Në një fundjavë të ngrohtë maji, si ajo e datës 2-4 maj, dy janë alternativat: ose do të ndjekësh rrezet e diellit, ose pasionin për algoritmet. Për 400 të rinjtë që ndriçuan Piramidën deri në 4 të mëngjesit, zgjidhja ishte e lehtë. Për ta teknologjia dhe inovacioni nuk janë thjesht adrenalinë, janë një thirrje e brendshme. Kjo thirrje u harmonizua në një hackathon energjik 48-orësh në zemër të kryeqytetit, JunctionX Tirana.
JunctionX Tirana 2025 nuk ishte vetëm një mundësi për të gjithë adhuruesit e teknologjisë, por një magnet për pasionin dhe ambicien e programuesve dhe koduesve, talenteve më të mira të teknologjisë nga Shqipëria, Ballkani dhe më gjerë. Energjisë së qindra të rinjve të mbledhur nga një pasion kolektiv iu bashkua edhe One Albania.
Përveç vlerës monetare, One Albania kontribuoi në edicionin e tretë të JunctionX Tirana si një partner në kuriozitet. Këtë vit, One Albania ‘sfidoi’ pjesëmarrësit e rinj për të krijuar një panel digjtal për klientët e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme — i projektuar për të ndihmuar bizneset të menaxhojnë infrastrukturën e tyre të telekomunikacionit dhe të kryejnë të gjitha shërbimet në një platformë të vetme.
Ky nuk ishte vetëm një testim për aftësitë e tyre të kodimit — ishte një provë e të menduarit kritik. Si do të dukej një platformë që do të përmbledhte gjithë shërbimet në kohë reale? Përgjigja erdhi nga ekipi fitues 2-Bit. Projekti i tyre u përzgjodh pasi ra në sy për ndërfaqen e shpejtë dhe të sigurt, që i jepte menaxherëve të SME-ve mundësinë për të kontrolluar shërbimet, për të optimizuar kostot dhe për të vepruar shpejt. Thjeshtësi, siguri dhe strategji – të gjitha në një panel të vetëm.
Drejtoresha e Grupit të Teknologjisë së Informacionit, Sonila Profili i ftoi 400 pjesëmarrësit e hackathonit që të vlerësonin dhe të merrnin seriozisht këtë përvojë, jo vëtëm për çmimet, por për faktin që po ndërtonin diçka të vlefshme, prototipe që mund të zgjidhnin probleme të botës reale.
“Shpesh harrojmë se progresi nuk ndodh vetëm diku tjetër. Ndodh këtu. Në Shqipëri. Në Tiranë. Dhe këtë fundjavë, erdhi nga brenda Piramidës. Inovacioni nuk jeton në departamente, nuk jeton në pajisjet më të sofistikuara, të fundit në treg, ai buron nga njerëzit. Nuk vjen nga lart-poshtë, nuk i përket vetëm një brezi. Fillon në dhoma si kjo. Me njerëz si ju. Ky hackathon është një mikrokozmos i vogël që na tregon se si ndodh inovacioni i vërtetë: nën presionin e kohës, të kuriozitetit, nevojës, të shtyrë nga besimi se ka gjithmonë një mënyrë më të mirë për të bërë gjërat”, shtoi Profili.
One Albania beson tek guximtarët dhe novatorët që aspirojnë të sjellin ndryshim dhe përparim. Nga investimi në 5G tek krijimi i hapësirave ku të rinjtë mund te krijojnë dhe të gjejnë komunitete që i përfaqësojnë, siç është One Connect Hub, kompania lider në telekomunikacion qëndron përkrah brezit të ardhshëm.