Nga Akademik, Prof. Anastas Angjeli
“Nga sot hyri në fuqi vendosja e tarifave të reja për të gjitha mallrat e importuara nga tre partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës, Kina, Meksika dhe Kanadaja”.
Ajo që pritej, ndodhi. Lufta tregtare e tarifave filloi. Atë që kish nisur në mandatin e tij të parë, që e theksoi dhe e premtoi në fushatën elektorale, tashmë Presidenti Tump po e vë në zbatim. Edhe pse e pat paralajmëruar dhe diskutuar me Presidenten e Meksikës, znj. Claudia Sheinbaum; me Kryeministrin e Kanadasë, z.Justin Trudeau dhe autoritetet kineze, tashmë ai e mendimin e tij e shndërroi në realitet. Nga sot hy në fuqi vendosja e tarifave të reja për të gjitha mallrat e importuara nga tre partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës, Kina, Meksika dhe Kanadaja, vende këto që së bashku vitin e kaluar zinin më shumë se 40% të importeve në SHBA.
Duket se filozofia e Presidentit Trump “Amerika e Para”, në këtë rast preferoi disa masa të forta proteksioniste ndaj këtyre tri vendeve, përtej tregtisë së hapur, liberale me to, duke mos konsideruar sa duhet as parimet e OBT (në mandatin e parë, Presidenti Trump e kritikoi OBT si të padrejtë ndaj SHBA-ve dhe tani, me sa duket, ai mund të vazhdojë të bëjë presion ndaj OBT-së për të reformuar rregullat e saj, veçanërisht në lidhje me Kinën), as ato të tregtisë së lirë e të hapur me këto vende të sanksionuara dikur në Marrëveshjen NAFTA.
PO ÇFARË PËRMBAN AKTI PËR TARIFAT E REJA?
Sipas këtij akti, SHBA-të do të vendosin tarifa (duke filluar nga data 3 shkurt 2024) prej 25% për mallrat e importuara nga Meksika dhe Kanadaja dhe 10% nga Kina.
Marrja e një vendimi të tillë u bë bazuar në Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente (IEEPA) për shkak të kërcënimit të madh të të huajve të paligjshëm dhe drogave vdekjeprurëse që vrasin qytetarët amerikanë, përfshirë fentanilin.
Presidenti Trump pat deklaruar e kërcënuar se do t’i vendoste taksat e importit për këto tri vende, nëse ato nuk trajtonin shqetësimet e tij për imigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës, duke cilësuar Qeverinë e Meksikës për “një aleancë të patolerueshme” me organizatat meksikane të trafikut të drogës. Sipas njoftimeve të Shtëpisë Bardhë, “Njoftimi i sotëm i tarifave është i nevojshëm për të mbajtur përgjegjëse Kinën, Meksikën dhe Kanadanë për premtimet e tyre për të ndalur vërshimin e drogave helmuese në Shtetet e Bashkuara.
Mbi bazën e këtyre motiveve u mor vendimi dhe tashmë tarifat hynë në fuqi dhe ‘lufta tregtare e tarifave filloi’”. Por, cilat ishin…
REAGIMET E PARA TË MEKSIKËS, KANADASË DHE KINËS
Të menjëhershme ishin reagimet e të tria shteteve, Meksikës, Kanadasë dhe Kinës ndaj politikës së re tarifore që Presidenti Trump deklaroi. Reagimet ishin sa kundërshtuese për motivet e vendosjes se tyre, aq edhe me synime hakmarrjeje për të vendosur si kundërpërgjigje edhe nga ana e këtyre shteteve (Meksika dhe Kanadaja) të tarifave për mallrat amerikane drejt vendeve të tyre.
Meksika tha se po përgatisin tarifat e tyre hakmarrëse prej 25% për mallrat amerikane, përmes ministrit të saj të Ekonomisë, çka ka sjell reagimin e menjëhershëm të Presidentit Trump, që theksoi se është i gatshëm të përshkallëzojë masat nëse vendet do të aplikojnë masa tarifore dhe jotarifore hakmarrëse.
Në reagimin e saj, Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e vendit të saj që të punojë me SHBA-të, duke theksuar se, “Problemet nuk zgjidhen me tarifa, por me biseda”. Edhe Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se vendi i tij gjithashtu do të përgjigjet, duke theksuar se “…ne nuk do të tërhiqemi në mbrojtje të kanadezëve”.
Sipas tij, edhe Qeveria kanadeze do të vendosë tarifa 25% për mallrat amerikane me vlerë 155 miliardë dollarë – 30 miliardë dollarë do të hyjnë në fuqi të martën dhe 125 miliardë dollarë të tjera në 21 ditë. Këto shuma do të vinë si rrjedhojë e vendosjes së tarifave 25% për birrën amerikane, verën, burbonin, frutat dhe lëngjet e frutave, perimet, parfumet, veshjet dhe këpucët, si dhe pajisjet shtëpiake, mallrat sportive dhe mobiliet. Lënda dhe plastika gjithashtu do të përballen me këto taksa.
Ndërkaq, më diplomatike ka qenë reagimi i parë Qeverise kineze, e cila përmes ministres së Ekonomisë deklaroi se “… Nga luftërat tregtare nuk ka të fituar” duke mos deklaruar për momentin ndërmarrjen e masave hakmarrëse me vendosjen e tarifave për mallrat amerikane, por… Presidenti Trump ka zhvilluar biseda telefonike me Presidenten e BE-së dhe ka deklaruar se do të vendosë tarifa edhe për mallrat europiane.
Le të kujtojmë se politikat ekonomike të Presidentit Trump në mandatin e parë, sidomos ato që u përqendruan tek “Amerika e Para” dhe tarifat tregtare patën perceptime penalizuese për ekonominë evropiane. Gjatë mandatit të parë, Trump vendosi tarifa mbi një sërë produktesh të importuara nga Europa, përfshirë çelikun dhe aluminin, me qëllim mbrojtjen e industrive amerikane.
Këto tarifa ndikuan prodhuesit evropianë, duke e bërë më të kushtueshëm eksportin e mallrave në SHBA dhe duke rritur kostot për konsumatorët amerikanë që blinin produkte nga Europa. Për më tepër, vendet evropiane u detyruan të vendosnin tarifa reciproke mbi mallrat amerikane, gjë që ndikoi negativisht në tregtinë ndëratlantike.
Nëse Presidenti Trump do të vendosë tarifa të reja, sipas programit ekonomik të paraqitur në fushat e këtij mandati, sikurse janë tarifa doganore për industrinë ushqimore, produktet e modës dhe industrinë e makinave të prodhuara nga vendet europiane që të ruajë prodhuesit vendës, atëherë mundet të kenë pasoja në këtë drejtim vendet si Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Gjermania. Por ende nuk ka një vendim për tarifat e reja për prodhimet europiane. Le të presim. Por…
ÇFARË NDIKIMESH PRITEN NGA KJO LUFTË?
Debatet për ndikimet, efektet në marrëdhëniet dypalëshe tregtare të SHBA-ve me këto vende dhe në tregtinë ndërkombëtare kanë filluar që në mandatin e parë të parë të Presidentit Trump dhe vazhduan gjate kësaj fushate dhe po vazhdojnë edhe tani me fillimin e zbatimit të tyre.
Shumë ekspertë mendojnë se politika proteksioniste e Presidentit Trump mund të ndikojë në rritjen e ekonomisë së brendshme amerikane, të punësimit, por edhe në rritjen e disa çmimeve për mallrat e eksportuara nga këto vende me sinjale inflacioniste dhe njëherësh të ndikojë edhe në rolin e dollarit si monedhë ndërkombëtare në disa mënyra, duke prodhuar efekte të ndryshme pozitive dhe negative.
NDIKIMET POTENCIALE NEGATIVE:
-Rritja e çmimeve të mallrave të importuara nga këto tri vende me sinjale inflacioniste dhe ulje të fuqisë blerëse për to, (deri në momentin e zëvendësimit të këtyre mallrave me mallrat e prodhuara në rritje nga brenda ekonomisë amerikane).
-Politikat proteksioniste,(si një e keqe e vogël në raport me politikën e Presidentit Trump “Amerika e para) si tarifat e larta tregtare ose kufizimet ndaj importeve, mund të nxisin vendet e tjera të largohen nga sistemi i mbështetur në dollar. Vendet si ato të BRICS mund të përshpejtojnë zhvillimin e monedhave alternative ose sistemeve të pagesave digjitale si mBridge për të shmangur ndikimin e politikave amerikane lidhur me sanksionet dhe sistemet e pagesave.
Proteksionizmi mund të përshkallëzojë konfliktet tregtare, duke përfshirë përdorimin e tarifave dhe sanksioneve dhe në ato vende, ku SHBA-të eksportojnë teknologji apo kapitale në tregjet financiare. Këto konflikte shpesh i bëjnë vendet të kërkojnë mënyra alternative për tregti dhe financim që nuk përfshijnë dollarin, siç është përdorimi i monedhave vendëse për tregti.
Ndikimet potenciale pozitive:
– Kjo politikë do të nxitë prodhimin vendës veçanërisht për produktet që importoheshin prej tyre. (Kjo sepse retorika e proteksionizmit në emër të sloganit “Bli Mallra Amerikanë” apo “Amerika është e Para”, pritet të ketë ndikim pozitiv në ekonomi.
-Proteksionizmi mund të zvogëlojë deficitin tregtar të SHBA-ve, veçanërisht me Kinën, duke ulur varësinë nga importet dhe duke mbështetur prodhimin e brendshëm. Kjo mund të ndihmojë në ruajtjen e fuqisë së dollarit, veçanërisht nëse mbështetet nga politika monetare e qëndrueshme.
-Trump synon të nxisë më tej eksportet amerikane të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Europë si një alternativë për të reduktuar varësinë nga gazi rus.
-Rritja e eksporteve është një element tjetër pozitiv. Fokusimi në eksportet e produkteve strategjike, si energjia, mund të ndihmojë në ruajtjen e dominimit të dollarit në tregtinë globale të mallrave thelbësore, duke penguar përpjekjet për alternativa ndaj tij.
Në përgjithësi, fokusi i mandatit të dytë të Trump-it ka të ngjarë të synojë të ristrukturimin e disa institucioneve ndërkombëtare, me qëllim rritjen e ndikimit të SHBA-ve brenda këtyre institucioneve. (OBT, OBSH, Marrëveshjen e Klimës, FMN etj.). Ai do të mundohet që të sfidojë kërcënimet e perceptuara ndaj hegjemonisë së dollarit dhe qeverisjes globale të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Me ndikim këto masa do të jenë edhe në tregtinë ndërkombëtare në përgjithësi, në vendosje të ekuilibrave të reja të flukseve tregtare, përfituesve dhe humbësve të tyre.
Sidoqoftë, fillimi i zbatimit të politikave të reja të trampekonomise duket se synojnë të sjellin mundësi për rritje ekonomike, duke e bërë të domosdoshme një balancë të kujdesshme për të siguruar një ekonomi të qëndrueshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar të fortë.
Për Evropën dhe pjesën tjetër të botës, politikat e tij do të vazhdojnë të ndikojnë në tregjet globale dhe do të kërkojnë një përgjigje strategjike për të mbrojtur interesat ekonomike dhe stabilitetin afatgjatë, në radhë të parë të Amerikës.