Nga Erblin Jaku
Liqeni është pothuajse bosh dhe ura që lidh Kukësin me Hasin duket gjigande. Nën ujë fle Kukësi i vjetër ndërkohë që buzë liqenit jeta vazhdon me ritëm të shpejtë. Pranvera ka filluar të japë sinjalet e para se po vjen dhe ky është një lajm i mirë sidomos për ata që kanë zgjedhur që jetën e tyre ta lidhin me këtë zonë. I tillë është edhe rasti i Fatmir Kastratit.
Pas gjashtë vitesh të vështira si emigrant i paligjshëm në Britani, Fatmiri vendosi të kthehej në atdheun e tij në vitin 2019, me synimin për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme. Sot, ai është pronari i suksesshëm i një biznes që jo vetëm siguron të ardhura për familjen e tij, por gjithashtu ndihmon në zhvillimin ekonomik të zonës.
Pasionin për sipërmarrjen dhe kuzhinën e kombinoi duke krijuar një restorant me pamje mbresëlënëse buzë liqenit. Historia e tij tregon se kthimi në Shqipëri mund të jetë një rrugë drejt suksesit, veçanërisht me mbështetjen e duhur të programeve të shumta që operojnë në vendin tonë.
Në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, Fatmiri, tani 32 vjeç, u largua drejt Britanisë në vitin 2013, por jeta si emigrant i paligjshëm rezultoi të ishte e lodhshme dhe stresuese. “Ishte shumë e vështirë gjithçka. Kisha harruar të qeshja dhe më mungonte familja ime. Prindërit ishin të mërzitur pa mua” – tregon ai.
Me një dëshirë të fortë për t’u rikthyer në vendlindje dhe për të ndërtuar diçka të qëndrueshme, Fatmiri mori një vendim të rëndësishëm: kthimin në Kukës. Sot, ai është i sigurt për këtë zgjedhje dhe kësaj i qendron pa asnjë pendesë: Të shkoj prapë? “Jo, absolutisht jo! Në Britani do të kthehem vetëm si turist.”
Pas kthimit, Fatmiri gjeti frymëzim te modeli i njohur shqiptar i restoranteve të bazuara në produktet vendase, si “Mrizi i Zanave”etj. Me kursimet e tij dhe të familjes, ai hapi “Forest Bar Restaurant” në mars 2022. Restoranti fitoi shpejt popullaritet për fokusin te produktet e freskëta dhe cilësore, duke ofruar peshk liqeni, mish qingji e keci dhe produkte bulmeti të zonës. Ajo që filloi si një sipërmarrje familjare, sot ka shtatë të punësuar, duke krijuar vende pune të reja në komunitet.
Në shtator 2023, Fatmiri u bë pjesë e programit të mentorimit për bizneset e vogla, të organizuar nga projekti Perspektivat e Reja. Falë këtij programi, ai mori trajnime në menaxhim biznesi, brendim dhe marketing. Me këtë përvojë të re, ai aplikoi me sukses për një grant prej 2.5 milionë lekësh, të cilin e kombinoi me një investim personal prej 2.65 milionë lekësh. Ky financim i mundësoi të transformonte tërësisht sipërmarrjen e tij duke e kthyer në një aktivitet me kontribut ekonomik për zonën e tij.
Investimi u shfrytëzua për të blerë pajisje të reja kuzhine, për të modernizuar mobiljet, për të rinovuar një sallë konferencash dhe eventesh, si dhe për të ndërtuar një verandë të re ku klientët shijojnë natyrën e bukur të Hasit e të Kukësit. Falë këtyre përmirësimeve, restoranti jo vetëm që rriti cilësinë e shërbimit, por edhe krijoi vende të reja pune, me planin për të punësuar katër persona të tjerë gjatë verës.
“Investimi e ka transformuar restorantin,” thotë Fatmiri. “Tani mund të ofrojmë shërbime profesionale, të presim evente dhe të krijojmë një eksperiencë shumë më të mirë për klientët tanë.” Duke kujtuar pa ndonjë nostalgji kohën e spenzuar në Angli, Fatmiri po shijon suksesin e investimit në vendlindje. Synimi i tij i radhës është krijimi i një shërbimi akomodimi për turistët me furgonë të përshtatur për kamping, një koncept inovativ për zonën e Kukësit. “Dua të sjell diçka unike që do të tërheqë më shumë vizitorë në Kukës,” shpjegon ai.
Një sipërmarrje e tillë ka sjellë përfitime edhe për komunitetin. Të gjitha produktet merren nga fermerët lokalë, duke krijuar një treg të qëndrueshëm për prodhimet e tyre dhe duke ndihmuar ekonominë vendase. Kjo histori tregon fuqinë e sipërmarrjes në ringjallërimin e zonave rurale dhe uljen e emigracionit. Janë të shumtë të rinjtë që janë rikthyer të penduar nga emigracioni i paligjshëm dhe e kanë rigjetur veten e familjen aty ku i kanë rrënjët, në atdhe.
“Jeta jonë ka ndryshuar rrënjësisht! Restoranti na siguron të ardhura të mira dhe një jetë të qëndrueshme. Jam krenar për atë që kemi arritur” tregon Fatmiri teksa na përcjell me ftesën për tu kthyer sërish në Kukës e për të njohur të tjera histori suksesi të sipërmarrjeve lokale./Business Mag