Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin më të shtrenjtë të karburanteve në botë. Kjo edhe pse jemi ndër vendet më të varfra të rajonit dhe Europës, thënë ndryshe me pagën më të ulët mesatare dhe minimale dhe të ardhurat më të ulëta të disponueshme për frymë.
Sipas renditjes së Global Petrol Price, ne jemi vendi i 11 në botë për çmimin më të lartë të naftës, me 1.93 dollarë për litër. Me këtë nivel çmimi, nafta dhe benzina shiten te ne shumë më shtrenjtë se në të gjitha vendet e tjera të rajonit. Në Ballkanin Perëndimor, vendi me çmimin më të lirë të naftës është shumë afër nesh, Maqedonia e Veriut me 1.43 dollarë për litër.
Ekspertët e ekonomisë rendisin disa arsye që shpjegojnë pse çmimet e karburanteve janë në nivele të tilla, kaq të larta në Shqipëri. Mungesa e kontrollit të tregut nga institucionet shtetërore është faktori kryesor sipas tyre, që kushtëzon një situatë të tillë kaq diskriminuese për qytetarët. Ata shpjegojnë se kompanitë abuzojnë me çmimin dhe askush nuk i kontrollon.
Kjo është edhe arsyeja, pse në vite në Shqipëri ka ndodhur një dukuri, që tashmë duket se nuk shqetëson askënd. Ndërsa në tregjet financiare ndërkombëtare çmimi i naftës është ulur, në Shqipëri kjo nuk është reflektuar fare ose është reflektuar në mënyrë thuajse të pandjeshme. E kundërta ka ndodhur, kur çmimi i arit të zi është rritur në bursa. Shtrenjtimi në Shqipëri ka qenë i menjëhershëm, brenda pak ditësh, edhe pse ligji, detyron kompanitë importuese të karburanteve që të krijojnë një rezervë në depozita prej 3 muajsh, e mjaftueshme për të amortizuar luhatjet e mundshme të çmimit.
Ekspertët shpjegojnë se importuesit dhe tregtarët e karburanteve janë akuzuar shumë herë për marrëveshje të fshehta dhe fiksim të çmimeve, duke deformuar tregun, konkurrencën e ndershme dhe duke dëmtuar konsumatorët. Por sipas tyre, Autoriteti i Konkurrencës, institucioni që me ligj monitoron tregun dhe e mbron nga situata të tilla abuzuese nuk ka arritur të vërtetojë atë që ndodh realisht.
Abuzimet me çmimet në treg dhe mungesa e kontrolleve nga institucionet janë dy arsyet e para pse shqiptarët I paguajnë shtrenjtë naftën dhe benzinën. Një tjetër faktor i rëndësishëm janë taksat e larta. Të gjitha qeveritë, në vite, kanë rritur dhe shtuar taksat mbi karburantet. Një faturë e rëndë që e paguajmë të gjithë ne dhe që po shkon, jo vetëm për të mbushur buxhetin e shtetit, por edhe për llogari private. Kjo duke pasur parasysh se një pjesë e taksave janë për shërbime të ofruara nga koncensionarët në tregun e karburanteve.
Aktualisht qytetarët shqiptarë paguajnë plot 8 taksa mbi çmimin e karburanteve, çka përbën një rast të paprecedentë, jo vetëm në Evropë por edhe në shkallë globale. Por cilat janë taksat që paguhen aktualisht mbi karburantet dhe sa rëndojnë ato në çmimin final?
Në çdo litër naftë që shitet në treg, qeveria shqiptare mbledh 38 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë riliencimi.
Këtyre katër taksave që shkojnë në buxhetin e shtetit u shtohen dy të tjera që paguhen për koncesionarët privatë. Ato janë tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, të cilat të dyja bashkë rëndojnë 3 lekë në çdo litër karburant. Këtyre dy tarifave private iu shtohet edhe tarifa e kontrollit të pompave, 2 lekë për çdo litër karburant. Në fund, mbi katër taksat shtetërore dhe tre private, shtohet edhe tatimi mbi vlerën e shtuar. TVSH-ja mbi naftën është 20 për qind e çmimit final, ose rreth 30 lekë për litër. Kjo e çon barrën totale të taksave që qytetarët paguajnë për një litër naftë plot 113 lekë.
Pra në një litër naftë, që sot në treg shitet mesatarisht me rreth 187 lekë, vlera e produktit është vetëm 74 lekë, ndërsa 113 lekë janë taksa, që qytetarët i paguajnë jo vetëm për qeverinë, por tashmë edhe për koncesionarët privatë. Kjo është dhe arsyeja kryesore se pse Shqipëri është në 11 vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë, në vlerë absolute. Ndërsa nëse krahasohet sipas fuqisë blerëse të qytetarëve, Shqipëria është vendi ku karburanti kushton me shtrenjtë se kudo tjetër në planet.
Çmimet e larta të karburanteve rëndojnë jo pak buxhetet e qytetarëve, kostot e biznesit dhe rrjedhimisht, ekonominë.
Kjo pasi nafta dhe benzina ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e kostove të transportit, jo vetëm atyre që zotërojnë një automjet, por edhe rritjes së çmimit të biletave në transportin urban dhe interurban. Nga ana tjetër, karburantet janë lëndë e parë në prodhimin e pjesës më të madhe të produkteve. Kjo do të thotë se rriten kostot e prodhimit dhe rrjedhimisht, ato shkarkohen tek konsumatori me shtrenjtim të çmimit të produkteve./A2 CNN