Elon Musk njoftoi përmes një postimi në platformën X se po tërhiqet nga roli i tij në agjencinë DOGE, një strukturë për kursime buxhetore e krijuar nga administrata Trump – duke shtuar se shpreson që misioni i saj të “forcohet me kalimin e kohës” dhe të bëhet “një mënyrë jetese për qeverinë”.
Miliarderi me origjinë nga Afrika e Jugut bëri të ditur gjatë natës se po largohet nga posti si këshilltar i lartë i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pas afro pesë muajsh në krye të Departamentit të Efikasitetit Qeveritar (DOGE), një strukturë e krijuar me një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga Trump në ditën e tij të parë në detyrë.
“Ndërsa periudha ime si Punonjës Special i Qeverisë përfundon, dua të falënderoj Presidentin Donald Trump për mundësinë që më dha për të luftuar shpërdorimet buxhetore,” shkroi Musk në X.
“Misioni i DOGE do të forcohet me kohën, derisa të shndërrohet në një mënyrë jetese në të gjithë aparatin shtetëror,” shtoi ai.
Kritikë ndaj ligjit të Trump dhe një dalje që vjen me tension
Largimi i Musk ndodhi vetëm një ditë pasi rrjeti CBS publikoi pjesë nga një intervistë ku ai kritikonte axhendën legjislative të Trump, duke thënë se ishte “i zhgënjyer” nga ajo që presidenti e quan “Ligji i Tij i Madh dhe i Bukur”. Ligji përfshin një kombinim mes uljes së taksave dhe forcimit të masave për emigracionin, por Musk e cilësoi si një “projektmasë shpenzimesh të mëdha” që vetëm sa e rrit deficitin federal dhe “minon punën” e tij në krye të DOGE.
“Një projektligj mund të jetë i madh, ose i bukur,” tha ai. “Por nuk jam i sigurt që mund të jetë të dyja njëherazi.”
Shkurtime masive, përplasje dhe frustrim
Largimi i Musk shënon fundin e një kapitulli që përfshiu mijëra shkurtime vendesh pune, shkrirjen e disa agjencive federale dhe një mori padish. Megjithëse i njohur për arritjet e tij në biznes, Musk hasi vështirësi në mjedisin kompleks të Uashingtonit dhe nuk arriti të përmbushë pritshmëritë e veta.
Fillimisht, ai synonte të reduktonte shpenzimet federale me 2 trilionë dollarë (rreth 1.78 trilionë euro), por me kalimin e kohës kjo shifër u zvogëlua në 1 trilion, e më pas në vetëm 150 miliardë dollarë (rreth 133 miliardë euro). Shpesh ka shprehur hapur frustrimin e tij për rezistencën e madhe që po i bëhej operacioneve të DOGE.
Musk gjithashtu është përplasur me figura të tjera kyçe të administratës Trump, të cilat nuk i kanë pritur mirë përpjekjet e tij për të ndërhyrë në strukturat ekzistuese të departamenteve të tyre. Për më tepër, ai është përballur me reagime të ashpra politike për iniciativat që ka ndërmarrë.
Nga MAGA te distancimi nga politika
Që në fillim, roli i Musk në administratën Trump ishte menduar si i përkohshëm. Ai kishte paralajmëruar kohët e fundit se do të kthehej të fokusohej në kompanitë e tij, përfshirë prodhuesin e makinave elektrike Tesla, kompaninë hapësinore SpaceX dhe rrjetin social X.
Megjithatë, zyrtarët e administratës ishin të paqartë mbi kohën kur ai do të largohej përfundimisht nga DOGE. Musk kishte qenë fillimisht entuziast për mundësinë për të reformuar sistemin federal. Ai investoi të paktën 250 milionë dollarë (222 milionë euro) në fushatën e Trump, shpesh u shfaq me kapelat MAGA në Shtëpinë e Bardhë, mbajti mitingje të tijat dhe nuk i kurseu elozhet për presidentin. “Sa më shumë e njoh Presidentin Trump, aq më shumë më pëlqen,” tha Musk në shkurt. “Sinqerisht, e dua.”
Por burokracia e Uashingtonit ka nisur t’i sosë durimin. Në intervista të mëhershme, ai ka rrëfyer për mediat amerikane se përballja me sistemin federal ka qenë shumë më e vështirë nga sa e kishte imagjinuar. “Situata me burokracinë federale është shumë më e keqe nga sa mendoja,” tha Musk. “E dija që kishte probleme, por përmirësimi i gjërave në DC është një betejë përpjetë, për të thënë minimumin.” Javën e kaluar, Musk deklaroi publikisht se do të tërhiqet pjesërisht nga angazhimi politik dhe se në të ardhmen do të shpenzojë shumë më pak për të mbështetur kandidatë./ Euronews.com