Intervistë me Arlinda Muja, Presidente e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare
Publiku duhet të edukohet për faktin që detyrimet duhet të paguhen dhe mosbashkëpunimi me institucionin kredidhënës vetëm e rëndon situatën e tyre.
Arlinda Muja, Presidente e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, thotë në një intervistë për “Monitor” se ekziston një strategji e mirëpërcaktuar nga të gjitha institucionet e mikrofinancës për mënyrën e trajtimit të klientëve në vonesë.
Ata kontaktohen nëpërmjet mesazheve, telefonatave, letra njoftuese, vizita personale për çdo grup ditë vonesash.
Sipas saj, nëse klienti tregohet bashkëpunues, të gjithë institucionet e shoqatës konfirmojnë që zbatojnë politika lehtësuese, duke ulur ose duke falur kamatëvonesa apo edhe komisionet dhe gjithashtu u ofrojnë klientëve mundësinë që ata të rregullojnë statusin e kredisë së tyre, duke e zgjatur në kohë për të paguar një këst mujor më të përballueshëm për ta (ristrukturime).
Ajo thekson se, vetëm në rast të mungesës së bashkëpunimit nga klienti, atëherë fillon procedura ku përfshihen dhe palë të treta, të cilat kanë si fushë veprimi mbledhjen e kredive në vonesë, apo dhe zbatimin e urdhrave të gjykatës dhe proceset përmbarimore.
Znj. Muja mendon se është e gabuar të vësh në pikëpyetje të gjithë sistemin apo zinxhirin në lidhje me kreditë dhe mbledhjet e tyre për disa praktika të gabuara, të cilat do të duhet të izolohen dhe të trajtohen më vete.
Nga informacioni juaj, konstatoni ekzistencën e praktikave në shkelje të etikës apo të ligjit nga kompanitë e mbledhjes së borxheve apo nga përmbaruesit gjyqësorë privatë? Nëse po, cilat janë vërejtjet apo rezervat tuaja në lidhje me sa më lart?
Ne si Shoqatë dhe përfaqësues të kompanive të sektorit të mikrofinancës jemi pjesë e këtij sektori të rregulluar e cila përcakton qartë fushat tona të veprimit dhe të ushtrimit të biznesit. Për këtë arsye, mund të flas me siguri të plotë për procesin e dhënies së kredisë që nga momenti i parë e deri në disbursim.
Gjithashtu, të gjitha kompanitë kanë një proces të përcaktuar të njoftimit të klientit për të gjitha detyrimet që ai mbart ligjërisht me firmosjen e kontratës si përpara datës së pagesës, ashtu dhe pas kësaj date.
Pasi kjo kredi ka kaluar në vonesë gjatë pa asnjë kontakt me klientin apo refuzim total nga klienti, atëherë fillon një procedurë tjetër. Në këtë rast përfshin dhe palë të treta, të cilat kanë si fushë veprimi mbledhjen e kredive në vonesë apo dhe zbatimin e urdhrave të gjykatës dhe proceset përmbarimore.
Duke qenë se fushat e veprimit janë kaq të ndryshme është e vështirë për ne të jemi në dijeni e për më tepër të gjykojmë mënyrën e veprimit të këtyre kompanive.
Çdo proces në këtë zinxhir kërkon një ekspertizë dhe burime njerëzore të caktuara dhe për këtë arsye janë vendosur njësi të veçanta për t’i kryer ato. Besoj se ekzistojnë strukturat e duhura për të gjykuar ekzekutimin teknik dhe etik të këtyre kompanive.
Gjithsesi dua të shpreh, që është e gabuar të vësh në pikëpyetje të gjithë sistemin apo zinxhirin në lidhje me kreditë dhe mbledhjet e tyre për disa praktika të gabuara, të cilat do të duhet të izolohen dhe të trajtohen veçantë.
Vlerësoni se në problematikat e krijuara mund të ketë përgjegjësi edhe nga institucionet e kredidhënies, p.sh. në aspektin e trajtimit fillestar të rasteve, ngarkesës së padrejtë me penalitete, në komunikimin e munguar apo të pamjaftueshëm me klientët, ose në këndvështrime të tjera?
Besoj fortësisht që jo. Siç u shpreha dhe më lart, kompanitë anëtare të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare e kanë si pjesë të politikave dhe procedurave të brendshme që bazohen në rregulloret e licencimit dhe më pas të kontrolluar nga rregullatori për transparencën në mënyrën se si një individ apo biznes do të informohet në lidhje me kredinë që po merr.
Të gjitha informacionet mbi tarifat e kredisë, ashtu dhe të komisioneve të tjera në lidhje me pagesën e kredisë apo me mospagesën e kredisë.
Këto informacione janë në faqet zyrtare të anëtarëve, në informacionin parakontraktor, si dhe në kontratën që ata firmosin në momentin e lëvrimit të kredisë.
Shpjegimi i këtyre termave nga institucionet pjesë të shoqatës, që kryhet me klientin gjatë kredimarrjes është vërtet i detajuar dhe nga disa institucione anëtare të shoqatës, në momentin e firmosjes së kontratës, individëve u nënvizohet ky informacion për të tërhequr vëmendjen në elementet më të rëndësishme të kësaj kontrate.
A ka një trajtim të mjaftueshëm të kredive të pakthyera nga vetë institucionet e kredidhënies, para se portofolat të shiten tek institucionet e mbledhjes së borxheve apo përpara se të ndiqen hapat që parashikon ligji për ekzekutimin e detyrueshëm?
Duke vazhduar logjikën e informimit të klientëve duhet t’ju komunikoj që ekziston një strategji e mirëpërcaktuar nga të gjithë anëtarët për mënyrën e trajtimit të klientëve në vonesë. Ata kontaktohen nëpërmjet mesazheve, telefonatave, letra njoftuese, vizita personale për çdo grup ditë vonesash.
Në total janë minimumi 20 kontakte dhe 3 letra njoftuese. Më duhet të përmend që, nëse klienti tregohet bashkëpunues. të gjithë institucionet e shoqatës konfirmojnë se zbatojnë politika lehtësuese duke ulur apo duke falur kamatëvonesa apo edhe komisione dhe gjithashtu u ofrojnë klientëve mundësinë që ata të rregullojnë statusin e kredisë së tyre, duke e zgjatur në kohë për të paguar një këst mujor më të përballueshëm për ta (ristrukturime).
Siç e shihni dhe nga ilustrimi më poshtë bëhet çmos që klienti të krijojë rregullsi në pagesat e tyre, dhe vetëm në rast se klienti nuk tregohet bashkëpunues apo nuk pranon të komunikojë me institucionin kredidhënës vazhdon procesi.
Ne duhet të edukojmë popullsinë që kredia është një detyrim që do të paguhet dhe nuk shuhet sado kohë që të kalojë. Shmangia e kontaktit me institucionin kredidhënës thjesht rëndon situatën e tyre dhe nuk na lejon t’i ofrojmë zgjidhje mbi situatën e vështirë që ata kanë në atë moment.
Çdo klient, ka detyrim që të njoftojë kredidhënësin në rast se adresa apo kontakti telefonik i tyre ndryshon, në mënyrë që ata të kenë mundësi që të jenë të informuar në cdo moment mbi kredinë dhe detyrimet e tyre./Monitor