Nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Një shoqëri e arsimuar është baza për një shoqëri të emacipuar dhe për një ekonomi produktive dhe konkurruese. Ndaj investimi tek arsimi konsiderohet si një investim për të ardhmen, me përfitime të mëdha sociale dhe ekonomike për individët dhe shoqëritë.
Por cfarë ka ndodhur me arsimin në Shqipëri? I konsideruar nga të gjitha qeverisë në dekadat e fundit si një sektor prioritar, arsimi vetëm i tillë nuk ka qenë. Rezultatet e testit të Pisës, ky Shqipëria shënoi rënien më të madhe në botë për vlerësimin e nxënësve në matematikë, lexim dhe shkencë ishte tabloja më e qartë e braktisjes së arsimit, që po ndjek tkurrjen e fortë të numrit të nxënësve dhe studentëve në shkolla dhe fakultete, si pasojë e emigramit të pandalshëm.
I matur në lidhje me pasurinë e një kombi, shpenzimet për arsimin vijnë kryesisht nga buxhetet publike, por ato përfshijnë edhe financime individuale nga studentët, familjet e tyre, por edhe burime të tjera private.
Por sa para janë dhënë për arsimin?
Në buxhetin 2025, për këtë sektor janë parashikuar 62 miliardë lekë, me rritje 9.4 miliardë lekë ose 17.9% kundrejt një viti më parë. Ndërsa kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto, arsimi merr vetëm 3%.
Qeveria ka parashikuar që vitin e ardhshëm rreth 1.1 miliardë lekë të shkojnë për planifikim, menaxhim dhe administrim. Ndërkohë, për arsimin bazë, të mesëm dhe atë universitar do të alokohen rreth 58 miliardë lekë ose gati 586 milionë euro. Fondet për shkencën janë parashikuar në 1.4 miliardë lekë euro, ndërsa për zhvillimin e sportit parashikohen rreth 632 milionë lekë ose rreth 6.3 milionë euro.
Me buxhetin e arsimit, qeveria ka parashikuar që të ndërtohen ose të rikonstruktohen rreth 80 objekte arsimore të arsimit bazë. Synohet gjithashtu sigurimi i shërbimit të transportit. Ofrimi i bursave financiare për rreth 4,000 nxënës me nevoja të veçanta.
Pakësimi i numrit të nxënësve, problemi më i madh i arsimit
Braktisja e shkollave, kombinuar edhe me largimin jashtë vendit të nxnënësve dhe studentëve, si pasojë e emigrimit aktiv është plaga më e madhe e arsimit sot. Dhe kjo është e ndjeshme në të gjitha ciklet e arsimit. Këtë vit në auditore janë ulur rreth 117 mijë studentë ose mbi 4.300 studentë më pak se vitin e kaluar akademik.
Një tjetër problem për arsimin shqiptar është niveli i ulët i kërkimit shkencor, që duhet të jetë baza e arsimit të larta dhe studimeve pas universitare. Vitin e ardhshëm për këtë qëllim janë planifikuar vetëm 1.4 miliardë lekë. Opozita ka bërë një amendim në buxhetin 2025 që fondet për kërkimin shkencor të rriten deri në 2 miliardë lekë.
A ka qenë arsimi prioritet i qeverive në vite?
Gjatë 20 viteve të fundit, arsimi është konsideruar si prioritet në programet e çdo qeverie, por më shumë në letër dhe fjalë sesa në vepra konkrete. Përqindja e shpenzimeve publike për arsimin mbi Produktin e Brendshëm Bruto është tregues i prioritetit që i jep një vend arsimit në raport me alokimin e gjithë burimeve që ka në dispozicion.
Të dhënat tregojnë se pesha ndaj PBB-së ka ardhur në rënie të vazhdueshme nga 5% në vitin 1991, në 3.7% në 1995-sën, e deri në 2.8% në vitin 2002. Në po këto nivele ka qenë deri në vitin 2013, kur në pushtet erdhën socialistët.
Por edhe pas tre mandatesh ose thënë ndryshe, 12 vitesh në pushtet, rëndësia që I kushtohet arsimit mbetet pak a shumë e njëjtë.
Vitin e kaluar, shpenzimet publike për këtë sektor arritën në 3.2% të Produktit të Brendshëm Bruto, për të zbritur sërish vitin e ardhshëm në 3% të PBB-së, sipas buxhetit 2025.
Krahasuar me vendet e tjera, Shqipëria jep për arsimin ndjeshëm më pak fonde.
(GR 5) Me vetëm 3% nga PBB-së, ne renditemi të parafundit në rajon për buxhetin që alokojmë për arsimin, duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut. Ndërsa në Ballkanin perendimor kryeson Kosova, me 4.7% të PBB-së fonde buxhetore. Vendet europiane japin më arsimin shumë më tepër fonde, me një mesatare që I kalon 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Arsimi ndodhet sot në ditë jo të mira. Me një numër gjithmonë e më të vogël nxënësish në banka e me më pak studentë në auditorë, me më pak mësues e me më pak të diplomuar në këtë degë, me mungesë shkollash apo shkolla jo cilësore në shumë zona të vendit, kryesishte në periferi apo qytete të vogla. Ajo që nevojitet është një ndërhyrje rrënjësore për të kthyer vëmendjen tek shkolla.
Vecanërisht pas pandemisë, të gjitha shtetet po investojnë gjithmonë e më shumë tek kapitali njerëzor, që është aseti më i madh i cdo biznesi apo shoqërie. E ky investim nis që në vegjëli, në klasat e para për t’u rritur në vite e për t’iu kthyer mbrapsht shoqërisë dhe ekonomisë me profesionistë produktivë dhe njerëz të mirë e të arsimuar.