Një hotel në Tajlandë është cilësuar më i miri në botë për vitin 2024 për arkitekturën e tij mahnitëse me pamje nga lumi dhe përvojat e famshme të spa-së, në zemër të Bangkok-ut të zhurmshëm.
Capella Bangkok, i vendosur në qendër të qytetit dhe me pamje nga lumi Chao Phraya, është shpallur hoteli më i mirë në botë për vitin 2024 nga “The World’s 50 Best Hotels Academy”, e cila përbëhet nga 600 liderë anonimë të industrisë hoteliere, secili i përzgjedhur për opinionin e tyre ekspert dhe përvojën në fushën hoteliere, të cilët votojnë për hotelet që kanë përjetuar vetë.
Capella u ngjit 10 vende nga lista e vitit 2023 si hoteli më i mirë në përgjithësi dhe fitoi gjithashtu titullin si “Hoteli më i Mirë në Azi 2024”.
I hapur në vitin 2020, ky hotel modern përshkruhet si një “oaz urban” dhe është i rrethuar nga kopshte të gjelbëruara, me të gjitha 101 dhomat që kanë pamje nga uji, duke siguruar që çdo mysafir të ketë pamje nga lumi.
Vilat dhe suitat me verandë pranë lumit janë të disponueshme për mysafirët – të vetmet e këtij lloji në Bangkok – të pajisura me pishina Jacuzzi private.
Hoteli gjithashtu ka një numër restorantesh dhe baresh të shpërblyera me çmime, duke përfshirë restorantin me yll Michelin, Côte nga Mauro Colagreco, i cili ofron kuzhinë franceze dhe italiane. Hoteli njihet gjithashtu për spa-në e tij të famshme në mbarë botën, Auriga, që praktikon terapi të lashta shëruese, dhe për ‘Kulturalistët e Capella-s’, të cilët janë guida lokale personale që kanë lidhje me aktivitete të shumta në Bangkok dhe ndihmojnë mysafirët të planifikojnë qëndrimin e tyre në qytet. Emma Sleight, drejtuesja e përmbajtjes për “The World’s 50 Best Hotels”, tha:
“Na jep kënaqësi të madhe të ndajmë listën e “The World’s 50 Best Hotels 2024” dhe të festojmë renditjen e Capella Bangkok si Nr.1.” Capella Bangkok bashkohet me 18 hotele të tjera në Azi në listën e Hoteleve më të Mirë në Botë për 2024, duke e bërë atë kontinentin me më shumë hotele të përfshira në renditje.
Ndër këto hotele është dhe kulla me 65 kate, Rosewood Hong Kong, e renditur në vendin e tretë, e njohur për stilin e saj të veçantë të mikpritjes dhe dizajnin e brendshëm elegant.
Capella në Bangkok nuk është i vetmi hotel në qytet që ka hyrë në listë, pasi Mandarin Oriental Bangkok (Nr.12), Four Seasons Bangkok në Chao Phraya River (Nr.14) dhe The Siam (Nr.26) gjithashtu kanë zënë një vend të merituar. Hoteli me pesë yje Mandarin Oriental në Bangkok është në funksionim prej gati 150 vitesh dhe ka pritur shumë mysafirë ndër vite, nga Grace Kelley tek Marlon Brando.
Ai është një nga shumë hotelet e famshme botërore që kanë hyrë në listë, së bashku me Claridge’s në Londër (Nr.11) dhe katër hotele të Four Seasons në mbarë globin./theindependent