësive sociale për fëmijët me autizëm. Megjithatë, vetëm 32.8% njihnin ndonjë iniciativë konkrete vendore në këtë fushë, ndërsa 81% i konsideronin aftësitë sociale të vështira për t’u mësuar. Më shumë se 82.5% shprehën interes për trajnime dhe ndërhyrje të strukturuara në këtë drejtim.
Këto gjetje evidentojnë një kontradiktë të dukshme: ndonëse pjesëmarrësit, si mësues mbështetës ashtu edhe profesionistë të tjerë, raportojnë njohuri të përgjithshme mbi autizmin dhe vlerësojnë rëndësinë e aftësive sociale, ata pranojnë mungesën e përgatitjes praktike, njohjes së modeleve konkrete dhe qasjeve të strukturuara për zhvillimin e këtyre aftësive.
Çfarë tregojnë të dhënat?
Studimi i parë:
- 281 mësues mbështetës në të gjithë Shqipërinë u anketuan me pyetësor të strukturuar dhe intervista.
- 84.3% kishin përvojë me fëmijë me autizëm
- Vetëm 48.4% kishin marrë ndonjë trajnim të specializuar
- 92.2% kërkojnë formim shtesë në metoda të bazuara në prova, si ABA (Analiza e Sjelljes së Aplikuar)
- 89.7% e konsiderojnë veten vendimtarë për përfshirjen efektive të fëmijëve me autizëm
Studimi i dytë:
- 455 pjesëmarrës (prindër, mësues, psikologë, logopedë, studentë) u përfshinë në një pyetësor me 16 pohime.
- 97.1% deklaruan njohuri mbi autizmin
- 93.8% theksuan rëndësinë e aftësive sociale
- Por vetëm 32.8% njihnin ndonjë praktikë vendore
- 81% i konsiderojnë aftësitë sociale të vështira për t’u mësuar
- 82.5% shfaqën interes të lartë për trajnime dhe programe mbështetëse
Kontradikta kritike: Njohuri teorike, mungesë përgatitjeje praktike
Megjithëse shumica e pjesëmarrësve në të dy sondazhet raportojnë se kanë njohuri mbi çrregullimet neurozhvillimore dhe rëndësinë e aftësive sociale, gjetjet tregojnë qartë se ata nuk janë të pajisur me aftësi praktike, trajnime cilësore apo modele të strukturuara për punën me këta fëmijë.
Kjo tregon një kontradiktë kritike midis perceptimit të njohurisë dhe realitetit të mungesës së përgatitjes në terren. Roli i mësuesit mbështetës dhe i profesionistëve të tjerë është vendimtar për përfshirjen dhe zhvillimin e fëmijëve me autizëm – por ata kanë nevojë për mjete dhe metoda konkrete për të ndërtuar aftësitë sociale dhe për të menaxhuar sjelljet sfiduese në mjediset shkollore dhe familjare.
Rekomandime kryesore nga të dy studimet:
- Zhvillimi i Programeve Kombëtare të Trajnimit për Mësuesit Mbështetës:
- Hartimi i një kurrikule trajnimi të standardizuar dhe të akredituar për mësuesit mbështetës, me fokus në autizëm, komunikimin, ndërhyrjet e bazuara në prova si ABA, dhe qasjen ndërdisiplinare.
- Trajnime të vazhdueshme (jo vetëm në hyrje) për të përditësuar njohuritë dhe aftësitë praktike.
- Fuqizimi i Rolit të Mësuesit Mbështetës përmes Politikave të Qarta:
- Rishikimi dhe përmirësimi i kuadrit ligjor dhe institucional që përcakton qartë rolin, përgjegjësitë dhe mbështetjen për mësuesit ndihmës.
- Krijimi i udhëzuesve praktikë për punën e përditshme të tyre në klasa gjithëpërfshirëse.
- Promovimi i Ndërhyrjeve për Aftësitë Sociale të Bazuar në Prova:
- Zhvillimi dhe zbatimi i modeleve konkrete ndërhyrjeje për zhvillimin e aftësive sociale të fëmijëve me autizëm në shkolla dhe qendra zhvillimi.
- Trajnim i mësuesve, prindërve dhe profesionistëve të tjerë për të përdorur strategji praktike, vizuale dhe modeluese për të përforcuar ndërveprimin social.
- Rritja e Bashkëpunimit Ndërinstitucional dhe Mbështetja në Ekip:
- Forcimi i komunikimit dhe bashkëpunimit mes mësuesve, prindërve, psikologëve, logopedëve dhe institucioneve për të ndërtuar plane të personalizuara ndërhyrjeje.
- Krijimi i ekipeve mbështetëse në nivel shkolle dhe rajonal me funksion monitorimi dhe trajnimi.
- Zhvillimi i Fushatave Sensibilizuese dhe Informuese:
- Rritja e ndërgjegjësimit publik për autizmin dhe rëndësinë e ndërhyrjeve në aftësitë sociale përmes mediave, aktiviteteve komunitare dhe platformave arsimore.
- Shpërndarja e materialeve informuese mbi strategjitë e përfshirjes dhe komunikimit me fëmijët me ÇSA.
Përfundim
Të dy studimet hedhin dritë mbi boshllëqet kritike midis perceptimit të njohurisë dhe përgatitjes së vërtetë profesionale për të punuar me fëmijët me autizëm në Shqipëri. Ato sjellin një bazë të qëndrueshme shkencore dhe praktike mbi të cilën mund të ndërtohen politika dhe struktura të reja për një arsim gjithëpërfshirës dhe të efektshëm. Një qasje e unifikuar, me trajnime të rregullta, mbështetje sistematike, dhe praktika të bazuara në prova, është thelbësore për përmirësimin e mirëqenies dhe përfshirjes së fëmijëve me Çrregullime Neurozhvillimore / Autizëm.
Thirrje për veprim
Të dhënat janë një sinjal i qartë për Ministrinë e Arsimit, institucionet arsimore, qendrat zhvillimore dhe shoqërinë shqiptare. Është koha për të kaluar nga njohuritë teorike në ndërhyrje konkrete, trajnime praktike dhe mbështetje reale për fëmijët me autizëm dhe profesionistët që i mbështesin.