Ndonëse ka ndryshime mes tyre, sot influencuesit e rrjeteve sociale janë shumë të ngjashëm me sipërmarrësit. Kanë një markë, ofrojnë një shërbim, qarkullojnë para. Fitimet në Shqipëri janë të ndjeshme, jeta që reklamohet është ajo e ëndrrave, ndaj të gjithë duan të jenë…influencues! Nga 50 euro deri në 2000 euro për një foto, po hasim ende një “treg” të paorganizuar dhe shpesh, informal
Në një nga kafenetë më në zë të zonës së ish-Bllokut, një vajzë në të 20-at e saj takoi një grup mikeshash, u ul, pa nxitimthi në menu, porositi dhe menjëherë sa kamerieri rikthehet me porosinë, tentoi 5 herë të bënte videon që dëshironte.
Në fytyrat e mikeshave lexohej mërzitja e një rituali që siç duket, ndodhte shpesh dhe nuk i lejonte të konsumonin pijen e tyre në qetësi.
Dhjetëra foto pasuan takimin dhe më shumë se biseda normale, gjithçka për të cilën vajza fliste, ishte sa pëlqime mori në postimin e fundit, sa video virale ka dhe cilat kompani i ishin afruar për t’i reklamuar.
Hapa Instagram-in, kishte 135 mijë ndjekës, nuk ishte figurë publike, as nuk punonte në media.
“Moda” e influencuesve zyrtarisht ka pushtuar botën. Ata paguhen ndërsa postojnë foto të tyret dhe të jetës së tyre, diçka që shumica e njerëzve të thjeshtë e bëjnë “falas”.
Gjatë dekadës së fundit, industria e influencuesve të mediave sociale është rritur nga asgjëja, në një armatë globale që ka riorganizuar mënyrën se si informacioni dhe kultura konceptohen, prodhohen dhe tregtohen.
Sektorë si moda, kozmetika, udhëtimet kryesuan fushat ku nisi ky “profesion”, por përmbajtja mori edhe drejtime të tjera: prindërim, psikologji, biznes, arsim etj.
Për pjesën më të madhe të tyre, ka funksionuar më së miri: globalisht, në fund të vitit të shkuar, industria llogaritet të vlejë 21 miliardë dollarë dhe parashikohet të arrijë në 24 miliardë dollarë në fund të 2024.
Njerëzit u besojnë influencuesve, përdoruesit e rrjeteve sociale informohen mbi lajmet më shumë nga ta se sa media tradicionale dhe shitjet nëpërmjet influencuesve kanë parë rritje progresive, në çdo kategori mallrash apo shërbimi.
Si është puna e influencuesit në Shqipëri?
Një kompani i drejtohet një influencuesi dhe duke prezantuar produktin apo shërbimin, njëkohësisht kërkon të dhëna sasiore të personit në fjalë, sa ndjekës ka, sa trafik gjeneron, çfarë fushatash ka bërë më parë dhe çfarë ndikimi ka pasur etj.
Nga ana tjetër, influencuesi informohet për kompaninë dhe produktet/shërbimet që ka. Vitet e fundit, kjo marrëdhënie kalon edhe nëpërmjet një agjencie të specializuar në fushën e marketingut dixhital, si urë lidhëse mes influencuesit dhe kompanisë.
Vendoset çmimi. Në fillim, bazoheshin te çmimet e reklamave në print, një lloj konvertimi i numrit të kopjeve me numrin e leximeve.
Me kalimin e viteve, tregu nisi të maturohej dhe çmimet të unifikoheshin.
Megjithatë, ka diferenca në format e fushatave që bëhen dhe kërkesat e vetë kompanive.
Tomi Kallanxhi, drejtues i “Big Media Expert”, kompani e cila është e fokusuar edhe në marketingun dixhital, pohon për “Monitor” se tregu i influencuesve në Shqipëri është zhvilluar me kalimin e kohës.
Në lojë kanë hyrë agjencitë që menaxhojnë komunikimin mes influencuesit dhe kompanive të ndryshme.
Sipas tij, me zhvillimin e botës dixhitale, është zhvilluar më tej ky treg. Z. Kallanxhi pohon se marketingu dixhital ka zënë pjesën më të madhe të tortës së atij tradicional dhe kompanitë janë gjithnjë e më shumë të orientuara drejt kësaj forme marketimi.
Format e bashkëpunimit me personazhe mediatike ose influencues janë kryesisht të strukturuara në formë pakete, që do të thotë se ofrohen disa shërbime, duke nisur nga shpërndarje story, postime, reel (format e videove në Instagram) dhe pagesat kanë arritur nga 50 euro për një foto deri mbi 2000 euro në paketë.
Pagesat, sipas tij, janë në varësi jo të numrit të ndjekësve, por të reagimeve të llogaritura në periudha mujore, që do të thotë numri i herëve që postet e një influencuesi shfaqen në ekranin para ndjekësve.
Sigurisht, kriter i rëndësishëm është edhe kategorizimi i natyrës së produktit me influencuesit: një modele nuk është personi i përshtatshëm për të reklamuar një produkt për bebe dhe duhet studiuar se cila është audienca prapa çdo influenceri.
Oliver Petrovski nga agjencia “New Moment” pohon se tregu i influencuesve është bërë aq i rëndësishëm sa po ndryshon dhe destinacionet e buxheteve të kompanive të mëdha, dukuri që po e ndiejnë madje dhe televizionet që historikisht kanë marrë pjesën e luanit.
“Në Shqipëri ky treg është shumë më i zhvilluar se në Maqedoninë e Veriut, psh”.
“Njerëzit mendojnë se ne u drejtohemi influencuesve për shkak të numrit të madh të ndjekësve që ata kanë. Sigurisht që kjo duhet, por ne i përdorim për shkak të vëmendjes me të cilën njerëzit shohin videot e tyre, jo për shkak të numrit të ndjekësve.
Materialet që ata publikojnë shihen me kujdes, sepse ndjekësit i njohin personazhet dhe duan që të shohin se çfarë bën apo thotë influencuesi”.
Ai shton se ka interes për njerëz realë, sidomos kur janë popullorë, çka bën që dhe angazhimi në video të jetë i lartë, që nga shikueshmëria, ndarjet (share), komentet.
Pagesat deri në 2000 euro/paketë
Format e bashkëpunimit me personazhe mediatike ose influencues janë kryesisht të strukturuara në formë pakete, që do të thotë se ofrohen disa shërbime, duke nisur nga shpërndarje story, postime, reel (format e videove në Instagram) dhe pagesat kanë arritur nga 50 euro për një foto deri mbi 2000 euro në paketë.
Anaid Kaloti, nga “SHET Influencer Industry”, thotë se çmimet nisin nga 50 euro deri në 500 euro për postim.
“Ka disa tregues për shumën që ti paguhesh: sa korrekt je ndaj publikut, çfarë gjuhe komunikimi ke me ta, je thjesht figurë publike apo ke edhe ndërveprim ku përfshihet ndarja me audiencën e elementeve të ditës tënde: veshje, gatime, pushime apo evente etj.
Pastaj studion edhe numrat. Sigurisht që figurat publike, sidomos ata të mirënjohur në ekrane mediatike, paguhen edhe më shumë për shkak të imazhit që kanë”, – pohon z. Kaloti
Jori Vila, nga “OZ Marketing” thotë se, qëkurse bashkëpunimi priret më shumë të krijohet nëpërmjet arsyetimeve profesionale dhe jo pëlqimeve apo opinioneve personale, shikohet që influencers marketing të marrë peshë dhe të bazohet në tregues dhe shifra.
“Influencers vetë janë më përzgjedhës dhe tentojnë të jenë më profesionalë dhe markat, nga ana tjetër, janë më kërkuese dhe tentojnë të priren drejt matjeve konkrete dhe jo thjesht drejt përmbajtjes trendy apo të bukur”, – thotë znj. Vila.
Ajo shton se ka ikur koha kur kompanitë apo agjencitë shikonin vetëm numrin e ndjekësve të një influenceri të caktuar. “Një profesionist do dallojë menjëherë nëse një profil i ka ‘k’-të e blera.
Markat dhe influencers duhet të kuptojnë që më shumë se sa ‘k’ tek followers, kanë vlerë shifrat e insights dhe të fillojnë të komunikojnë përmes tyre”, thotë ajo.
Industria
Industria e influencuesve është një hapësirë për sipërmarrje dhe eksplorim, lidhje dhe angazhim, të vërteta dhe shtirje, shprehje e vetvetes dhe ezaurim.
Tregu, mes informalitetit
Influencuesit mendohen se janë liderë që gjenerojnë tematika dhe vendosin tendencat në mesin e një auditori ndjekësish, duke i pozicionuar ato në një drejtim të caktuar, për t’u partnerizuar me markat, mbi përmbajtjen e sponsorizuar.
Ndikuesit po “konkurrojnë” tregun e reklamave tradicionale dhe po përhapin mesazhin e një marke për audiencën e synuar në një mënyrë autentike.
Influencuesit në përgjithësi fitojnë para nga miratimi i produkteve në faqen e tyre – të cilat duhet të etiketohen qartë si reklama për shkak të rregullave të Autoritetit të Standardeve të Reklamimit.
Në Shqipëri, tregu nuk është ende i strukturuar dhe jo çdo influencues punon formalisht.
Ndonëse po merr përmasa të mëdha, Petrovski thotë se askush nuk e mat tregun e influencuesve.
Tregu global
Në fund të vitit të shkuar, industria në botë llogaritet të vlejë 21 miliardë dollarë dhe parashikohet të arrijë 24 miliardë dollarë në fund të 2024.
Pagesat për influencers në Shqipëri:
Pagesat për influencers variojnë sipas ndjekësve:
- Mikroinfluencers (nën 10,000 ndjekës): rreth 100 euro
- Mes 10,000 dhe 50,000 ndjekës: 200 – 400 euro
- Mbi 50,000 ndjekës: rreth 600 euro
- Mbi 100,000 ndjekës: 700 – 1700 euro
Shifrat janë më të larta për postime të miksuara në Instagram dhe TikTok, duke kaluar 2000 euro.
Burimi: Agjencitë e marketingut
Më të ndjekurit dhe më influencuesit
Sipas StarNgage+, një platformë e njohur botërore për matjen e suksesit të influencuesve, 3 janë “yjet” në Shqipëri që kanë ndërthurjen mes ndjekësve, angazhimit dhe feedback më të lartë: Luana Vjollca, 2.2 mln ndjekës, Noizy 2.2 milionë ndjekës dhe Armina Mevlani, 2 milionë ndjekës. Emrat e tjerë që ndjekin janë Bes Kallaku, Alketa Vejsiu, Ermal Mamaqi, Bora Zemani, Rezarta Shkurta, Lori Hoxha etj./Monitor