Dy muaj më parë, kur Tim Cook njoftonte në Cupertino rezultatet tremujore dhe numrin rekord të pajisjeve aktive, nuk mund ta imagjinonte që presidenti Trump kishte ndër mend të vendoste një tarifë prej 25% mbi çdo iPhone të importuar dhe të prodhuar jashtë SHBA-ve.
Lajmi për tarifat u përhap në një moment jo të favorshëm për aksionin e Apple. Nga të ashtuquajturat “shtatë yjet e Wall Street”, Apple është performuesi më i dobët për vitin 2025, me një rënie prej 26% që nga fillimi i vitit – pra, ka humbur një të katërtën e kapitalizimit të saj, që aktualisht është nën 3 mijë miliardë dollarë.
Microsoft dhe Nvidia, dy kolosët e tjerë të bursës që vlejnë përkatësisht 3.4 dhe 3.3 trilionë dollarë, kanë pësuar humbje më të lehta: 3% për Microsoft dhe 12% për Nvidia. Edhe Tesla, pavarësisht polemikave që rrethojnë Elon Musk, ka rënë vetëm 18%, në linjë me Alphabet dhe Amazon. Ndërkohë, indeksi Nasdaq 100 – që përfshin kompanitë më të mëdha jo-financiare të Nasdaq-ut – është rritur me 2% gjatë së njëjtës periudhë.
Njoftimi për tarifat ndaj iPhone-ve të premten e kaluar ndikoi në rënien e aksioneve të Apple me 3%, por kjo rënie ishte më e lehtë krahasuar me fillimin e prillit, kur u shpallën për herë të parë përmasat e këtyre tarifave: atëherë, Apple humbi 300 miliardë dollarë në kapitalizim.
Analistët optimistë
Pavarësisht rënies, analistët vazhdojnë ta rekomandojnë Apple për blerje. Sipas J.P. Morgan, edhe pse aksioni aktualisht kuotohet rreth 180 dollarë, vlera e tij reale duhet të jetë rreth 240 dollarë. Prandaj këshillojnë klientët të rrisin peshën e tij në portofol (Overweight).
Edhe Goldman Sachs rekomandon blerjen e aksionit, duke parashikuar një çmim minimal prej 250 dollarësh për aksion. J.P. Morgan argumenton se tarifat nuk do të ndikojnë shumë tek Apple për dy arsye:
- Tarifimi do të aplikohet për të gjithë smartfonët, jo vetëm për iPhonet – çka i jep avantazh Apple që gjithmonë ka pasur çmimet më të larta në treg.
-
Apple ka aftësinë ta transferojë koston e tarifave te konsumatori. Një tarifë 25% do të sillte një rritje çmimi prej vetëm 5%, ose rreth 50 dollarë për një iPhone – një shifër e përputhshme me rritjet që Apple ka aplikuar më parë.
Goldman Sachs thekson qëndrueshmërinë e Apple, kapacitetin e saj inovativ dhe rritjen e sektorit të shërbimeve, që kompensojnë: rënien e kërkesës për iPhone, rënien e shitjeve të tabletëve dhe kompjuterëve.
Çfarë tregojnë shifrat?
Në tre muajt e përfunduar në mars, Apple regjistroi një të ardhur prej 95.4 miliardë dollarësh, me rritje 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tim Cook theksoi se sektori i shërbimeve kishte pësuar rritje dyshifrore. Megjithëse të ardhurat nga iPhonet, Mac, iPad dhe aksesorët ishin më të mëdha në total (68.7 miliardë) krahasuar me ato nga shërbimet (26.6 miliardë), këto të fundit janë rritur më shumë: 11.6% kundrejt 2.7% të produkteve. Apple po orienton zhvillimin pikërisht drejt këtij sektori më fitimprurës.
Pesha e iPhone-ve
Në totalin e të ardhurave për këtë tremujor, iPhonet përbëjnë 46.8 miliardë dollarë – rreth 50% të të ardhurave. Pas tyre vijnë: Shërbimet – 26.6 miliardë; Mac – 7.9 miliardë; Aksesorët – 7.5 miliardë; iPad – 6.4 miliardë.
Me gjithë këto rezultate pozitive, pas shpalljes së tarifave dhe pasigurisë së tregut, konsensusi për fitimet e Apple për 2026, sipas Bloomberg, ka rënë me 5.1%. Parashikimet për të ardhurat janë gjithashtu ulur me 3.9%.
Warren Buffett shkon kundër rrymës
Në kontrast me bankat e investimeve, Warren Buffett ka vendosur të shesë aksionet e Apple. Në takimin vjetor me investitorët, ai lavdëroi Tim Cook: “Jam pak i turpëruar të them që Tim Cook i ka sjellë Berkshire më shumë para se unë vetë ndonjëherë”.
Këto përfitime i ka realizuar duke shitur aksione. Gjatë vitit 2024, Buffett e ka përgjysmuar ekspozimin ndaj Apple, i cili në fund të 2023 përbënte më shumë se gjysmën e portofolit të Berkshire, që kishte një vlerë prej 350 miliardë dollarësh.
Buffett investoi për herë të parë në Apple në 2016, megjithëse më parë shmangte teknologjinë. Por u tërhoq nga mënyra sesi Apple lidh klientët pas vetes dhe rrit vlerën e produkteve.
Ai i ktheu aksionet në para cash, duke përfituar nga rritja e normave të interesit dhe kthimi i Trump. Që nga 2024, portofoli i Berkshire ka arritur mbi 300 miliardë dollarë në para dhe obligacione shtetërore amerikane – rreth 30% e totalit të aseteve të saj.
Disa investitorë besojnë se Buffett ka shitur sepse çmimi i aksioneve të Apple është bërë i tepruar në krahasim me fitimet që pritet të gjenerojë. Kur Berkshire filloi të blinte, aksioni vlente 12–13 herë më shumë se fitimet e pritshme; tani është gati 30 herë më i shtrenjtë, por me perspektiva më të ulëta rritjeje. A do të kenë të drejtë bankat që rekomandojnë blerjen, apo Warren Buffett që ka shitur? Kjo do të zbulohet nën pemën e Vitit të Ri, më 31 dhjetor.