Opinion nga Ira Gjika dhe Lindita Lati, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
Sfidat e tregut të hapur dhe të qenët pjesë e zinxhirit global i përballin bizneset me një konkurrencë në rritje e për rrjedhojë është jetike, jo vetëm rritja e produktivitetit dhe përmirësimi i cilësisë së produktit, por edhe shpejtësia e lëvizjes së informacionit brenda biznesit.
Tashmë është një realitet që realizimi i funksioneve menaxheriale kërkon jo vetëm disponimin e gjithë informacionit të nevojshëm, por mbi të gjitha një mirëmenaxhim të fluksit të informacionit, i cili gjenerohet nga drejtime të ndryshme brenda një firme.
Për më tepër, politikëbërja dhe biznesi shqiptar do të duhet të vlerësojnë me objektivitet dhe realizëm sfidat dhe kostot e proceseve integruese të Shqipërisë në Komunitetin Europian. Përgjithësisht, informacioni mbi këto kosto është minimalist, sidomos ai që i adresohet biznesit.
Ky proces, për shumë subjekte, do të jetë i “dhimbshëm” dhe do të kërkojë transformime të mëdha në të gjitha drejtimet. Ata që do të vuajnë më shumë janë sidomos ndërmarrjet e mesme dhe të vogla të vendit.
Në këtë këndvështrim është realizuar një vëzhgim i cili ka mundësuar adresimin e tre aspekteve: çfarë është dixhitalizimi i funksioneve menaxheriale; pse është një proces i domosdoshëm, dhe si duhet ta matim dhe të kuptojmë nëse një biznes është i dixhitalizuar dhe në çfarë shkalle është dixhitalizimi i tij.
Kohët e fundit po shtohen financimet për transformimin gradual të bizneseve shqiptare, konkurrencialisht të aftë për të hyrë në tregun europian. Ato po ofrohen kryesisht si fonde si për start-up-et, si edhe për qëllime kërkimore.
Në këtë kontekst, në një bashkëpunim të Universitetit Mesdhetar i Shqipërisë me Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë[1] është synuar të identifikohet shkalla e përdorimit në mënyrë të “zgjuar” (smart) të sistemeve të informacionit për realizimin e funksioneve menaxheriale në disa biznese prodhuese shqiptare dhe të vlerësohet shkalla e dixhitalizimit të tyre.
Të hysh në një treg do të thotë të funksionosh me rregullat e këtij tregu dhe për këtë nuk duhet të dish vetëm ligje ekonomike, por edhe të realizosh ndryshime konceptuale në menaxhimin e biznesit, ndryshime teknologjike në vendimmarrjet menaxheriale dhe mbi të gjitha, ndryshime strategjike në ndërtimin e politikave të zhvillimit të një biznesi.
Nëpërmjet vëzhgimeve dhe intervistave të drejtpërdrejta që u realizuan në biznese të vogla dhe të mesme, gjatë fazës së diagnostikimit, u mundësua të perceptohet se si konceptohej nga vetë bizneset procesi i dixhitalizimit dhe deri diku, edhe dijet e tyre për industrinë 4.0 (meqenëse të gjitha bizneset ishin prodhuese).
Gjatë këtij procesi, u identifikuan disa problematika, të cilat duhet të kenë vëmendjen e shtuar nga ana e biznesit, akademikët dhe te politikëbërja.
Transformimi dhe kalimi drejt sistemeve të informacionit të integruara dhe përdorimi i “zgjuar” nga menaxhimi është një proces që bizneset duhet ta ndërtojnë domosdoshmërisht në mënyrë që të jenë më konkurrencial në kushtet e reja të një tregu global gjithmonë e më dixhital.
Pra, mënyra e menaxhimit, vendimmarrjes, analizës së të dhënave dhe ndërveprimi që realizoheshin deri pesë vite më parë nuk mund të zbatohen edhe sot, ose më mirë duhet të ndryshohen në funksion të një vendimmarrjeje sa më të bazuar në numra dhe analiza dinamike.
Duhet të synohet gjithmonë e më shumë një vendimmarrje sa më objektive, në kohë reale me të dhëna analitike.
Kjo do të thotë më shumë sisteme dixhitale të integruara që gjenerojnë informacionin e duhur për menaxherët, më shumë njerëz që dinë t’i përdorin ato dhe më shumë kohë për vendime strategjike të zhvillimit.
Në këtë mënyrë, po i njëjti biznes, pothuajse me të njëjtat kosto, me po ata njerëz, por më të trajnuar, mund ta transformojë veprimtarinë e vet dhe ta bëjë të aftë të konkurrojë në çdo treg dhe të mund të përballet me çdo konkurrent.
Çfarë e pengon dixhitalizimin e bizneseve shqiptare?
Pyetja e parë që bëjnë të gjithë dhe që është një debat i vazhdueshëm midis universiteteve dhe bizneseve është: çfarë e pengon dixhitalizimin e bizneseve shqiptare?
Pa u zgjatur shumë në këtë pikë që ka diskutime të pafundme, nga studimi u evidentua se përveç elementeve ekonomike, potencialisht janë dy faktorë që e frenojnë këtë proces: së pari, forca e zakonit ose më saktë rutina e përditshme e punës, dhe së dyti, menaxhimi jo i mirë i kohës nga vetë drejtuesit dhe pronarët e bizneseve.
Shumë drejtues ose pronarë të bizneseve të suksesshme deri më sot, duke u përballuar me një konkurrencë relativisht të vogël dhe duke vepruar në një treg të kufizuar, mendojnë se nëse për 30 vjet kanë ecur mirë me këtë metodë, pse të mos vazhdojnë të ecin edhe për 10 vite të tjera.
Kjo është edhe më e dukshme në rastet kur brezi i dytë i familjes nuk ka hyrë plotësisht në praktikën e përgjithshme të biznesit, por shijon frytet e brezave më të hershëm.
Faktori i dytë lidhet me menaxhimin e kohës së punës nga ana e drejtuesve dhe pronarëve të bizneseve. Në 90% të kohës së tyre të punës, ata zgjidhin problemet operative, pa pasur kohë që të ulen dhe të diskutojnë për vendime strategjike.
Për shumicën e tyre është shumë më e rëndësishme të zgjidhin problemet e çastit se sa ato të perspektivës. Për më tepër, për modernizimin e proceseve të vendimmarrjes rrallëherë mendohet, sidomos kur biznesi shkon mirë.
Në pak biznese u evidentuan plane të zhvillimit afatgjatë të analizuar qartësisht dhe me burimet e duhura dhe të vëna në zbatim në formë graduale. Shumica e tyre ishte për mjete pune dhe makineri ndërsa një pjesë shumë e vogël për sistemet e menaxhimit.
Mentaliteti, që pengon dixhitalizimin
Shumë drejtues ose pronarë të bizneseve të suksesshme deri më sot, duke u përballuar me një konkurrencë relativisht të vogël dhe duke vepruar në një treg të kufizuar, mendojnë se nëse për 30 vjet kanë ecur mirë me këtë metodë, pse të mos vazhdojnë të ecin edhe për 10 vite të tjera.
Shkalla e dixhitalizimit
Me qëllim që të evidentohej niveli i përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe shkalla e ndërthurjes së TI në veprimtarinë menaxheriale, u mundësua vlerësimi me numra konkretë i shkallës së dixhitalizimit të menaxhimit të disa prej fushave kryesore të veprimtarisë, duke përfshirë prodhimin, magazinimin, shitjet, përdorimin e burimeve materiale dhe njerëzore dhe disa fusha të tjera.
Metodologjia e përdorur mundësoi që nëpërmjet intervistave dhe vëzhgimit në mjediset e punës të identifikohej drejtpërsëdrejti perceptimi që kishin drejtuesit dhe pronarët për shkallën e dixhitalizimit në secilën prej fushave të përfshira në studim. Nga ana tjetër, perceptimi është krahasuar me gjetjet e gjeneruara nga pyetjet konkrete të detajuara për secilën fushë.
Kështu, për shembull, për të vlerësuar sistemet e informacionit për menaxhimin financiar u evidentua se për shkak të fiskalizimit të gjitha bizneset kishin programe kontabël që plotësonin në radhë të parë përgatitjen e informacionit financiar për efekt të detyrimit tatimor, si dhe gjeneronin mjaft të dhëna interesante për elemente të tjerë të sistemeve menaxheriale, si magazinën, shitjet, kostot, etj.
Ndërsa perceptimi i pronarëve dhe/ose drejtuesve ishte se e kishin të lartë shkallën e dixhitalizimit kontabël në biznesin e tyre, nga ana tjetër, kur detajohej situata në të dhëna konkrete, si qendrat e kostos, ciklin e jetës së një produkti, gjurmët dixhitale në kohë reale të mallrave apo lëndëve të para në magazinë, kuptonin se niveli i tyre nuk ishte shumë i lartë.
Në këtë kontekst, nga diagnostikimi paraprak, të gjitha ndërmarrjet e studiuara u ndanë në dy grupe: në grupin e parë, ato ndërmarrje ku perceptimi i dixhitalizimit ishte më i lartë se ai real, i matur me shifra dhe në grupin tjetër, ata që ishin të ndërgjegjshëm se kishin shumë punë për të bërë për dixhitalizimin, sepse perceptimi i tyre ishte më i ulët se ai i matur.
Kjo pjesë e thjeshtë e diagnostikimit mundësoi të identifikohej se bizneset që kishin një konceptim më real për dixhitalizimin kishin edhe plane të shkruara investimesh, të paktën për periudhën trevjeçare dhe investonin vazhdimisht në ndërtimin e programeve për të gjeneruar të dhëna sa më të sakta dhe të nevojshme për vendimmarrjen e tyre. Këto ishin kryesisht ndërmarrje që kishin makineri të reja dhe kishin bashkëpunime me ndërmarrje europiane të të njëjtit sektor.
Në grupin tjetër të bizneseve, u identifikuan dy probleme kryesore, sidomos në dixhitalizimin e procesit të prodhimit. Meqenëse investimet ishin bërë pjesë-pjesë, sipas kërkesave apo kontratave që kishin në etapa të ndryshme, unifikimi i prodhimit dhe komunikimi i makinerive midis tyre apo midis reparteve ishte shumë i vështirë.
Nga ana tjetër, disa biznese duke kërkuar të kalonin në cikël të mbyllur, për shkak të mungesës së lëndës së parë brenda vendit në sasinë e duhur detyroheshin të merrnin lëndë të parë nga importi, që kishte cilësi të tjera nga ajo e prodhuar në vend dhe makineritë kishin rendimente të ndryshme.
- Vizioni
Bizneset që kishin një konceptim më real për dixhitalizimin kishin edhe plane të shkruara investimesh, të paktën për periudhën trevjeçare dhe investonin vazhdimisht në ndërtimin e programeve për të gjeneruar të dhëna sa më të sakta dhe të nevojshme për vendimmarrjen e tyre.
Gjithashtu, faza e diagnostikimit pati interes nga bizneset edhe për dy elemente të tjera. I pari lidhej me analizën e website-ve të tyre duke analizuar jo vetëm elementet funksionale, por dhe ato arkitektonike dhe duke bërë sugjerime konkrete për rregullimin e tyre.
Elementi tjetër lidhej me vlerësimin dhe zhvillimin e fuqisë punëtore. Të gjithë bizneseve iu sugjerua të matnin kënaqësinë e punonjësve në vendin e punës, pasi përgjithësisht e konsideronin të dobishëm, por asnjë nuk kishte bërë vlerësim të tillë.
Rekomandimi konsistonte në faktin që duke analizuar rezultatet e këtij testi, punonjësit mund të bëheshin më të interesuar për të përparuar në vendin e punës dhe mbi të gjitha, për të rritur produktivitetin e punës.
Nëpërmjet paraqitjes modeste të disa prej gjetjeve të studimit, theksohet se sa jetike është që si bizneset, edhe politika të kuptojnë se kalimi në tregun e madh europian është një proces i rëndësishëm që prek si vetë tregun, edhe elementet politike të një vendi.
Sa më shpejt biznesi dhe të gjithë aktorët e tjerë të ndërgjegjësohen për këtë, aq më të lehtë do ta kenë të ndërveprojnë dhe të përgatiten për të përballuar kostot e integrimit në tregun europian.
- Mesazhi
Bizneset, edhe politika duhet të kuptojnë se kalimi në tregun e madh europian është një proces i rëndësishëm që prek si vetë tregun, edhe elementet politike të një vendi. Sa më shpejt biznesi dhe të gjithë aktorët e tjerë të ndërgjegjësohen për këtë, aq më të lehtë do ta kenë të ndërveprojnë dhe të përgatiten për të përballuar kostot e integrimit në tregun europian.
Studim i financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI)