Nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Familjarët përfituan ulje të çmimit të energjisë elektrike. Një masë padyshim e mirëpritur që prek buxhetin e mijëra shqiptarëve, që këtë vit po përballen me shtrenjtimin e jetesës përballë llogarive që nuk dalin.
Ishte Enti Rregullator i Energjisë që më 8 janar vendosi të ulë me 1 lek çmimin e energjisë për mbi 95% të abonentëve familjarë. Vendimi parashikon që për abonentët familjarë që konsumojnë deri në 700 kilovat orë energji në muaj, të paguajnë 8.5 lekë për kilovat orë. Ndërsa për të gjithë ata që paguajnë mbi këtë nivel, do të paguajnë të gjithë sasinë me 9.5 lekë për kilovat orë.
Por sa është numri i familjeve që konsumojnë deri në 700 kilovat orë energji në muaj dhe që rrjedhimisht, i bie të jenë edhe përfitueset e kësaj nisme?
Sipas të dhënave zyrtare, nga 1.1 milionë që është në total numri i abonentëve familjarë, 880 mijë janë familjet që konsumojnë deri në 700 kilovat orë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Rama ndaj vendimit të Entit Rregullator për uljen e çmimit të energjisë për këtë kategori. Një masë e paralajmëruar për hir të vërtetës edhe më herët nga kreu i qeverisë.
Cili pritet të jetë ndikimi i kësaj ulje? Sa përfitojnë realisht familjet dhe a është e ndjeshme kjo ulje e çmimit të energjisë veçanërisht për abonentët me të ardhura të ulëta, si pensionistët?
Ulja e çmimit të energjisë me 1 lek për abonentët familjarë synon edhe një tjetër objektiv: atë të uljes së konsumit të energjisë deri në 700 kilovat orë në muaj për familje. Kjo në kushtet kur sigurimi I energjisë mbetet problem, për shkak të situatës gjeopolitike, por edhe varësisë së madhe që ka ende sistemi energjetik shqiptar nga burimet hidrike, thënë ndryshe nga kushtet atmosferike.
Ulja e çmimit të energjisë elektrike në një vit kur pritet të zhvillohet zgjedhjet e përgjithshme parlamentare konsiderohet elektorale nga një pjesë e ekspertëve, sipas të cilëve, qeveria po përpiqet të joshë qytetarët me të ashtuquajturat “karamele elektorale” në këmbim të votave.
Por administratori i përgjithshëm i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike shpjegon se ulja e çmimit është tërësisht teknike dhe ka ndodhur për shkak të përmirësimit të situatës financiare në sistemin energjetik.
Treguesit tekniko financiarë tregojnë për një situatë të përmirësuar në sektorin energjetik, pavarësisht shumë problemeve që kërkojnë zgjidhje.
Niveli i humbjeve teknike dhe jo teknike, ato që ndryshe njihen dhe si veshjet ka zbritur në fund të vitit të kaluar në 17.9%, duke pësuar një rënie të vazhdueshme vitet e fundit.
Kjo falë edhe investimeve të bëra në rrjetin e shpërndarjes së energjisë, gjë që ul humbjet teknike, por përmirëson edhe cilësinë e furnizimit me energji të qytetarëve. Paralelisht janë rritur arkëtimet.
Të dhënat tregojnë se në fund të vitit të kaluar, niveli i arkëtimeve kapërceu në 100.5%, duke treguar se krahas shlyerjes së faturave aktuale ose korrente, qytetarët dhe bizneset debitore po shlyejnë edhe detyrimet e prapambetura.
Por pavarësisht përmirësimit të treguesve kryesore, sistemi energjetik shqiptar ka ende probleme, që sipas ekspertëve të sektorit, duhen adresuar me masa konkrete dhe politika të qëndrueshme afatgjata.
Niveli i borxheve mbetet një ndër problemet kryesore të sistemit energjetik, pavarësisht se në vitin 2024 është frenuar krijimi i detyrimeve të reja nga abonentët. Të dhënat tregojnë se vitin e kaluar, borxhet arritën në 79.5 miliardë lekë, duke qenë pak e shumë në të njëjtat nivele me vitin 2023.
Abonentët familjarë janë ata që mbajnë peshën kryesore me gati gjysmën e totalit të detyrimeve, ndërkohë që problem janë edhe institucionet shtetërore dhe kryesisht ndërmarrjet jo buxhetore, si ujësjellës-kanalizimet.
Diversifikimi i prodhimit të energjisë, ku krahas energjisë nga uji ose ndryshe burimet hidro, të kemi edhe nga burime të tjera, si era apo dielli. Kjo do të ulte varësinë e sistemit nga kushtet atmosferike dhe do të shtonte sasinë e energjisë në rrjet, duke e vendosur Shqipërinë në kushte komode dhe një eksportuese të mundshme.
Duke vlerësuar gjendjen e deritanishme të sektorit energjetik, por edhe situatën me çmimin, ekspertët rekomandojnë disa masa që duhen marrë nga qeveria dhe kompanitë energjetike, në mënyrë që situata në një ndër sektorët kryesorë të vendit jetë e shëndoshë dhe e qëndrueshme në afatgjatë.
Energjia dhe burimet e saj prodhuese janë një ndër fuqitë kryesore që ka një vend. Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme në një situatë aspak të qetë, si ajo që po kalon sot e gjithë bota, ku burimet e lëndëve të para janë avantazhi ndoshta më i madh që ka kushdo. E Shqipëria ka gjithçka: ka ujin, diellin dhe erën. Duhet vetëm ti shfrytëzojë për të prodhuar sa më shumë energji.