Akademiku dhe profesori i njohur i ekonomisë, njëkohësisht dhe Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Anastas Angjeli u vlerësua me çmimin e veçantë të karrierës në panirin e 27- të librit. Ky çmim, u akordua nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë “për kontributin e gjatë në studimet e jetës ekonomike dhe politike të Shqipërise.
Ky çmim i referohet specifikisht librit më të fundit të autorit “Institucionet e Bretton Woods dhe Shqipëria”. Më herët në një mjedis studiuesish të fushës, përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, politikës dhe studentësh, libri pati një sërë vlerësimesh e rencensash.
Libri “Institucionet e Bretton Woods dhe Shqipëria”, është një vepër që ofron një analizë të thellë mbi ndikimin dhe rolin e institucioneve financiare ndërkombëtare në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Ky libër, është një pasqyrë e detajuar mbi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe institucioneve të Bretton Woods, si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke eksploruar sfidat dhe mundësitë që këto institucione i kanë ofruar vendit në procesin e tij të integrimit në ekonominë globale.
Akademiku Anastas Angjeli, me një stil të qartë dhe të kuptueshëm, shqyrton politika, reforma dhe ndikimet e ndryshme që këto institucione kanë pasur në zhvillimin e Shqipërisë pas rënies së regjimit komunist. Libri është i pasuruar me analiza të thella dhe shembuj konkretë, duke e bërë atë një burim të vlefshëm për studentët, akademikët dhe profesionistët që interesohen për ekonominë shqiptare dhe proceset e zhvillimit global.
Profesor Angjeli, me njohuritë e tij të thella në fushën e ekonomisë dhe politikës, ofron një perspektivë të re mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sfidat që Shqipëria ka përballuar. Mbi Librin referuan Akademiku,Vasil Tole i cili theksoi se ky botim është vlerë e shtuar e mendimit më të mirë ekonomik në Shqipëri.
Gjithashtu mbi librin kumtuan Prof. Përparim Kabo, Nikollaq Pano dhe Adrian Civici. Ky libër, ofron një kolanë historike të ngjarjeve, shkaqeve dhe teorive ekonomike, të cilat i paraprinë krijimit të institucioneve të Bretton Woods.Këto institucione u ndërtuan mbi 3 parime bazë dhe me qëllimi ruajtjen dhe stabilitetin ekonomik e financiar.
Krijimi i tyre, u bazua në krijimin dhe fuqizimin e institucioneve demokratike, garantimin e stabilitetit ekonomik e financiar dhe mundësisë së lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, kapitaleve e ideve dhe së treti, garantimi i mbështetjes me kapitale të mjaftueshme financiare për të siguruar rimëkëmbjen nga krizat dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë.
Vetë Akademiku njohur, Anastas Angjeli, duke falenderuar për vlerësimet theksoi se qëllimi kryesor që e ka nxitur të shkruajë është që këto botime t’i shërbejnë brezit të ardshëm të ekonomistëve, por natyrisht edhe publikut të gjerë.