Nga Aurora Sulce, Producente Ekzekutive për Biznesin në A2 CNN
Në një ekonomi funksionale, evazioni fiskal dhe informaliteti konsiderohen ndër problemet më madhore, për shkak të grryerjes që i bën pjesës së shëndetshme. Thenë ndryshe, dëmit që u shkaktohet bizneseve të rregullta, të punësuarve dhe buxhetit të shtetit.
Por, në ekonomi pak të zhvilluara ose në zhvillim, si ajo e Shqipërisë, informaliteti është parë si një dukuri që ndihmon pjesën më të madhe të operatorëve të tregut, që janë kryesisht biznese të vogla e me pak mundësi mbijetese dhe si e tillë, është toleruar.
Që prej vitit 2013, kur socialistët erdhën në pushtet, kanë ndërmarrë disa herë aksione kundër evazionit fiskal dhe informalitetit, me fokus sektorë të ndryshëm.
Aksioni i parë u ndërmor në shtator të vitit 2015 dhe synonte të disiplinonte bizneset që për çdo shitje të lëshonin kuponin tatimor. Efektet u ndjenë për pak kohë, teksa pjesa dërrmuese e operatorëve në treg iu rikthyen sërish evazionit. Në shtator të 2019-ës, aksioni antiinformalitet u rikthye me fokus bizneset në sektorin e turizmit. Në shkurt të vitit 2020, ai pati në objektiv karburantet, si dhe baret dhe restorantet. Në tetor të vitit 2021, fokusi u vendos tek transporti i pasagjerëve dhe së fundmi, është përqëndruar tek informaliteti i pagave.
Por, a kanë dhënë efekt këto nisma?
Pas tentativave 10-vjeçare, qeveria i rikthehet çështjes së informalitetit, duke lënë qartazi të kuptohet se përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat. Ndërkohë që asnjëherë nuk u bënë publike të dhënat se sa ishte informaliteti në vitin 2015 kur nisën përpjekjet e para dhe sa ka arritur aktualisht.
Por, sipas FMN-së dhe Komisionit Europian, informaliteti në Shqipëri përllogaritet 30-35% e ekonomisë dhe po kaq është edhe informaliteti tek pagat. Me këtë nivel, ne jemi pak a shumë njësoj me Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje- Hercegovinën. Ndërkohë që më mirë në rajon janë Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Por, së fundmi, qeveria ka skanuar situatën në terren me informalitetin dhe ka paralajmëruar ndërhyrjen e radhës. Bizneseve u është bërë thirrje që të vetërregullohen nëpërmjet deklarimit real të pagave, ose në të kundërt do të ketë masa të ashpra, të ngjashme me ato që u ndërmorën për vjedhësit e energjisë. Kjo pasi nevojiten para për të rritur pensionet.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka konstatuar se nga 662 mijë vende punë të deklaruara, duke përjashtuar të vetëpunësuarit, 10% janë nën pagën minimale dhe 22,9% janë me pagë minimale. Pra, në total janë mbi 217 mijë të punësuar me paga të ulëta deri në 40 mijë lekë ose rreth 33% e totalit të vendeve të punës. Por, në cilët sektorë janë këta të punësuar dhe që rrjedhimisht, kanë shkaktuar edhe informalitetin më të lartë?
Tatimet rendisin tregtinë, turizmin dhe ndërtimin, si sektorët më problematikë përsa i përket pagave të nëndeklaruara apo atyre në të zezë.
Por, përse kemi këtë situatë, me një nivel kaq shqetësues të informalitetit në Shqipëri?
Arsyet janë disa, si eficenca e ulët e administratës; mjedisi i dobët i biznesit dhe nivelet shumë të larta të varfërisë; mungesa e besimit tek institucionet dhe perceptimi i lartë i korrupsionit; niveli i lartë i tatimit mbi pagat; burokracia dhe ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit fiskal.
Nëse do të sjellim si shembull konkret vetëm taksimin, shohim se Shqipëria ka nivelin më të lartë të tatimit mbi pagën në rajon, çka bën që shumë biznese dhe të punësuar të kërkojnë shmangien e pagesës së detyrimit, me qëllim që më shumë para të mbeten në xhepat e tyre.
Në vendin tonë aplikohet sistemi i taksimit të pagës me 4 fasha: 0, 8, 13 dhe 23% për pagat e larta. Vendet e tjera, si Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë sistemin me një nivel taksimi, përkatësisht 10 dhe 7%. Ndërsa të gjitha shtetet e tjera, që gjithashtu kanë sistem progresiv, i kanë fashat e taksimit më të ulëta se tek ne.
Niveli i lartë i informalitetit ka pasoja në ekonomi, të cilat ndihen në të gjitha hallkat e prodhimit dhe krijimit të vlerës së shtuar, deri në fund, tek pagesa e taksave dhe rishpërndarja e të ardhurave.
Kjo pasi krijon konkurrencë të pandershme në treg; punonjësit në të zezë apo me paga të nëndeklaruara nuk përfitojnë nga sistemet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; rrjedhimisht nuk paguhen kontribute dhe kjo çon në mungesë të të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe në pamundësi për të kryer investime apo për të ofruar shërbime publike për qytetarët.
E një prej këtyre investimeve që qeveria duhet të bëjë dhe që e shpjegon me mungesën e të ardhurave nga informaliteti është rritja e pensioneve.
Por, sa marrin sot pensionistët shqiptarë?
Pensioni mesatar përllogaritet në 15 600 lekë. Por, një pjesë e pensionistëve marrin shumë më pak se kaq. Bëhet fjalë për të moshuarit e zonave rurale. Sipas të dhënave, pensioni në fshat është vetëm 10 888 lekë dhe ai në qytet 18 615 lekë.
Për të kuptuar realisht se sa pak pension marrin të moshuarit në Shqipëri, le të bëjmë krahasimin me pagat. Pensioni mesatar në vend përllogaritet në 15 600 lekë. Ky nivel është sa 39% e pagës minimale dhe 20,7% e pagës mesatare.
Emigrimi masiv dhe i pandalshëm gjatë dekadave të fundit, ulja e numrit të lindjeve dhe rritja e jetëgjatësisë së të moshuarve, janë faktorët kryesorë që ndikojnë te gremisja graduale e skemës së pensioneve në Shqipëri. Numri i kontribuesve ka ardhur në rënie vitet e fundit, ndërsa numri i përfituesve, thënë ndryshe pensionistëve është rritur.
Aktualisht, kontribuojnë në skemën e pensioneve rreth 826 mijë persona, ndërsa përfitojnë 705 mijë pensionistë. Këto shifra tregojnë qartë për vështirësitë në të cilat ndodhet skema e pensioneve në Shqipëri.
Raporti kontribues/përfitues në skemën e pensioneve, një tregues i rëndësishëm që tregon për shëndetin financiar të saj, ka arritur në 1,17. Kjo do të thotë se për çdo përfitues nga skema e pensioneve ka vetëm 1,17 kontribues. Kjo normë tregon që ky ekuilibër i brishtë po ulet me shpejtësi drejt raportit 1 me 1, ku numri i kontribuesve barazohet me atë të përfituesve.
Por, a është lufta kundër informalitetit të pagave mundësia e vetme që qeveria ka pasur dhe ka aktualisht për rritjen e pensioneve?
Niveli i ulët i pensioneve është pasojë e drejtpërdrejtë e situatës së vështirë në të cilën ndodhet skema e pensioneve në Shqipëri. Një skemë deficitare, e cila gjithmonë e më shumë po kërkon mbështetje financiare nga buxheti i shtetit, duke qenë një barrë e drejtpërdrejtë mbi taksapaguesit shqiptarë.
Për pensionistët apo jo, informaliteti është i dëmshëm dhe si i tillë, duhet luftuar. Por, kjo nuk bëhet as me aksione dhe as për shkak të emergjencave të ditës. Duhet të jetë një praktikë pune e përditshme e tatimeve për të monitoruar dhe kontrolluar tregun, e bizneseve për të deklaruar dhe paguar taksa e tatime dhe e qytetarëve, për të derdhur kontributet dhe për të pretenduar nga qeveria pensione të denja.