Siguria dhe marrëdhëniet ndërkombëtare janë tema të ndjeshme aktualisht për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në Evropë dhe në mbarë Botën. Për Ballkanin ato kërkojnë një analiza të thelluara dhe veprime të kujdesshme.
Dr. Glevin Dervishi, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe çështjeve të sigurisë, me një përvojë 14-vjeçare në institucionet kryesore të vendit dhe aktualisht pjesë e AFA – Ministria e Mbrojtjes, sjell një perspektivë të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në intervistën e dhënë për Vaspas ai flet për librin e tij “Siguria dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare”, ndikimin e luftës në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor, sfidat e Kosovës dhe politikën e sigurisë në Evropë. Ai ndan pikëpamjet e tij mbi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, përgatitjen ndaj rreziqeve të mundshme dhe nevojën e angazhimit strategjik për paqen dhe stabilitetin rajonal.
Ju keni nxjerrë në treg një libër me interes specifik, “Siguria në Marrëdhëniet Ndërkombëtare”. Çfarë trajnoni më së shumti këtu dhe cilat janë mesazhet për politikëbërësit, që i sillni përmes këtij libri?
Libri “Siguria dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare”, me bashkëautor Kolonel (R) Dr. Ahmet LEKA dhe Dr. Glevin DERVISHI, është një tekst i natyrës akademike, i cili ndërthur dy elementë shumë të rëndësishëm si, siguria dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Teksti është një kontribut që u shërben në aspektin akademik, por edhe atë teoriko-praktik studiuesve të mbrojtjes, sigurisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare në të gjitha nivelet, si dhe sjell një kombinim të ekspertizës dhe eksperiencës specifike të të dy autorëve në fushat përkatëse.
Në këtë libër trajtohen si në anën historike dhe evolutive pikëpamjet rreth konceptit të sigurisë, shkaqeve të luftës, zhvillimit të konflikteve dhe qëndrimeve apo argumentimeve të ndryshme rreth saj, njohja dhe aftësia parandaluese e konflikteve apo edhe mundësia për zbutjen e intensitetit të konflikteve.
Gjithashtu, trajton lidhjen e sigurisë në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe ndërveprimi me forcën ushtarake, si një instrument i mbrojtjes së interesave shtetërore, apo edhe i ushtrimit të ndikimit. Lexuesi, në mënyrë lineare, do të njihet me një vështrim të përgjithshëm të dokumenteve kryesore të sigurisë në vendin tonë, të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare dhe Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë.
Një vend të veçantë zë disiplina e marrëdhënieve ndërkombëtare, roli i shtetit dhe aktorëve të tjerë në marrëdhëniet ndërkombëtare, elementet formuese të tyre, si dhe rolin e tyre në sistem. Element tjetër i rëndësishëm është politika e jashtme e shtetit shqiptar pas viteve 1990, boshtet e orientimit dhe të veprimit të saj, raportet me fqinjët, marrëdhëniet me partnerët strategjikë, përkatësia, vlerat dhe interesat e artikuluara në funksion të avancimit të interesave shtetërore dhe atyre kombëtare.
Gjithashtu, teksti trajton sfidat me të cilat përballet aktualiteti sot, nevoja për adresimin e tyre dhe mjetet për përgjigjen ndaj këtyre sfidave. Me rëndësi gjithashtu është trajtuar roli i fuqisë detare, si element i rëndësishëm i ushtrimit të ndikimit, zbatimi i së drejtës së detit dhe konteksti i Shqipërisë në raport me proceset delimituese me fqinjët tanë detarë, si hapësira ku vendosen dhe zhvillohen interesa strategjikë për sigurinë kombëtare dhe ndikimin rajonal apo më gjerë të vendit tonë.
Sot jemi në kushtet më të ndjeshme me shumë zhvillime në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht nisur nga lufta që po zhvillohet në Ukrainë. Çfarë duhet të ketë parasysh Ballkani dhe Shqipëria në veçanti?
Për fat të keq, pjesa më e madhe e sfidave, me të cilat përballet kontinenti ynë sot, në shumicën e rasteve i gjejmë rrënjët thellë në histori dhe shpesh ato zhvillohen mbi një shtrat të caktuar, ku njohja e së shkuarës është kusht themelor për të skicuar të ardhmen.
Rajoni ynë ka kaluar nëpërmjet një rrugëtimi të vështirë për të institucionalizuar paqen, një paqe e cila nuk duhet të merret si e mirëqenë. Situata në rajonin tonë, efektet e luftës në Ukrainë dhe tendencat destabilizuese me të cilat përballet agjenda zhvillimore dhe integruese e Ballkanit Perëndimor nga aktorë të tretë, e bëjnë edhe me imediate ndërveprimin dhe përfundimin e procesit të anëtarësimit në BE, si një projekt paqeje dhe zhvillimi.
Raste konfliktesh të shpeshta kemi në Veri të Kosovës çka duket se paqja nuk është tërësisht e vendosur. Si e shikoni çështjen e Kosovës. A ka vend për shqetësim, ndërveprim apo lëvizje dhe nëse po cilat duhet të jenë këto lëvizje, si nga ana e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë dhe BE-së?
Një nga kapitujt e këtij libri është pikërisht dhe proceset politike, diplomatike dhe veprimet ushtarake që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë si dhe trashëgiminë e saj në Ballkanin Perëndimor. Në të trajtohen një sërë sfidash që ka lënë shpërbërja e saj në republikat që dolën nga ky proces si dhe modelet përkatëse për trajtimin e këtyre sfidave.
Zhvillimet që ndodhën vitin e kaluar në veri të Kosovës janë një sinjal që na dëshmon se forca të errëta në rajonin tonë kanë ende aktive një agjendë krejt të ndryshme nga orientimi gjeostrategjik, përkatësia dhe interesat e qytetarëve të Kosovës. Kosova sot është një demokraci vibrante, e orientuar nga sundimi i ligjit, e përkushtuar për të qenë një shtet i të gjithë qyterëve të saj, barazisë në mundësi, por që ende i duhet të përballet me forca, të cilat kërkojnë ta rikthejnë rajonin tonë në dekadat e së shkuarës.
Falë prezencës së NATO-s në Kosovë, por edhe orientimit të Kosovës për paqe, pa harruar këtu edhe kontributin e saj në kuadër të NATO-s, Kosova gëzon një vemendje të veçantë të organizatës. Por, tendencat destabilizuese kanë nxjerrë në pah nevojën për prezencën solide të aleancës në Kosovë.
Së fundmi po bëhën shumë investime në fushën e sigurisë, madje edhe prodhimi i armëve është ndër më të lartit. A është BE mjaftueshëm e përgatitur për një rrezik të mundshëm dhe si e shikoni përspektivën e konflikteve ndërkombëtare?
Lufta në Ukrainë dhe implikimet gjeopolitike të saj kanë risjellë në vemendje të të gjithëve nevojën për më shumë fokus dhe investime në mbrojtje dhe siguri. Kjo situatë duhet parë si një mundësi e mirë për të bërë një analizë të esëllt të kapaciteteve, nevojave dhe investimeve të nevojshme në kuadër të sigurisë kombëtare, por edhe të sigurisë kolektive dhe rolit tonë në tablonë e sigurisë së NATO-s.
Vendi ynë ka kaluar në këto 30 vite nga një shoqëri tejet e militarizuar në një stad ku mbrojtja ishte një sektor jo prioritar, mirëpo zhvillimet e viteve të fundit kërkojnë një riorientim të fokusit dhe politikave që mundësojnë rritjen e kapaciteteve, teknikës dhe instrumentave financiarë të duhur për të rritur angazhimin tonë brenda alenacës.
Ditët e fundit BE-ja ka paraqitur një plan për riarmatosjen e Evropës që parashikon angazhimin e rreth 860 miliard euro në investime dhe projekte në funksion të sigurisë së kontinentit. Pak vite më parë ishte pothuaj e pamundur që ta mendoje BE-në si një organizëm të preokupuar për çështjet ushtarke, por sfida aktuale nxorri në pah dhe një anë tjetër, atë të fleksibilitetit të unionit për t’u përshtatur shpejt me realitetet e reja.
Nisur nga ajo çfarë keni trajtuar lidhur me të shkuarën, a mund të na sillni paralel, çfarë duhet shmangur dhe si duhet vepruar për të qëndruar larg një konflikti të mundshëm territoresh dhe konfliktesh të armatosura?
Historia e kontinentit tonë, por edhe e botës ka kaluar nëpërmjet devizës të gjithë ditur: “nëse do paqen, përgatitu për luftë”, e cila në fakt është kthyer edhe sot në një devizë po kaq aktuale. Rritja e kapaciteteve ushtarake, në jo pak raste, ka shërbyer edhe si instrument shkurajimi për fuqi apo aktor destruktiv, ndaj si NATO edhe BE e kanë vendosur fokusin në rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, riarmatimin dhe rritjen e kapaciteteve të qendrueshmërisë kombëtare, të cilat në fakt përbëjnë shumatoren e sigurisë kolektive në një aleancë.
Mbajta dhe forcimi i lidhjes trasatlantike është thelbësore për ne dhe rajonin tonë, natyrisht duke ju përgjigjur me shpejtësinë që kërkon koha ndaj proceseve që garantojnë sigurinë. Vijimi i angazhimit për demokratizim, paqe, integrim, zgjidhje të konflikteve më mjete paqësore, ndërveprim me të gjithë aktorët promovues të lirisë dhe normave të gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare është thelbësore për ne dhe kombin tonë.
Ne duhet të kuptojmë si shoqëri që investimet për mbrojtje dhe dhënia e kontibutit nga secili prej nesh në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare është, jo vetem mision apo detyrë, por ka të bëjë me përkatësinë e vlerave, të cilat na mbajnë bashkë si komb, si shoqëri por edhe atë çfarë do trashëgojmë tek fëmijët tanë, ndaj na duhet që të përqafojmë pa hezitim çdo nismë që vjen në këtë drejtim.
Çfarë mësimesh na sjell e shkuara që duhet t’i kemi parasysh në vijim?
Për fatin tonë të mirë si komb ne shqiptarët në momente të caktuara kemi ditur që të rreshtohemi në anën e duhur të historisë dhe përgjatë gjithë ekzistencës sonë si shtet kemi vetëm rekorde pozitive në këtë drejtim. Jam i bindur se besimi në vlerat e duhura dhe vijimi i trajektores tonë janë kompasti i duhur për të naviguar në kohë si këto që po jetojmë./ vaspas