• Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Logo LIGJET E BIZNESIT


Fillimi Finance

Ndryshon Banka e Shqipërisë, ul për herë të parë nga shkurti 2022 normën bazë të interesit

nga Fast News
11 months më parë
në Finance
0
Ndryshon Banka e Shqipërisë, ul për herë të parë nga shkurti 2022 normën bazë të interesit
152
SHPERNDAJ
1.9k
Klikime
Share on FacebookShare on Twitter

Banka e Shqipërisë ka ndryshuar kahun e politikës monetare. Këshilli Mbikëqyrës I BSH-së uli me 0.25% normën bazë të interesit për lekun, për herë të parë që nga marsi 2022.

Norma bazë e interesit të ulet në nivelin në nivelin 3.0%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të ulen përkatësisht në nivelet 2.0% dhe 4.0%.





Në shkurt 2022, Banka e Shqipërisë filloi shtrëngimin e politikës monetare në përgjigje të rritjes së inflacionit, duke e çuar normën bazë nga 0.5% në 3.25%, me rritjen e fundit që ishte në nëntor 2023.

Guvernatori I bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha në konferencën për shtyp se ecuria pozitive e ekonomisë dhe rënia e inflacionit ishin arsyet kryesore të këtij vendimi.

“Të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi. Aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të parë të vitit, inflacioni ka ardhur në rënie, tregjet financiare kanë qenë relativisht të qeta, ndërsa kreditimi ka shënuar rritje progresive. Këto zhvillime kanë qenë, në përgjithësi, në linjë me pritjet tona.

Megjithatë, rënia e inflacionit në tremujorin e dytë ishte relativisht e shpejtë, e diktuar nga rritja e ofertës së artikujve ushqimorë në tregjet rajonale dhe në tregun vendas. Efektet e kësaj goditjeje në inflacion priten të jenë të pranishme edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit.

Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se momenti pozitiv i zhvillimit të ekonomisë shqiptare do të vijojë edhe në të ardhmen. Vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të rritet gjatë vitit 2024 e në vazhdim, ndërsa inflacioni pritet të luhatet rreth niveleve aktuale gjatë pjesës së mbetur të vitit 2024 dhe të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës e gjykoi të nevojshëm një lehtësim të qëndrimit të politikës monetare, duke synuar të krijojë kushte sa më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve”, tha guvernatori.

Guvernatori tha se inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie të mëtejshme gjatë muajve prill dhe maj, duke regjistruar një nivel mesatar prej 2.1%. Kjo rënie ishte disi më e shpejtë se pritjet tona. Nga këndvështrimi i shportës, rënia e inflacionit u diktua nga reduktimi i shpejtë i inflacionit të artikujve ushqimorë, ndërkohë që artikujt e tjerë të shportës shfaqën norma relativisht të qëndrueshme inflacioni.

Nga këndvështrimi makroekonomik, trendi rënës i inflacionit vijon të pasqyrojë – në masën më të madhe – reduktimin e inflacionit të importuar, në përgjigje si të një ecurie të ngjashme të këtij treguesi në partnerët tanë tregtarë, ashtu edhe të trendit forcues të kursit të këmbimit. Në veçanti, reduktimi i inflacionit të ushqimeve gjatë muajve prill – maj ishte në linjë me rënien e inflacionit të tyre në vendet e rajonit, duke sugjeruar se ky reduktim pasqyron një goditje pozitive oferte.

Nga ana tjetër, inflacioni i brendshëm shfaqet relativisht i qëndrueshëm, duke pasqyruar si kërkesën solide për mallra e shërbime, ashtu edhe rritjen e shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit.

Informacioni i ri sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në gjysmën e parë të vitit 2024, me norma të përafërta me ato të vitit të shkuar. Treguesit e disponuar nga sektori real dhe ai financiar sugjerojnë se rritja ekonomike ka vijuar të udhëhiqet nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga zgjerimi i sektorit të turizmit. Nga ana tjetër, eksporti i mallrave ka shënuar rënie, ndërsa sektori publik vijon të ndjekë një politikë fiskale konsoliduese, të materializuar në nivele relativisht të larta të suficitit buxhetor.

Në tërësi, burimet e rritjes shfaqen të shëndetshme, duke dhënë garanci për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen. Kështu, përmirësimi i gjendjes financiare të sektorit privat, mjedisi financiar i qëndrueshëm dhe akomodues, rritja progresive e kredisë, si dhe pritjet pozitive për të ardhmen po ushqejnë rritjen e kërkesës së brendshme. Paralelisht me to, interesi për të vizituar dhe për të investuar në Shqipëri – sikurse lexohet nga numri i lartë i vizitorëve dhe rritja e investimeve të huaja direkte gjatë muajve të parë të vitit – po ushqen rritjen e eksporteve të shërbimeve dhe të sektorëve të lidhur me të.

Në vlerësimin tonë, ekonomia shqiptare qëndron ende në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Ky vlerësim mbështetet, ndër të tjera, nga raportimet e bizneseve për rritjen e shfrytëzimit të kapaciteteve të tyre prodhuese dhe nga zhvillimet pozitive në tregun e punës. Të dhënat e reja nga ky treg dëshmojnë përshpejtimin e rritjes së pagave të sektorit privat – në 12.7% në tremujorin e parë – dhe rritjen e vazhduar të tyre në sektorin publik. Rritja e pagave dhe rënia progresive e inflacionit ka mbështetur të ardhurat e disponuara të familjeve dhe ka rritur fuqinë blerëse të tyre. Nga ana tjetër, rritja e deritanishme e pagave dhe e kostove të prodhimit është përcjellë vetëm pjesërisht tek çmimet e konsumit, duke pasqyruar absorbimin e tyre pjesërisht nga rritja e produktivitetit dhe pjesërisht nga reduktimi i marzheve të fitimit të bizneseve.

Politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka pasur një ndikim pozitiv në ruajtjen e ekuilibrave monetarë e financiarë të vendit. Normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare gjatë periudhës 2022 – 2023 bëri të mundur reduktimin e presioneve inflacioniste, pa dëmtuar perspektivat afatmesme të rritjes ekonomike.

Në përgjigje të kësaj politike, tregjet financiare kanë qenë të qeta, të karakterizuara nga likuiditet i bollshëm dhe prime të ulëta rreziku. Nga ana tjetër, ndonëse më të zbehta se një vit më parë, presionet mbiçmuese të lekut janë rishfaqur në tregun valutor, të nxitura nga rritja e ofertës valutore që vjen si pasojë e zgjerimit të mëtejshëm të flukseve hyrëse të turizmit.

Ritmi i rritjes së kredisë bankare vijoi të përshpejtohet gjatë muajve prill – maj, duke regjistruar një nivel mesatar prej rreth 14%. Zgjerimi i kredisë pasqyron në masën më të madhe rritjen e shpejtë të kredisë në lekë, portofoli i së cilës shënoi një rritje vjetore prej 22% në muajin maj.

Kjo ecuri ka pasqyruar si normat relativisht të ulëta të interesit të kredisë në lekë, të cilat kanë rritur kërkesën për këtë segment, ashtu edhe një kujdes më të madh të biznesit dhe familjeve shqiptare në drejtim të reduktimit të ekspozimit të panevojshëm ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Ky trend ka sjellë rritjen e mëtejshme të peshës së portofolit të kredisë në lekë, duke rritur efektivitetin e politikës monetare dhe duke forcuar stabilitetin financiar të vendit.

me të, kredia për sektorin privat shfaq edhe disa trende të tjera pozitive zhvillimi: ajo ka një orientim të rritur drejt financimit të investimeve të biznesit, si dhe vijon të ruajë një cilësi të mirë të portofolit, sikundër dëshmohet nga nivelet historikisht të ulëta të treguesit të kredive me probleme. Këto zhvillime pozitive pritet të vijojnë dhe në të ardhmen.

Përditësimi i parashikimeve rikonfirmon parashikimet tona të mëparshme. Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik projektohet të vijojë të rritet, si në horizontin afatshkurtër dhe në atë afatmesëm. Rritja ekonomike do të mbështetet nga përmirësimi gradual i ambientit të huaj, bilancet solide të sektorit privat dhe kushtet akomoduese monetare. Paralelisht me të, inflacioni parashikohet të luhatet pranë niveleve aktuale gjatë vitit 2024 dhe të kthehet gradualisht në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, përditësimi i parashikimeve sugjeron se balanca e rreziqeve ndaj parashikimit të inflacionit është e zhvendosur në kahun e poshtëm në horizontin afatshkurtër. Kjo zhvendosje pasqyron pasiguritë që ekzistojnë mbi intensitetin dhe kohëzgjatjen e goditjes së ofertës mbi çmimet e produkteve ushqimore. Nga ana tjetër, balanca e rreziqeve ndaj parashikimit të inflacionit paraqitet më neutrale në afatin e mesëm”, tha Sejko.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se ky lehtësim i qëndrimit të politikës monetare është konsistent me respektimin e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm. Në veçanti, ky lehtësim ilustron fleksibilitetin e politikës sonë monetare dhe adreson rreziqet afatshkurtra mbi inflacionin që burojnë nga goditjet e ofertës dhe një pasqyrim i mundshëm i tyre në pritjet për inflacionin. Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo lëvizje është në kah të njëjtë me lehtësimin e qëndrimit të politikës monetare të ndërmarrë nga Banka Qendrore Evropiane në muajin qershor, duke parandaluar pasoja të padëshirueshme që ky veprim mund të kishte në kursin e këmbimit.

Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit”.

Etiketa: aktualitet
Pas

Greqia bëhet vendi i parë i BE-së që prezanton një javë pune gjashtëditore

Para

Mallrat e akcizës mbushin arkën e doganave, ndikimi kryesor nga karburantet

Para
Mallrat e akcizës mbushin arkën e doganave, ndikimi kryesor nga karburantet

Mallrat e akcizës mbushin arkën e doganave, ndikimi kryesor nga karburantet

Të Gjitha

Përballja ‘ndryshe’ Shqipëri-Serbi/ Skuadra Serbe kushton rreth dy herë më shumë në treg

Përballja ‘ndryshe’ Shqipëri-Serbi/ Skuadra Serbe kushton rreth dy herë më shumë në treg

nga Fast News
16:06 | 07/06/2025
0

Plani për të moshuarit/ A do të rriten pensionet? Sa do të jetë pension i 13-të?

Plani për të moshuarit/ A do të rriten pensionet? Sa do të jetë pension i 13-të?

nga Fast News
16:04 | 07/06/2025
0

Tom Cruise futet në Librin e Rekordeve Guinness

Tom Cruise futet në Librin e Rekordeve Guinness

nga Fast News
15:57 | 07/06/2025
0

Hapet ura hekurudhore më e lartë në botë

Hapet ura hekurudhore më e lartë në botë

nga Fast News
15:55 | 07/06/2025
0

Recent News

Përballja ‘ndryshe’ Shqipëri-Serbi/ Skuadra Serbe kushton rreth dy herë më shumë në treg

Përballja ‘ndryshe’ Shqipëri-Serbi/ Skuadra Serbe kushton rreth dy herë më shumë në treg

16:06 | 07/06/2025
Plani për të moshuarit/ A do të rriten pensionet? Sa do të jetë pension i 13-të?

Plani për të moshuarit/ A do të rriten pensionet? Sa do të jetë pension i 13-të?

16:04 | 07/06/2025

Categories

  • Aktualitet
  • Analizë
  • Barazia Gjinore
  • Biznes
  • Bota
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
  • Ekonomi
  • Finance
  • Lifestyle
  • LIGJET e BIZNESIT
  • Të gjitha
  • Teknologji
  • Uncategorized

Rreth nesh

Fast News Economy është portali dedikuar ekonomisë, që informon mbi zhvillimet e fundit nga vendi dhe bota. Lajme të shpejta, analiza, opinione, gjithcka që doni dhe duhet të dini nga ekonomia i gjeni këtu.
Fast News Economy portali i lajmit të shpejtë!
Fast News Economy

Mbështetur nga

Ky website mirëmbahet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e „Fast News Economy by Aurora Sulce“ dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar