Nëse keni menduar se TikTok është vetëm për sfida virale, mendohuni sërish. Për gjeneratën Z, ky aplikacion, së bashku me Instagram, Facebook dhe podcast-et, është kthyer në burimin kryesor për këshilla financiare.
Një sondazh i fundit nga platforma bankare Spruce (nën H&R Block) zbulon se gati 70% e të rinjve të gjeneratës Z janë ndikuar nga një trend financiar që kanë parë online. Dhe ndikimi nuk ndalet vetëm te moda për të kursyer apo investuar, një në tre të rinj e konsideron rrjetin social si një burim edukimi financiar.
Nga kuleta në ekran, pse po ndryshon mënyra se si mësojmë për paranë?
Nëse më parë këshillat për kursime vinin nga një këshilltar bankar ose ndonjë artikull në një gazetë të ekonomisë, sot ato vijnë nga një krijues përmbajtjeje që flet për ETF-të, buxhetimin me metoda kreative, ose mënyrat se si të bësh “side hustle” që sjell të ardhura shtesë, të gjitha të përmbledhura në video 60-sekondëshe, me titra dhe muzikë sfondi.
Sondazhi i Charles Schëab e konfirmon këtë prirje, 72% e Gen-Z deklarojnë se e marrin këshillën financiare nga rrjetet sociale ose interneti, krahasuar me 57% të Millenials dhe vetëm 38% të Gen-X.
Por, a i besojnë realisht këtyre këshillave?
Edhe pse të rinjtë e ndjekin informacionin financiar që shpërndahet online, ata nuk janë krejtësisht të paditur. Sipas të njëjtit studim, Gen-Z e rendit median sociale si burimin më pak të besueshëm për këshilla financiare, megjithatë e përdor më shumë se çdo brez tjetër. Për shembull, 32% e tyre konsiderojnë TikTok-un si burim të besueshëm, krahasuar me vetëm 13% të Gen-X.
Pra, ka një kontrast interesant, Gen-Z është njëkohësisht i tërhequr dhe skeptik ndaj këtij informacioni. Kjo tregon se, ndonëse trendet virale janë frymëzuese, vetëdija për t’i verifikuar ato është gjithashtu e pranishme.
Ekspertët: TikTok mund të jetë një pikënisje, por jo një plan financiar
“Rrjetet sociale mund të jenë një burim frymëzimi dhe ideje, por është thelbësore që këto këshilla të shoqërohen me kërkim personal ose ndihmën e një eksperti financiar,” -shprehet John Thompson, nënkryetar në Spruce. “Vetëm kështu njerëzit mund të marrin vendime të informuara dhe të sigurta.”
Ky qëndrim është një thirrje për balancë, edukimi financiar duhet të jetë i qasshëm, por edhe i verifikuar. Dhe në kohën kur algoritmi është më i shpejtë se çdo këshillë bankare, mençuria financiare e brezit të ri do të varet nga aftësia për të filtruar zhurmën dhe për të dalluar informacionin e vlefshëm.
TikTok nuk ka zëvendësuar ende këshilltarin financiar, por është një sinjal i qartë se mënyra si mësojmë për paranë po ndryshon rrënjësisht. Dhe nëse brezat më të vjetër pyesin me dyshim: “Pse e dëgjon TikTok-un për investime?”, përgjigjja është e thjeshtë sepse aty është brezi i ri i investitorëve./ INC