Nga Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Kur flasim për mirëmenaxhim fiskal nënkuptojmë mënyrën sesi përdoret paraja publike ose thënë ndryshe, paratë e taksapaguesve. Qeveri të ndryshme kanë filozofi të ndryshme. Një pjesë e vendeve janë të fokusuara tek investimet publike dhe të tjera tek mbrojtja sociale. Por ku qëndron Shqipëria në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perendimor?
Sipas të dhënave të qendrës studimore të taksave Altax, shpenzimet buxhetore kanë në secilin prej vendeve të rajonit një pjesë më të madhe në raport me të ardhurat buxhetore, mesatarisht sa 2.3% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) në tri vitet e fundit.
Duke analizuar treguesit e volumit të shpenzimeve sipas vendeve, shihet se nivelin më të lartë në raport me PBB-në e shikojmë në Serbi, të cilat vlerësohen sa 44.9% e PBB-së; pasuar nga Mali i Zi sa 42% e PBB-së dhe në Bosnje Hercegovinë sa 41.6% e PBB-së. Këto shpenzime të larta në rajon janë në proporcion me nivelin e lartë të të ardhurave buxhetore. Thënë ndryshe, këto vende mbledhin më shumë të ardhura dhe si rrjedhim, shpenzojnë më shumë.
Tre vendet e tjera të rajonit realizojnë shpenzime buxhetore deri 15.7% më të ulëta (nëse krahasojmë Serbinë me Shqipërinë).
Maqedonia e Veriut ka mbajtur të njëjtin nivel shpenzimesh buxhetore që prej 2022, që janë sa 36.4% e PBB-së. Kosova në vitin 2023 ka rritur nivelin e shpenzimeve buxhetore me 4.2% të PBB-së më shumë se në 2022-in, duke realizuar shpenzime buxhetore sa 32.6% e PBB-së.
Ndërsa Shqipëria e ka ulur nivelin e shpenzimeve buxhetore vitin e kaluar me 1.2% të Produktit të Brendshëm Bruto, kryesisht për arsye të moskryerjes së investimeve kapitale të planifikuara për 2023-in. Në total, shpenzimet për këtë periudhë kanë qenë në nivelin 29.2% të PBB-së.
Edhe për këto vende shihet se kanë një nivel më të ulët shpenzimesh buxhetore, pasi janë të varur nga niveli më i ulët i të ardhurave buxhetore.
“Besueshmëria e dobët buxhetore është një problem për të gjitha vendet e rajonit. Ky realitet i buxheteve të vendeve të Ballkanit Perendimor është i varur nga pasiguria dhe menaxhimi i buxhetit në termat e programimit dhe kontrollit në zbatim. Nga analiza jonë e vazhdueshme vërejmë se problemet e buxhetit në vendet e rajonit janë një çështje menaxhimi dhe vullneti politik për t’u përballur me korrupsionin (aftësi më e madhe e menaxhimit politik dhe teknik do t’i reduktonte mjaft probleme). Ato shfaqen pikërisht për shkak të natyrës kontraktuale të buxhetit kombëtar dhe stimujve të ndryshëm të qeverisë dhe aktorëve të politikës dhe ekonomisë. Problemi i buxhetit është se ky instrument i shërben dy qëllimeve të qarta. Kur këto synime nuk përputhen, procesi buxhetor humbet rëndësinë e tij.
Kryeministri i çdo vendi kërkon të menaxhojë burimet e brendshme në një mënyrë të ndryshme nga ajo që ai projekton në dokumentet zyrtare të buxhetit. Është pjesërisht kompleksiteti i forcave që veprojnë mbi buxhetin që i pengon aktorët të braktisin plotësisht procesin: nuk është kurrë plotësisht e qartë nëse devijimet nga plani janë rezultat i një goditjeje të jashtme dhe kapacitetit të dobët, një paaftësie për të kontrolluar vartësit, ose presione konfliktuale nga grupe të ndryshme të interesit”, theksohet në raportin e Altax.
Për çfarë përdoren paratë?
Nëse e analizojmë buxhetin mbi pjesën që shpërndan për mbrojtjen sociale, shihet se Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut kanë shpërndarë për shpenzime sociale, respektivisht sa 15.7% dhe 14.9% e PBB[1]së, me vullnet konsistent në vitet e fundit. Mali i Zi dhe Serbia kanë një vijueshmëri të lartë të shpërndarjes së buxhetit për politikat sociale me nivel që respektivisht është sa13.1% dhe 12.9% e PBB-së së tyre.
Të dhënat tregojnë se në vitin 2023, Shqipëria ka rënie të pjesës së buxhetit për politikat sociale me një nivel sa 11.1% e Produktit të Brendshëm Bruto, por me 2.8% të PBB-së më pak se dy vite më parë. Kosova, ashtu si Shqipëria nuk ka shpërndarë pjesë të madhe të buxhetit për politikat sociale (sa 11.2% e PBB-së), por tregon një vullnet në rritje krahasuar me dy vite më parë. Në vendet e Ballkanit Perendimor, shpenzimet e përgjithshme të qeverive mesatarisht janë sa 13.2% e PBB-së së tyre, me një nivel që është i njëjtë në vitet e fundit, por i ulët në raport me vendet e BE-së (më pak për 6.3% në raport me PBB-në).
Për shpenzimet për administratën e qeverisë, Bosnjë Hercegovina ka nivelin më të lartë që tregon sa 10.6% të PBB-së e në këto nivele është edhe Mali i Zi me shpenzime për administratën sa 10% e PBB-së. Serbia vijon me të njëjtin nivel shpenzimesh si viti i kaluar edhe në 2023, duke dhënë fonde nga buxheti për administratën sa 9.7% të PBB-së së vendit.
Edhe Kosova ka dhënë fonde nga buxheti për administratën në nivel të konsiderueshëm apo sa 7.6% e PBB-së duke na treguar për një qeveri me dimensione të mëdha nisur nga niveli i shpenzimeve.
Ndërkohë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nivele të ulëta të shpenzimeve në raport me mesataren e vendeve të rajonit dhe respektivisht kanë shpenzuar për administratat sa 4.3% dhe 4.2% e PBB-së së tyre apo të paktën 1.7-1.8% më pak se mesatarja e shpenzimeve të vendeve të BE-së për shërbimet publike.
Përtej diskutimit sesa me efektivitet përdoren paratë nga çdo qeveri, një korrelacion është i qartë dhe i pakundërshtueshëm: ai mes të ardhurave dhe shpenzimeve. E nëse kjo do të ishte një garë në rajon për mirëmenaxhimin, Shqipëria do ta kishte të humbur, pasi ne mbledhim më pak të ardhura se të tjerët dhe rrjedhimisht, kemi më pas mundësi financiare për të shpenzuar dhe zhvilluar.