AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI
Tetëdhjetë vjet më parë, delegatë nga 44 vende u mblodhën në Bretton Woods, New Hampshire – SHBA, për të vendosur rendin e ri monetar ne marrëdhëniet mes vendeve të marrëveshjes për të koordinuar rindërtimin pas Luftës së Dytë Botërore dhe promovuar bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar. Institucionet për të cilat ata hodhën themelet – Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, që përmes një rrugëtimi të gjatë reformues dhe transformues qëndrojnë në zemër të rendit monetar dhe financiar aktual global.
Po sot? Tetëdhjetë vjet më pas?
Tetëdhjetë vite më pas, përballimi i pabarazisë është bërë një problem jetik për të siguruar rritjen ekonomike në shekullin e ardhshëm. Sot vjen paralajmërimi për një dimension të ri të botës, detyrimi për të korrigjuar atë që ka qenë më se e gabuar gjatë 100 viteve të fundit – sundimin e pabarazisë së lartë ekonomike. “Ne kemi detyrimin për të korrigjuar atë që ka qenë më se e gabuar gjatë 100 viteve të fundit – sundimin e pabarazisë së lartë ekonomike.” (Kristalina Georgieva, Drejtore Ekzekutive e FMN-së).
Njerëzimi thjesht nuk mund të realizojë skenarin e ambicieve të larta për rritjen ekonomike nëse nuk nxisim një ekonomi globale më të drejtë. Sot është koha të njohim nevojën për të vendosur një matje më të mirë të pasurisë që shkon përtej Produktit të Brendshëm Bruto tradicional, i cili vlerëson jo vetëm kapitalin e prodhuar, por edhe natyrën, njerëzit dhe strukturën e shoqërive. Sepse, siç e tha Keynes në vitin 1942: “Në fund të fundit, pothuajse gjithçka është e mundur.”
RIKTHIM TE KEYNES-I: NË FOKUS, PËRBALLJA ME PABARAZINË.
Në një fjalim të mbajtur në King’s College, Cambridge, Shefja e FMN-së argumentoi se bota ndodhej në një pikë kthese, duke bërë një krahasim me Depresionin e Madh të viteve 1930, kur ekonomisti i shquar britanik John Maynard Keynes shkroi esenë e tij të famshme “Mundësitë ekonomike për nipërit tanë”. Ajo theksoi se përballimi i pabarazisë është jetik për të siguruar rritjen në shekullin e ardhshëm dhe se mënyra e vetme për shtimin e vrullit të rritjes ekonomike globale gjatë shekullit të ardhshëm është përballimi i pabarazisë, e cila sa vjen e thellohet nëpërmjet rritjes nëntëfish të standardit të jetesës. “Pabarazia ekonomike mbetet tepër e lartë, brenda dhe midis vendeve”,- tha ajo.
Pesimizmi dhe rinia. Keynes iu drejtua edhe pesimisteve në esenë e tij në një periudhë ku bota dukej e mbytur në depresionin e madh duke parë mundësinë për rritje dhe prosperitet. Duke qenë femra e dytë që drejton FMN, që nga krijimi i saj 80 vjet më parë, Georgieva, kërkoi në auditorin e King ‘s College, sytë e pesimistëve tek të rinjtë. Ashtu si në kohën e Keynes, edhe sot ka shumë pesimistë përreth.
Të rinjtë sot përballen me sfida të mëdha, madje edhe në vendet më të pasura: nga pagesa për arsimimin e tyre, tek gjetja e punës dhe blerja e një shtëpie, tek të qenit thellësisht i shqetësuar se si ndryshimi i klimës do të ndikojë në jetën e tyre. Është e lehtë të jesh pesimist. Vetëm shikoni këto tituj. Shumë njerëz—të rinj e të moshuar—po ndjejnë se ekonomia nuk po funksionon për ta. Shumë nuk janë vetëm të shqetësuar, por të zemëruar. Për shumë njerëz, besimi është gërryer. Dhe ne po e shohim këtë lojë – në shoqëri dhe në politikë.
Sigurisht, ne nuk duam që nipërit tanë të jetojnë në një Epokë zemërimi? Për këtë, ne duhet të jemi të qartë për rreziqet. Por, gjithashtu, shikoni mundësitë – dhe shfrytëzoni ato.
Në një cikël historik mund të them që ndodhemi pothuajse në të njëjtën gjendje shpirtërore për të cilën Keynn shkroi 100 vjet më parë, sigurisht që sot çdo gjë është thellësisht ndryshme ku ndryshimet e mëdha janë të dukshme dhe njerëzimi ka bëre përpara më hapa gjigandë. Shqipëria, pra vetë ne jemi dëshmitarë në vetë të parë të ndryshimeve të mëdha në vetëm 34 vite. Në mënyre gjeniale ai parashikoi të njëjtat gjendje në të cilat një pjesë e shoqërisë ndodhet sot.
“Unë parashikoj që të dy gabimet e kundërta të pesimizmit që tani bëjnë kaq shumë zhurmë në botë, do të provohen të gabuara në kohën tonë – pesimizmi i revolucionarëve që mendojnë se gjërat janë aq të këqija sa asgjë nuk mund të na shpëtojë veç ndryshimit të dhunshëm, dhe pesimizmi i reaksionarëve që e konsiderojnë ekuilibrin e jetës sonë ekonomike dhe sociale aq të pasigurt, saqë nuk duhet të rrezikojmë asnjë eksperiment”,-thotë John Maynard Keynes.
Të lidhura dhe të risjella në kohë mesazhet e drejtuara nga Drejtoria Ekzekutive e FMN-së tregojnë për një tentativë të ndryshimit të kursit të FMN-së, për një qasje të re dhe një strategji të re të zhvillimit ekonomik, me një vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve sociale, pra një kurs të ri reformimi të FMN-së. Ajo kërkon të reflektojë ndaj gabimeve të 80 viteve të jetës së institucioneve të Bretton Woods-it. “Ne kemi detyrimin për të korrigjuar atë që ka qenë më se e gabuar gjatë 100 viteve të fundit – sundimin e pabarazisë së lartë ekonomike. Hulumtimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se zvogëlimi i pabarazisë në rrafshin e të ardhurave mund të arrihet duke mundësuar një rritje të lartë dhe të qëndrueshme”,- tha ajo.
Referuar të dhënave, shkalla e pabarazisë në 30 vitet e fundit u bë problem edhe në transformimet që pësuan vendet e lindjes pas rënies së murit të Berlinit. Këtu, pabarazia u krijua me ritme shumë të shpejta. Vetëm në post-krizën e pandemisë së Covid-19 dhe luftës në Ukrainë, hendeku mes të varfërve dhe të pasurve u thellua më tej. Pesë burrat më të pasur të botës nga viti 2020 e kanë dyfishuar pasurinë e tyre, sipas një studimi të fundit të publikuar nga organizata Oxfam. Sipas studimit, në vitin 2020 pesë më të pasurit e botës zotëronin një pasuri prej 450 miliardë dollarësh. Ndërkohë, kjo pasuri është rritur tani në 869 miliardë dollarë. Oxfam thekson se të gjithë miliarderët në këtë periudhë kohore deri në vitin 2023 e kanë rritur pasurinë e tyre në 3.3 trilionë dollarë, kjo në një kohë kur gati 5 miliardë njerëzit më të varfër të botës kanë humbur 20 miliardë dollarë pasuri. “Pabarazia ekonomike mbetet tepër e lartë, brenda dhe midis vendeve”, – tha Shefja e FMN.
Prandaj, zvogëlimi i pabarazive dhe sigurimi që askush të mos mbetet prapa janë pjesë përbërëse e arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Pabarazia brenda dhe midis vendeve është një shkak i vazhdueshëm për shqetësim.
REFORMIMI I FMN-SË APO NJË BRETTON WOODS I RI?
Kjo është një pyetje, pjesë e debateve qe po zhvillohen, sidomos pas krijimit dhe zgjerimit të BRICS dhe pas luftës në Ukrainë, që shumë e bëjnë, shumë e mendojnë, por të gjithë ngurojnë. Kjo për faktin se askush nuk di se kush do të jetë në qendër të një Bretton Woodsi të ri. Do të jetë dollari, do të jetë euro, do të jenë të gjitha këto dhe do të dalë një para digjitale e garantuar nga të gjithë? Sa afër aq edhe larg ideja e një Bretton Woods-i të ri. Duket se edhe kësaj dileme, të paktën për momentin fjalimi i shefes së FMN i dha përgjigje duke shprehur sigurinë se institucionet e Breton Woods-it do të vazhdojnë rrugëtimin e vet, përmes reformimit të institucioneve të veta. Sa i përket “sulmit që po i bëhet dollarit amerikan, të gjithë e pranojnë se roli i dollarit, pas daljes së euros, ka rënë disi në arenën ndërkombëtare, por s’duhet harruar dhe të gjithë e dinë që sterlina humbi hegjemoninë e saj dy shekuj pas ripozicionimit të Anglisë në tregun ndërkombëtar, ndërsa Holanda humbi dominimin e saj 100 vjet pas krizës së tulipanëve. Të gjithë e dinë që diçka do të ndodhë, por askush nuk e di se kur, çfarë, dhe si do të ndodhë. Duhet të presim, ndoshta shumë.
STRATEGJIA: NJË EKONOMI GLOBALE MË E DREJTË
Kristalina Georgieva tha se liderët botërorë kanë përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm për të ndërtuar një ekonomi që arrin të zgjidhë problemin e ngrohjes globale, përdor teknologjinë e IA në mënyrë të përgjegjshme dhe redukton nivelet e larta të pabarazisë. “Ne thjesht nuk mund të realizojmë skenarin e ambicieve të larta për rritjen ekonomike nëse nuk nxisim një ekonomi globale më të drejtë.”
Duke u bërë thirrje qeverive në mbarë botën që të përqendrojnë vëmendjen në tre fusha kryesore prioritetesh, ajo tha se ishte thelbësore të adresohen emergjencat klimatike, të investohet në teknologji të reja si IA dhe të investohet te njerëzit nëpërmjet përballimit të pabarazisë.
Përmes paraqitjes se dy skenarëve të mundshëm për 100 vitet e ardhshme, të hartuar nga stafi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Georgieva tha se bota mund të presë një “rrugë me ambicie të ulët,” me Produktin e Brendshëm Bruto global rreth tre herë më të madh dhe standardin e jetesës dy herë më të lartë sesa sot.
Duket se strategjia e shefes së FMN-së për zhvillimet e ardhshme të ekonomisë globale në përgjithësi afrohet me strategjinë e paraqitur nga Nobelisti i shquar në ekonomi, Joseph E. Stiglitz, në shumë punime të fundit të tij; “The Price of Inequality,” “Creating a Learning Society,” si dhe esenë “A New Growth Strategy for Developing Nations,” në të cilat ai flet për një strategji të re të zhvillimit ekonomik, sidomos në vendet në zhvillim, e cila bazohet në “Politikat e reja industriale për tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e shërbimeve që thithin fuqinë punëtore.”
1. Tranzicioni i gjelbër
Ka shumë prioritete kyçe të investimeve që lidhen me tranzicionin e gjelbër. E para, është transformimi i sistemit energjetik, i cili përfshin kalimin nga lëndët djegëse fosile në burimet e rinovueshme të energjisë. Kjo kërkon dekarbonizimin e përdorimit të energjisë në vendet në zhvillim dhe heqjen graduale të termocentraleve me qymyr në veçanti. Kjo kërkon investime të reja masive në infrastrukturë dhe elektrifikim, dhe në burime të reja energjie të gjelbër si dielli, era dhe hidrogjeni.
Së dyti, transformimi i bujqësisë mund të çojë në më shumë produktivitet – standarde më të larta jetese për fraksionet e mëdha të popullsisë ende të varura nga ai sektor.. Kjo do të kërkojë një gamë të gjerë investimesh publike në bujqësi, pyje, tokë dhe dete e oqeane.
Së treti, një fushë tjetër është ulja e cenueshmërisë së vendeve në zhvillim ndaj dëmtimeve nga ndryshimet klimatike. Kjo ka nevoja të rëndësishme për ndërtimin e mbrojtjeve kundër rritjes së nivelit të lumenjve, detit, shkretëtirëzimit dhe nxehtësisë ekstreme përmes investimeve në sistemet e ushqimit dhe ujit, qëndrueshmërinë e infrastrukturës dhe zonave urbane, dhe menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe përmbytjet.
2. Punë më të mira në shërbime
Investimi në tranzicionin e gjelbër do ta kthente atë që në thelb është një kosto për vendet në zhvillim në një mundësi rritjeje. Por nuk është e qartë nëse kjo do t’i përgjigjej pyetjes: nga do të vijnë punët më të mira dhe më produktive? Tranzicioni klimatik mund të krijojë vende të reja pune në ndërtimin e objekteve diellore dhe të erës, në infrastrukturë dhe në aktivitete zbutëse, por jo e njëjta gjë mund të thuhet për bujqësinë. Modernizimi bujqësor duke përdorur teknologji të reja dhe diversifikimi në kultura fitimprurëse kanë potencial të konsiderueshëm në shumë vende në zhvillim. Por është e vështirë të parashikohet bujqësia si një sektor që thith fuqinë punëtore për ekonominë në vazhdim, pasi teknologjitë e reja kursejnë fuqi punëtore dhe kërkojnë kapital.
Atëherë, shërbimet do të mbeten sektori kryesor thithës i fuqisë punëtore në ekonomitë e vendeve në zhvillim. Kjo përbën një sfidë të madhe për ta. Sot, vendet e punës po krijohen kryesisht në një segment shumë të ndryshëm të ekonomisë—një përzierje e madhe e vetë-pronësisë ose firmave shumë të vogla, zakonisht të patregtueshme dhe shpesh informale. Pyetja kryesore është: si mund të rritet produktiviteti dhe kërkesa në këto aktivitete shërbimi që thithin fuqinë punëtore? Për këtë mund të ndiqet një strategji me tre drejtime për qeveritë. Së pari, inkurajoni krijimin e vendeve të punës me aftësi më të ulëta nga firmat më të mëdha që operojnë në shërbime të patregtueshme. Së dyti, të ofrohen inpute publike dhe qasje në investime për rritjen e produktivitetit për ndërmarrjet më të vogla. Së treti, investoni në teknologji që plotësojnë dhe jo zëvendësojnë punëtorët me aftësi të ulëta në sektorët e shërbimeve.
Praktika e politikës industriale ndërlidh pesë elemente kyçe: përfshirjen, koordinimin, monitorimin, kushtëzimin dhe zhvillimin institucional. E para, nga këto i referohet krijimit të një dialogu strategjik dhe bashkëpunimit me firmat për të sqaruar informacionin mbi pengesat dhe mundësitë për investime produktive, duke përfshirë dështimet e tregut.
Elementi i dytë është koordinimi i politikave. Ndryshe nga modeli standard, nuk ka asnjë supozim se taksat/subvencionet pigouviane do të jenë adekuate ose se ato mund të specifikohen paraprakisht. Mjetet juridike të nevojshme mund të variojnë nga ndryshimet në rregulloret e veçanta të qeverisë tek ofrimi i trajnimeve ose teknologjive specifike deri te stimujt financiarë (kujtoni skemën e punësimit të taksisë në Haryana). Në shumë raste, financat dhe absorbimi i riskut kanë qenë vendimtare.
Së treti, mësimi i qeverisë duhet të sistematizohet dhe të pasqyrohet në veprimet dhe vendimet e mëvonshme. Kjo kërkon një përpjekje të qartë për të monitoruar dhe vlerësuar rezultatet e vendimeve të politikës industriale. Shumë nga këto vendime do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në rezultate dhe gabime nën optimale. Ajo që ka rëndësi për suksesin e politikave industriale nuk është aftësia për të “zgjedhur fituesit” (ose për të identifikuar projekte me ndikime të mëdha të jashtme), por aftësia për të “lënë të humburit të shkojnë,” një kërkesë më pak e vështirë, por ende kërkuese.
Së katërti, dhe në lidhje me këtë, politikat e suksesshme industriale zakonisht ofrojnë stimuj të fortë për pajtueshmëri. Në Azinë Lindore, mbështetja financiare nuk ishte një dhuratë; mbështetja e vazhdueshme kërkonte sukses të vazhdueshëm nga ana e firmës, shpesh me tregues objektivë, si eksportet
Së pesti, politikat e suksesshme industriale kërkojnë institucione të reja dhe zhvillim institucional. Në shumë vende, bankat e zhvillimit luajtën një rol të rëndësishëm. Krijimi i rregullimeve institucionale në mënyrë që ato të mos kapeshin, por në të njëjtën kohë të ishin të ndjeshme ndaj dështimeve të tregut dhe nevojave sociale, ishte vendimtare. Ato sjellin ndërtimin e një lloji të ri marrëdhëniesh bashkëpunimi midis qeverisë dhe firmave private, me përgjegjësi dhe detyrime të ndërsjella.
REFLEKTIM PER SHQIPERINE
Në katër vitet e ardhshme, Shqipëria ka nevojë për një strategji të re që të përmbushë sfidat dhe mundësitë që sjell zhvillimi i shpejtë në sektorët e turizmit, teknologjisë dhe ekonomisë së gjelbër, të asaj blu dhe cirkulare. Kjo do të përfshijë një përpjekje të vazhdueshme për të ridimensionuar ekonominë dhe për të akomoduar strukturat e reja që nxisin një rritje të qëndrueshme dhe inovative. Procesi i ridimensionimit duhet të synojë, gjithashtu, mbështetje të fortë për sektorët që përfitojnë nga këto zhvillime, duke përfshirë politika të suksesshme për të mbështetur ndërmarrjet dhe projektet e reja që kontribuojnë në ekonominë e gjelbër dhe blu, në shërbime që krijojnë vende pune.
Në mënyrë të përputhshme, një reformë sociale, tashmë e nisur, është e domosdoshme për të adresuar pabarazitë që kanë shpërthyer si rezultat i këtyre zhvillimeve. Politikat duhet të synojnë vazhdimin e ngushtimit të diferencave të të ardhurave dhe mundësive midis grupeve të ndryshme të popullsisë. Kjo do të përfshijë investime në edukim dhe shëndetësi, si dhe masa për të siguruar që rritja ekonomike të jetë e barabartë dhe të ofrojë mundësi për të gjithë qytetarët. Ndërtimi i institucioneve të forta dhe krijimi i një klime të favorshme për rritjen e qëndrueshme do të jenë kyçe për një transformim të suksesshëm dhe të gjithanshëm.
Nëse pesimizmi është sot një qasje globale, Shqipëria ka shansin që të fuqizojë stimujt optimistë të zhvillimit ekonomik dhe përkrahjes pa kushte të brezit të ri në sidat për një zhvillim të shpejtë apo një rritje të qëndrueshme ne vazhdimësi.