Qytetarët shqiptarë dhe turistët kanë konsumuar rreth 600 mijë ton karburant në 11 muaj. Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë një rritje të ndjeshme të importit të karburantit nga viti në vit, duke bërë që 2024 të vendosë rekordin e 5 viteve të fundit.
Në raport me një vit më parë, rezulton rritje e importit të këtij produkti me rreth 39 mijë ton. Po ashtu, vetëm në muajin Nëntor janë importuar afro 52 mijë ton karburante, shifër shumë më e lartë krahasuar me Nëntorin e viteve të kaluara.
Kjo perfomancë vjen si rrjedhojë e rritjes së fluksit të turistëve në vendin tonë, kryesisht në dy vitet e fundit, ku një pjesë e mirë prej tyre vijnë me automjete personale dhe një pjesë marrin automjete me qira për të vizituar sa më shumë vende. Nga ana tjetër vihet re dhe një tendencë në rritje e qytetarëve shqiptarë që lëvizin gjatë sezonit të verës apo fundjavave, ritëm që ka vijuar edhe gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit, duke shfrytëzuar motin e mirë që ofron vendi.
Nga ana tjetër, edhe importi i birrës në 11 mujor ka arritur rekordin e 5 viteve të fundit, ku janë importuar afro 54 mijë ton. Rritja e importit të këtij produkti vjen edhe për shkak të sezonit të mbarë turistik, por edhe për faktin se unifikimi i akcizës për prodhimin vendas, ka sjellë disavantazh për fabrikat që operojnë në Shqipëri dhe ka krijuar më shumë terren për importuesit. Megjithatë për muajin Nëntor, importi i birrës ka rënë në raport me të njëjtin muaj të viteve të mëparshme.
Nga ana tjetër, importi i cigares ka një rënie në 11 mujor në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke regjistruar një sasi prej 2844 ton të importuara përgjatë Janar-Nëntor, nga 2924 ton që regjistron e njëjta periudhë e një viti më parë, por ka një rritje të lehtë përgjatë muajt Nëntor në krahasim me Nëntorin 2023.
Po ashtu edhe importi i kafes është regjistruar në rënie të lehtë me 107 ton në raport me një vit më parë, ku përgjatë periudhës Janar-Nëntor 2024 janë importuar 7902 ton. Por në muajin Nëntor, sasia e kafesë së blerë nga jashtë ka regjistruar rritje.
Të ardhurat nga akciza në 11 mujor anë realizuar në masën 57.8 miliardë lekë, 4.8 miliardë lekë ose 9.1% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023./Tv Scan