NGA AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI
Marrëdhënia midis zhvillimeve ekonomike, politike dhe sociale dhe akordimit të çmimit Nobel ka qenë gjithmonë e ndërthurur ngushtë. Konteksti i jep vlerë dhe kuptim gjithçkaje. Kështu ndodh edhe me çmimin Nobel, i cili nuk mund të kuptohet dhe nuk mund të ketë asnjë vlerë në qoftë se nuk konsiderohet si produkt i kohës së tij.
Që nga themelimi i tij më 1969, çmimi Nobel në ekonomi ka nxjerrë në pah studiuesit, puna e të cilëve ka riformuar mënyrën se si e kuptojmë ekonominë, tregjet dhe politikëbërjen, duke vlerësuar studiuesit për kontributin e tyre në përgjigje të sfidave të kohës.
Temat dhe fokusi i hulumtimit të vlerësuar shpesh pasqyrojnë realitetet më të gjera ekonomike dhe çështjet emergjente me të cilat përballen shoqëritë. Krizat ekonomike, siç është e kuptueshme, kanë ofruar sfondin për punë novatore në shkencën ekonomike. Krizat financiare globale të shek.. 20 dhe 21 çuan në përparime të rëndësishme në studimin e problematikave dhe sfidave të tregut si dhe të sektorit bankar.
Kjo u pasqyrua në çmimin e përbashkët të 2013 për Robert Shiller dhe Eugene Fama, teoritë e kundërta të të cilëve mbi çmimet e aseteve ofruan njohuri të vlefshme në dinamikën e tregut, veçanërisht të rëndësishme pas krizës financiare të vitit 2008. Në të njëjtën mënyrë, intensifikimi i globalizimit çoi në rritjen e rëndësisë së fushës së studimit të ekonomisë së zhvillimit, fushë e cila trajton problemet e varfërisë, pabarazisë dhe rritjes ekonomike në rajonet më të varfra të botës.
Fituesit e çmimit Nobel, Amartya Sen, më 1998 dhe treshja Abhijit Banerjee, Esther Duflo dhe Michael Kremer më 2019 dhanë kontributin në përmirësimin e kushteve të jetesës përmes kërkimeve të tyre shkencore mbi zbutjen e varfërisë dhe efektivitetin e politikave të zhvillimit.
Zhvillimet e paimagjinueshme deri dje të teknologjisë u kanë dhënë formë të re edhe studimeve ekonomike dhe rrjedhimisht, edhe vendimeve të Akademisë në lidhje me çmimin Nobel. Në një epokë të karakterizuar nga inovacioni i shpejtë, studimet e Paul Romer mbi teorinë e rritjes endogjene, studime të cilat theksojnë rolin kritik të ndryshimeve teknologjike dhe njohurive në nxitjen e rritjes ekonomike, u vlerësuan me çmimin Nobel në vitin 2018.
Qasja e tij shkencore është bërë veçanërisht e rëndësishme, ndërsa ekonomia globale mbështetet gjithnjë e më shumë në transformimin digjital dhe industritë e drejtuara nga inovacioni.
Rëndësia e politikave është një tjetër aspekt kyç ku është fokusuar Akademia në lidhje me akordimin e çmimit Nobel. Studiuesit, puna kërkimore e të cilëve ofron zgjidhje praktike për problemet bashkëkohore, janë vlerësuar vazhdimisht ndër vite.
Kështu, Elinor Ostrom u vlerësua në vitin 2009 në lidhje me kontributin e saj mbi qeverisjen e burimeve të përbashkëta, si peshkimi dhe pyjet – çështje të lidhura me shqetësimet më të gjera mjedisore dhe të qëndrueshmërisë me të cilat përballet komuniteti global. Vitet e fundit, ekonomia e sjelljes dhe ajo eksperimentale kanë fituar rëndësi, duke ofruar metoda dhe koncepte të reja për të kuptuar sjelljen ekonomike duke përfshirë njohuritë psikologjike në modelet tradicionale.
Daniel Kahneman më 2002 dhe Richard Thaler më 2017 u vlerësuan për punën e tyre kërkimore në këtë fushë. Ndërkohë një nga karakteristikat më të dallueshme të epokës në të cilën jetojmë është padyshim dhe kriza me të cilat po përballen institucionet demokratike në nivel global dhe rritja e rrezikshme e shkallës së autoritarizmit jo vetëm në pjesë periferike të globit, por fatkeqësisht edhe në Perëndim. Pikërisht ky kontekst i dha shtysë akordimit të sivjetshëm të çmimit Nobel në ekonomi
ÇMIMI NOBEL NË EKONOMI 2024
Siç ndodh rëndom, edhe këtë vit të gjitha revistat e specializuara në ekonomi u përpoqën të parashikojnë se kush do të ishte nobelisti i sivjetshëm. Pretendentët, emrat e të cilëve u përfolën si kandidatët e mundshëm, përfshinë disa ekonomistë me ndikim, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në fusha të ndryshme të studimeve ekonomike.
Një nga kandidatët kryesorë u konsiderua se ishte Daron Acemoglu, puna e të cilit mbi institucionet dhe rolin e tyre në zhvillimin ekonomik është e një rëndësie të veçantë. Gjithashtu, David Kreps, i njohur për kërkimet e tij në teorinë e lojës, u konsiderua një tjetër kandidat i mundshëm.
Kërkimet e tij mbi lojërat dinamike dhe të përsëritura kanë pasur aplikime të gjera si në ekonomi, ashtu edhe në biznes, veçanërisht në të kuptuarit sesi reputacioni dhe vendimmarrja afatgjatë ndikojnë në strategjitë e korporatave dhe ato politike.
Michael Jensen, i famshëm për kërkimet e tij mbi financat dhe qeverisjen e korporatave, veçanërisht kostot e agjencisë në vendimmarrjen menaxheriale, Michael Woodford për studimet e tij mbi teorinë monetare si dhe Thomas Piketty, Gabriel Zucman apo Emmanuel Saez ishin disa nga emrat, që u përfolën si kandidatë të mundshëm. Kjo herë mund të konsiderohet nga të paktat herë kur parashikimet, deri diku dolën të sakta.
Çmimi i sivjetshëm Nobel në Ekonomi iu akordua studiuesve Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James A. Robinson për punën e tyre mbi mënyrën se si institucionet politike dhe ekonomike ndikojnë në prosperitetin afatgjatë. Daren Acemoglu është profesor i Ekonomisë në Masachussets Institute of Technology. Studimet universitare i ka kryer në Universitety of New York, ndërsa ato doktorale në London School of Economics. Simon Johnson është profesor i sipërmarrjes në Masachussets Institute of Technology.
Studimet universitare i ka kryer në Oxford University, kurse ato të doktoraturës në Masachussets Institute of Technology. James A. Robinson është ekonomist dhe politolog, profesor i Studimeve për Konfliktet Globale në University of Chicago. Robinson ka kryer studimet në London School of Economics dhe doktoraturën në Yale University.
Puna e tyre shkencore hedh dritë mbi arsyet se përse disa vende përparojnë, ndërsa disa të tjera mbeten të bllokuara në varfëri, pavarësisht përpjekjeve. Në qendër të kërkimit të tyre është koncepti që institucionet gjithëpërfshirëse – ato që i ofrojnë një popullsie të gjerë të drejta politike, mundësi ekonomike dhe mbrojtje sociale – janë shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike afatgjatë, ndërsa institucionet jo përfshirëse – të dizajnuara për të përfituar një elitë e vogël—shpesh shkaktojnë varfëri të vazhdueshme.
Puna e tyre kërkimore është bazuar në studimin e proceseve historike, veçanërisht në trashëgimitë e kolonializmit, duke u përpjekur të analizojë se si lloje të ndryshme të institucioneve koloniale të krijuara nga fuqitë evropiane kanë ndikuar në trajektoret e zhvillimit afatgjatë të shteteve.
Gjetjet e tyre zbulojnë se vendet ku kolonizatorët krijuan institucione gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike, të tilla si ato që promovonin të drejtat e pronës dhe pjesëmarrjen politike, tani janë ndër më të pasurat në botë. Në të kundërt, vendet ku kolonizatorët krijuan institucione jo përfshirëse, kryesisht për të shfrytëzuar burimet dhe fuqinë punëtore lokale, nuk ia kanë dalë të sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Një shembull kryesor i kësaj qasjeje është fenomeni që Acemoglu, Johnson dhe Robinson kanë emërtuar si “përmbysje e fatit”. Ky koncept ilustron sesi rajonet që gjatë periudhës së kolonizimit ishin relativisht të begata – siç ishin një pjesë e Amerikës Latine – sot janë ndër rajonet më të varfra. Ndërkohë, rajonet që ishin relativisht të pazhvilluara – siç ishte rasti i Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë – janë sot ndër rajonet më të pasura.
Sipas studimeve të tyre, ky ndryshim vjen për shkak të llojit të institucioneve të krijuara gjatë periudhës së kolonizimit. Në rajonet ku kolonizatorët ishin më të shumtë në numër, ata ndërtuan institucione që favorizonin rritjen ekonomike afatgjatë, si psh,. e drejta e pronës dhe pjesëmarrja politike. Ndërkohë në rajonet ku kolonizatorët u përballën me shkallë të lartë vdekshmërie dhe krijuan institucione jopërfshirëse me qëllim për të shfrytëzuar burimet dhe fuqinë punëtore, trashëgimitë e këtyre sistemeve vazhdojnë ende sot të pengojnë zhvillimin.
Studimet e tyre gjithashtu analizojnë pse këto dallime institucionale kanë vazhduar për shekuj me radhë. Acemoglu, Johnson dhe Robinson ndërtuan një kornizë teorike, e cila shpjegon pse shoqëritë shpesh ngecin në atë që ata e quajnë “kurth” të institucioneve jopërfshirëse. Nga momenti që themelohen, këto institucione priren të funksionojnë në favor të një elitë të vogël, e cila ka pak nxitje për të mbështetur reformat nga të cilat do të përfitonin masat e gjera të popullatës. Kjo krijon një cikël vetëpërforcues, ku elita përdor fuqinë e saj politike për të ruajtur status quo-në, në kurriz të rritjes ekonomike afatgjatë për vendin në tërësi.
Megjithatë, sipas laureatëve të sivjetshëm, ndryshimi është i mundur. Në rrethana të caktuara, vendet mund të çlirohen nga këto kurthe institucionale dhe të krijojnë institucione gjithëpërfshirëse. Një faktor i tillë është kërcënimi i revolucionit. Kur masa mobilizohet dhe kërcënon elitën ekzistuese me revolucion ose trazira sociale në shkallë të gjerë, elita mund të detyrohet të heqë dorë nga pushteti dhe të lejojë reforma institucionale, siç është demokratizimi.
Modeli i Acemoglu, Johnson dhe Robinson shpjegon se si ky proces ka funksionuar në kontekste të ndryshme historike, duke përfshirë demokratizimin e Evropës Perëndimore në shekullin e 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Studimet e tyre kanë implikime të gjera jo vetëm për të kuptuar historinë ekonomike, por edhe për politikën aktuale të zhvillimit.
Gjetjet e tyre sugjerojnë se përpjekjet për të nxitur rritjen ekonomike në vendet në zhvillim duhet të përqendrohen në mbështetjen e krijimit të institucioneve gjithëpërfshirëse – veçanërisht ato që promovojnë sundimin e ligjit, të drejtat e pronës dhe llogaridhënien politike. Pa institucione të tilla, përpjekjet për të nxitur zhvillimin ekonomik ka të ngjarë të minohen nga elitat e rrënjosura dhe sistemet politike të korruptuara.
Një nga ilustrimet më të fuqishme të punës së tyre është rasti i Nogales, një qytet i ndarë nga kufiri SHBA-Meksikë. Në anën veriore të kufirit, në Nogales, Arizona, banorët gëzojnë standarde të larta jetese, të drejta politike dhe mundësi ekonomike.
Vetëm pak milje larg Nogales, në Sonora, banorët përballen me standarde shumë më të ulëta jetese, institucione më të dobëta politike dhe më pak siguri ekonomike. Pavarësisht ndarjes së gjeografisë, kulturës dhe historisë së ngjashme, ndryshimet e theksuara në kushtet e jetesës midis këtyre dy qyteteve mund të shpjegohen nga ekzistenca e institucioneve shumë të ndryshme politike dhe ekonomike në ShBA dhe Meksikë.
Nobeli i sivjetshëm duke vlerësuar punën shkencore të profesorëve Acemoglu, Johnson dhe Robinson vlerësoi njëkohësisht rolin e institucioneve demokratike dhe gjithëpërfshirëse në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, prosperitetin dhe mirëqenien e shoqërisë.
Në një epokë të tillë ku autoritarizmi po rritet në mënyrë të rrezikshme, ku duket se kemi një tërheqje të demokracisë në nivel global fokusi te marrëdhënia ndërmjet thellimit të demokracisë dhe rritjes ekonomike duket se ishte kryefjala e akordimit të Nobelit të sivjetshëm nga ana e Akademisë.