Rritja e stafit shpesh shihet si mënyra e vetme për të përballuar ngarkesën e punës, por Kartik Ahuja, themelues i një agjencie marketingu, provoi të kundërtën: automatizimi mund të zëvendësojë nevojën për punësime të reja dhe ta bëjë biznesin më të shpejtë, më të saktë dhe më të qëndrueshëm.
“Do të punësoja 3 persona të rinj. Zgjodha të automatizoj.”
Agjencia e Kartikut po përballej me një fluks të lartë pune, ndjekje klientësh, mbështetje teknike, raportime financiare dhe komunikim të vazhdueshëm. Zgjidhja klasike do të ishte punësimi i më shumë njerëzve, por kjo do të rriste ndjeshëm kostot dhe do të krijonte sfida të reja menaxhimi.
Zgjidhja e tij? Automatizimi. Brenda pak muajsh, ai arriti të zëvendësojë 50% të detyrave të përditshme të biznesit me sisteme inteligjente dhe mjete dixhitale. Ja si e bëri.
5 probleme të mëdha, 5 zgjidhje të zgjuara
Gjenerimi i klientëve potencialë
Më parë, Kartiku kalonte orë të tëra duke kërkuar klientë të rinj. Tani, me LinkedIn Sales Navigator dhe Apollo.io, ai arrin të targetojë saktë kompani sipas industrisë. Me verifikimin automatik të email-eve dhe kërkimet inteligjente, gjeti klientët idealë më shpejt dhe pa humbur kohë. Rezultati? Rritje mesatare prej 17% në normat e fitimit të klientëve.
Mbështetja për klientët
Pyetje të njëjta, përgjigje të njëjta. Tani jo më. Me një chatbot të integruar në HubSpot, kompania jep përgjigje automatike dhe personalizuara 24/7. Kjo ul ngarkesën e stafit me 40% dhe përmirëson kohën e reagimit në mënyrë drastike.
Menaxhimi financiar
Faturat dhe raportimet financiare manuale shkaktonin gabime dhe vonesa. Zgjidhja ishte QuickBooks Online, e cila u lidh me bankat dhe portat e pagesave. Me ndihmën e Fathom, analizat financiare tashmë janë automatike, të sakta dhe 75% më të shpejta.
Onboarding dhe komunikimi me klientët
Çdo klient i ri kërkonte ndjekje të personalizuar. Me HubSpot, u krijuan procese të automatizuara për kontrata, e-mail-e të personalizuara dhe mbledhje dokumentesh. Tani klientët orientohen lehtësisht, dhe kompania kurseu 20% të kohës në këtë proces.
Lexo gjithashtu: Rreziku i ri në rekrutim, kandidatë të sajuar nga AI po pushtojnë intervistat
Takimet dhe ndjekjet pas tyre
Koordinimi për takime nëpër zona të ndryshme kohore ishte sfidues. Me Calendly dhe HubSpot, çdo takim planifikohet automatikisht, dhe ndjekja pas tij gjithashtu. Rritje e efikasitetit? Deri në 90%.
Rezultati… më shumë kohë për të menduar, më pak për të përsëritur
Duke automatizuar proceset më të lodhshme, Kartiku dhe ekipi i tij jo vetëm që fituan kohë, por edhe përmirësuan cilësinë e punës dhe kënaqësinë e klientëve, pa shtuar asnjë punonjës të ri.
Si ta bësh automatizimin të funksionojë për ty?
Çfarë duhet të bësh:
-Filloni me një proces të vetëm, matni ndikimin përpara se ta zgjeroni.
-Trajnoni ekipin për çdo mjet të ri që përdorni.
-Monitoroni vazhdimisht dhe përmirësoni proceset e automatizuara.
Çfarë të shmangni:
-Mos mbingarkoni sistemin me shumë mjete në të njëjtën kohë.
-Sigurohuni që mjetet të jenë të sigurta dhe të përputhshme me rregulloret për privatësinë./ Entrepreneur