Një studim i ri në SHBA ka zbuluar se lexuesit nuk mund të bëjnë dallimin midis poezive të shkruara nga poetë të famshëm dhe atyre të prodhuara nga AI. Sikur kjo të mos ishte mjaft alarmante, studimi zbulon se subjektet kërkimore priren të pëlqejnë më shumë poezinë e AI, sesa vargjet e poetëve njerëzorë.
Sipas një studimi të udhëhequr nga studiuesi postdoktoral në Universitetin e Pitsburgut, Brian Porter dhe të botuar në Nature Scientific Reports, rezulton se lexuesit shpesh ngatërrojnë kompleksitetin e vargut të krijuar nga njeriu me mungesën e koherencës së prodhuar nga AI. Për më tepër, ata priren të nënvlerësojnë aftësinë e inteligjencës artificiale gjeneruese për të imituar stilin njerëzor.
Si u arritën këto rezultate?
Studiuesit analizuan pesë poezi nga secili prej dhjetë poetëve të përzgjedhur në gjuhën angleze, duke përfshirë një periudhë prej gati 700 vjetësh letërsi. Lista përfshinte autorë si William Shakespeare, Geoffrey Chaucer, Walt Whitman, Emily Dickinson, Samuel Butler, Lord Byron, TS Eliot, Allen Ginsberg, Sylvia Plath dhe Dorothea Lasky, e cila ishte e vetmja poete ende gjallë.
Studimi udhëzoi ChatGPT 3.5 të OpenAI të gjeneronte pesë poezi në stilin e secilit poet. Studiuesit zgjodhën pesë poezitë e para të krijuara.