Nga Arthur C. Brooks
E dëshiroje dhe punove fort për ta pasur. Por të gjitha përpjekjet tuaja rezultuan të kota. Ndoshta marrëdhënia juaj romantike ka marrë fund, kompania juaj ka falimentuar ose jeni pushuar nga puna.
Ndoshta keni mbetur në provim edhe pse kishit studiuar shumë, nuk gjetët dot një botues për librin tuaj, ose nuk shënuat dot me portën bosh duke sjellë humbjen e ekipit. Ndjesia që përjetoni në raste të tilla nuk ka të bëjë me keqardhjen, pra me atë që ndjenit ndërkohë që do të kishit dashur të kishit bërë më shumë. Është shumë më e keqe:ju bëtë më të mirën, por edhe kjo nuk mjaftoi.
Ky lloj dështimi është shumë i dhimbshëm, dhe hedhja pas krahëve e tij është ndonjëherë është e vështirë. Nëse libri, ndeshja apo puna ishin të rëndësishme për identitetin tuaj, ju mund të nisni që ta shihni humbjen si pjesë të identitetit tuaj.
Atëherë,çfarë ndodh në raste të tilla? Njeriu mund të mbyllet në vetvete, dhe të shpresojë se koha do t`i shërojë plagët. Por ndoshta ju mund të zgjidhni që të përballeni me vuajtjen dhe ta menaxhoni atë në mënyrë aktive. Në këtë mënyrë, do të përmirësoni jo vetëm gjendjen shpirtërore. Me pak njohuri dhe praktikë, dështimi mund të shndërrohet në një burim rritje, madje edhe lumturie.
Mendimi obsesiv mbi një dështim që ka ndodhur është kundër-produktiv
Në fillim të karrierës sime si regjisor, në një rast bëra një gabim që solli një trajtim poshtërues nga ana e medias. I thashë fqinjit tim – një politikan i vjetër që kishte punuar shumë vite në Uashington – se ndihesha si një dështak për shkak të atij incidenti.
Pasi më dëgjoi, më tha:“Në një shkallare problemesh që varion nga 0 në 10, pak a shumë ju ju jeni tek 0.25”. Por edhe pse është i vogël në krahasim me të tjerët, çdo dështim ka sërish një shije të hidhur, sidomos kur keni bërë më të mirën. Në mungesë të justifikimeve të thjeshta, ne vazhdojmë të kërkojmë nga vetja shpjegime për dështimin, të cilat thjesht nuk ekzistojnë. Por kjo është një ide e keqe, pasi ta mbash vazhdimisht mendjen tek një dështim që ju ka ndodhur, e mban atë para syve tuaj dhe në qendër të jetës, dhe kjo mund të çojë në dështime të tjera. Ne fillojmë të imagjinojmë një sërë ngjarjesh, që më pas na çojnë drejtë shkatërrimit dhe varfërimit.
Themi me vete:“Më pushuan nga puna. Tani askush nuk do të dojë të më punësojë, do të jem përgjithmonë i papunë dhe mund të humbas edhe shtëpinë. Jeta ime është shkatërruar!”. Dhimbja emocionale pas dështimit na ka ndihmuar të mësojmë të mos provojmë të njëjtën gjë dy herë.
Studime të ndryshme kanë zbuluar se të menduarit vazhdimisht mbi një dështim, ose i pengon njerëzit të ndërmarrin diçka të re, ose i shtyn ata ta bëjnë këtë me një hezitim shumë të madh. Frika dhe mosbesimi shtohen, duke shpërdoruar jo pak shanse për suksese të reja.
Për të kapërcyer gjendjen ku ndodhesha pas dështimit, u konsultova me Xiaodong D.Lin, profesor i studimeve njohëse në Kolegjin e Pedagogjisë në Universitetin e Kolumbias, SHBA.
Lin ka studiuar për vite me radhë dështimet e pashmangshme të shkencëtarëve, sportistëve apo njerëzve të zakonshëm. Ja cilat janë strategjitë që ai rekomandon për të kapërcyer një dështim,madje edhe për të përfituar nga një situatë e tillë:
Mendoni jo vetëm për dështimet tuaja, por edhe ato të të tjerëve
Mjekët dhe terapistët që trajtojnë frikërat e ndryshme, e kanë ditur prej kohësh se ekspozimi ndaj objektit që e gjeneron frikën, mund ta bëjë atë më të zakonshme dhe kësisoj më pak kërcënuese. Duke e thelluar këtë koncept, Lin dhe kolegët e tij kryen disa vite më parë një eksperiment.
Ata u treguan studentëve historitë e sukseseve por edhe dështimeve të shkencëtarëve më të famshëm të botës, ose vetëm sukseset. Studiuesit zbuluan se studimi i dështimeve, i motivonte studentët të menaxhonin më mirë dështimet e tyre, dhe i ndihmoi ata të merrnin nota shumë më të mira sesa bashkë-moshatarët e tyre që mësonin vetëm historitë e suksesit të shkencëtarëve të njohur.
Edhe studimi i dështimeve tuaja, mund t’i bëjë ato të duken më pak zemër-thyese. Në një artikull të vitit 2010 të botuar në “Nature”, një studiues sugjeroi që njerëzit të mbanin një listë të shkruar të gjërave që u kanë shkuar keq në jetë.
Në pamje të parë mund të tingëllojë si diçka që ju e bëni shpesh në mendje, por është shumë më ndryshe kur e shkruani diku. Mish-mashi i gjërave që sillen në kokën tonë na detyron shpesh të qëndrojnë në sferën e errët të emocioneve dhe që janë të vështira për t’u menaxhuar. Shkrimi i tyre mund të imponojë një përpjekje konjitive njohëse dhe të ndihmojë për të pasur një këndvështrim më të qartë dhe më logjik mbi ngjarjet, duke treguar anën e tyre pozitive.
Ndaloni së dëshiruari suksesin
Një nga arsyet pse dështimi mund të jetë psikologjikisht kaq shkatërrues, është se ne i vendosim vetes synimin për të qenë të suksesshëm, në vend se të përmirësohemi si njerëz apo të mësojmë. Synimi drejt suksesit, mund të duket si rruga e duhur, por është në fakt një qasje e gabuar sidomos në një botë të fiksuar pas CV-ve dhe karrierës.
Në një e-mail që më dërgoi në ato kohë, Lin shkruante se vlera që krijojmë në punë dhe në jetë, ka më pak të bëjë me atë që arrijmë dhe më shumë me njohuritë dhe përvojën tonë, duke përfshirë atë që mësojmë pas një dështimi. Ka shumë prova se dështimi është një shtytës shumë i fuqishëm i përmirësimit.
Studiuesit që rishikuan ecurinë akademike të kandidatëve për një bursë kërkimore nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, zbuluan se ata që nuk patën menjëherë sukses në fillim të karrierës së tyre, kishin ecur më mirë në planin afatgjatë, sesa ata që ishin menjëherë të suksesshëm.
Mbani në qendër të jetës idealet tuaja
Zakonisht qëllimet e vlefshme motivohen nga diçka më e thellë se sa suksesi. Gjatë bisedave që zhvilloi me disa fitues të Çmimeve Nobel, Lin vuri në dukje se “të gjithë kishin një pasion të madh dhe një dëshirë të zjarrtë për të zbuluar të vërtetën mbi një problem”.
“Për këta njerëz, fitimi i Çmimi Nobel nuk ka qenë kurrë arsyeja e punës së tyre të palodhur”- theksoi ai. Ai nuk është vetëm një parim etik, por edhe praktik. Fokusimi tek vlerat tuaja thelbësore, ju ndihmon të kuptoni në radhë të parë pse keni vendosur të rrezikoni për të arritur një qëllim.
Disa njerëz përballen me më shumë humbje dhe zhgënjime se sa të tjerët, dhe këtu ndikon fati, rrethanat, gjykimi apo edhe prirja për të ndërmarrë shumë rreziqe. Por pavarësisht se kush jeni, dështimi herët a vonë do të shfaqet edhe në jetën tuaj. Ndaj nuk është e rëndësishme të pyesni veten nëse do të dështoni ndonjëherë, por çfarë do të bëni pasi të ndodhë diçka e tillë.
Ata që kërkojnë një mirëqenie më të madhe, gjejnë kuptim dhe qëllim edhe në pengesat që hasin, dhe më vonë arrijnë të bëhen më të fortë dhe më efektivë. Tomas Edison na ofron ndoshta shembullin më të madh në këtë aspekt.
Një herë një ndihmësi i tij i ri u dëshpërua, pasi po kryente disa herë eksperimente duke dështuar. “Asnjë rezultat”- e kishte pyetur Edison, dhe ai i ishte përgjigjur“Miku im, unë kam pasur shumë rezultate. Tani di gjëra të ndryshme dhe mijëra që nuk do të funksionojnë”.Edhe nëse bëhet fjalë për ndezjen e një llambe, aplikimin për një vend pune apo të kërkuarit e dashurisë, ky është këndvështrimi i duhur mbi dështimin.