Panairi i vetëm i dedikuar sektorit të turizmit në Shqipëri, Tourism & Travel Show Albania 2025, ka nisur zyrtarisht, duke shënuar fillimin e panaireve të këtij viti. Organizuar nga Iceberg Exhibitions, ky edicion ka mbledhur 100 ekspozues nga Shqipëria dhe rajoni, duke përfshirë hotele, agjenci turistike, institucione shtetërore, shoqata dhe kompani të ndryshme që operojnë në industrinë e turizmit.
Për të tretin vit radhazi, panairi ka arritur të tërheqë një numër të madh pjesëmarrësish nga rajoni dhe përfaqësues të tregut ndërkombëtar.
“Ky është viti i tretë kemi 100 kompani pjesëmarrëse në këtë sallë nga vende të ndryshëm të rajonit dhe kemi 40 blerës ndërkombëtar nga 18 shtete të botës dhe ka pasur interes të shtuar të gjithë blerësve që kanë aplikuar në platformën tonë dixhitale. Patjetër që objektivat kryesore të panairit është promovimi i paketës rajonale turistike por gjithashtu dhe turizmi i qëndrueshëm. Nëse do të flasim për një moto dhe synim më afatgjatë do të themi promovimi i paketës turistike dhe turizmi qëndrueshëm.” – tha Enejda Sheku, CEO e Iceberg Exhibitions.
Përfaqësuesit e qeverisë theksuan rëndësinë e turizmit si një nga sektorët kyç të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
“Shifrat e sektorit të turizmit janë shumë premtuese. Rritja e viteve të fundit, sidomos nëse marrim parasysh pesëvjeçarin para pandemisë e deri më sot, patjetër që flasim për shifra shumë të mira mbi 11 milionë turistë.” – u shpreh Ilva Gjuzi, zv. ministre e Turizmit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Turizmit nënvizuan nevojën për inovacion dhe qasje më kreative për të konkurruar në tregun global.
“Ne do të vazhdojmë në të ardhmen të zbatojmë politikat e qeverisë për të promovuar destinacionet tona, por tashmë nuk mjafton të kemi vetëm vizion, por duhet të jemi sa më shumë inovativë dhe kreativë në një treg konkurrues.” – u shpreh Zana Çela, Drejtore e Përgjithshme e AKT-së.
Sipas operatorëve turistikë, viti i kaluar ka qenë një vit i suksesshëm për turizmin në Shqipëri, duke shënuar një rritje të ndjeshme të vizitorëve të huaj. Një ndër momentet kyçe të panairit është B2Balkan Marketplace, një event i organizuar në bashkëpunim me New Deal Europe, që ka sjellë numrin më të madh të blerësve ndërkombëtarë turistikë në Shqipëri.
“Shqipëria ka një ofertë turistike shumëdimensionale. Mikpritja e shqiptarëve është ajo që e bën Shqipërinë të veçantë dhe kjo është arsyeja pse unë e shikoj Shqipërinë si shtëpinë time të dytë.” – tha Robert Dee, bashkëthemelues i New Deal Europe.
Për dy ditë me radhë, Tourism & Travel Show Albania 2025 do të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për diskutime, takime dhe eksperienca që do të ndikojnë në të ardhmen e turizmit në Shqipëri.
I mbështetur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, panairi do të jetë i hapur më 12-13 shkurt, nga ora 09:00 – 19:00, duke ofruar një panoramë të detajuar mbi trendet dhe ofertat më të fundit të sektorit turistik në Shqipëri.