Nga Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Shqipëria ka pak a shumë të njëjtin nivel taksash me rajonin, por mbledh shumë më pak të ardhura se vendet e tjera (barra tatimore). Është ky një ndër përfundimet e raportit të publikuar nga qendra studimore Altax që hedh dritë mbi performancën e administratës fiskale në Shqipëri, e cila siguron edhe pjesën dërrmuese të të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Sipas të dhënave të raportit, në vitin 2023 ne mblodhëm të ardhura sa 25.8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke qenë të parafundit në rajon. E fundit është Kosova me 25.7% të PBB-së, ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut barra tatimore është sa 28.5% e PBB-së. Në Bosnjë-Hercegovinë është sa 36.1% e PBB-së, në Malin e Zi sa 36.2% e PBB-së dhe në Serbi është sa 37.1% e PBB-së.
Por përse Shqipëria mbledh më pak të ardhura se rajoni? Ekspertët e ekonomisë rendisin disa faktorë. Për Artan Gjergjin, arsyeja kryesore është niveli i lartë i taksave që i shtyn qytetarët dhe bizneset që të mos paguajnë dhe të jenë informalë.
“Personalisht mendoj që një ndër arsyet kryesore për mos-suksesin e vjeljes së të ardhurave tatimore në vend është kryesisht niveli i lartë tatimor, sidomos tek taksat direkte të cilat ndihen direkt edhe në xhepin e tatimpaguesve të vegjël e të mesëm. Rritja aspak proporcionale dhe krejtësisht agresive në progresivitetin e tatimit mbi të ardhurat (biznesi, e sidomos individi), e dekurajon tatimpaguesin të jetë korrekt me zbatimin e legjislacionit tatimor.
Thënë kjo, tatimpaguesit janë më të prirur drejt evazionit fiskal me qëllim lehtësimin e barrës që u krijohet në mënyrë fiktive e deri diku të pandershme. Ndërkohë që kur kjo shoqërohet edhe me nivelin e lartë të korrupsionit nga administrata tatimore, atëherë situata bëhet më e favorshme. Individëve, apo edhe tatimpaguesve të tjerë, u kushton më pak të jenë në informalitet e të paguajnë “mitën” se sa të jenë korrekt me ligjin duke paguar më shumë e duke pasur mbi shpinë edhe hakmarrjen e inspektorëve tatimorë. Edhe pse procesi i fiskalizimit ka ndikuar pozitivisht në drejtim të luftës kundër evazionit fiskal, duhet thënë që ka ende shumë punë për të bërë në drejtim të vjeljes së efekteve të pritshme”, shprehet Gjergji për Fast News Economy.
Ndërsa për ekspertin e taksave, Igli Tola niveli i ulët i mbledhjes së të ardhurave në krahasim me rajonin është evident në një kohë kur taksat janë rritur. Kjo pasi qeveria nuk merr masa për të luftuar informalitetin dhe për të detyruar që të gjithë të paguajnë.
Të dhënat e raportit të Altax tregojnë se barra tatimore ka pësuar një rritje thuajse të papërfillshme vitet e fundit, duke qëndruar rreth nivelit të 27% ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Faktorët sillen rreth eficiencës së sistemit, funksionimit të administratës tatimore, nivelit të lartë të korrupsionit, profesionalizmit të stafeve etj. Pavarësisht se në këto vite kemi parë një rritje të nivelit të taksave, vlera e tyre qëndron krahasimisht me rajonin është nën të. Madje, po të shohim që është evidente, të gjitha masat administrative apo ndryshimet në paketat fiskale synojnë rëndesën e atyre që janë kontributorë dhe nuk arrihet të zgjerohet baza e tatueshme. Pra, zgjerimi i atyre që janë jashtë skemës fiskale për t’u përfshirë në të”, shpjegon Tola për Fast News Economy.
Ndërkaq një tjetër faktor për nivelin e ulët të mbledhjes së të ardhurave janë edhe përjashtimet fiskale. Janë lehtësi fiskale të ndërmarra nga qeveria për grupe të caktuara biznesi apo kategori qytetarësh, gjë që con automatikisht në më pak të ardhura në buxhet. Kjo është edhe arsyeja që Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë që të heqë të gjitha përjashtimet fiskale, në përpjekje që të mblidhen më shumë të ardhura në financat publike.
Por mbi kë rëndojnë më shumë taksat në vendin tonë? Sipas të dhënave, barra fiskale përbëhet në nivelin 32% nga Tatim mbi Vlerën e Shtuar ose ndryshe TVSH-ja, që njihet edhe si taksa e konsumit. Kjo pasi ajo paguhet nga qytetarët për çdo mall dhe shërbim që blejnë. 24% e të ardhurave sigurohen nga kontributet e sigurimeve, pasuar nga tatimi mbi fitimin me një peshë prej 11% dhe tatimi mbi të ardhurat personale me 10% kontribut në barrën tatimore.
Qartazi duket se peshën më të madhe të të ardhurave e mbajnë qytetarët, ndërsa janë pikërisht këta të fundit që paguajnë edhe kostot e nivelit të ulët të hyrave buxhetore.
“Kjo situatë sjell pasoja. Niveli I ulët i mbledhjes së të ardhurave reflekton në të gjithë skemën, dikton më pak shpenzime publike, me nevojën për t’iu drejtuar tregut të borxhit për të financuar projektet e shpallura, pamundësinë për të bërë reforma, për rritur pagat dhe indeksuar pensionet. Në fund, pasojat i ndjejnë qytetarët dhe taksapaguesit”, shpjegon eksperti i ekonomisë, Igli Tola.
Ndërsa eksperti Artan Gjergji jep një tjetër këndvështrim. “Në fakt një element i rëndësishëm që sensibilizon qytetarin, apo cdo lloj tatimpaguesi, në drejtim të korrektesës në shlyerjen e detyrimeve fiskale, është edhe niveli i lartë i shërbimeve publike (shëndetësia, arsimi, siguria, ambienti etj.) që marrin në këmbim nga shteti. Me fjalë të tjera, pritshmëritë e tatimpaguesve janë që shlyerja e detyrimeve tatimore të përkthehet në një kthyeshmëri më të lartë në formën e investimeve publike.
E kur kjo nuk ndodh, pavarësisht korrektesës së shlyerjes së detyrimeve, apo kur për shkak të korrupsionit, shpenzimet buxhetore vidhen ose orientohen në drejtime krejt të tjera nga pritshmëritë e individëve/ bizneseve të zonës, atëherë edhe ndjeshmëria e tatimpaguesve në këtë drejtim ulet. Për këtë arsye të gjendur përballë një kthyeshmërie të vogël, tatimpaguesi bën të pamundurën të shmangë detyrimet tatimore, apo pse jo, edhe të bëjë evazion fiskal, madje duke guxuar të marrë parasysh edhe pasojat penale që sjell ky veprim. Në të kundërt, mbijetesa si biznes është shumë e vështirë”, argumenton ai.
E në kushtet kur të ardhurat në buxhet mungojnë, çfarë masash mund të merren për të përmirësuar situatën dhe rritur performancën e administratës në drejtim të vjeljes së taksave dhe tatimeve?
“Rritja e nivelit të të ardhurave tatimore, e përkthyer me fjalë të thjeshta do të thotë reduktim të hapësirave për të bërë evazion fiskal. Është e vërtetuar shkencërisht por edhe empirikisht, se një barrë tatimore e ulët nxit rritjen e korrektesës së tatimpagueseve dhe zgjerim të bazës tatimore duke sjellë më shumë të ardhura në Buxhetin e Shtetit. Përveç kësaj, çdo lloj instrumenti që nxit transparencën apo digjitalizon shërbimet, thjeshton procedurat dhe çdo lloj elementi tjetër administrativ, ndikon pozitivisht në rritjen e të ardhurave. Ndërkohë që politikëbërësit nuk duhet të lënë pas dore edhe ndjeshmërinë e kthimit të taksave në shoqëri nëpërmjet një shpërndarje me të drejtë dhe më efikase të shpenzimeve buxhetore nëpërmjet investimeve publike”, shpjegon Artan Gjergji.
“Nevojitet një luftë e hapur ndaj korrupsionit, nepotizmit në sistem, rritjes së profesionalizmit, që vjen duke inkurajuar profesionistët që të bëhen pjesë e sistemit tatimor dhe doganor, duke rritur edhe pagat për ta. Por unë mendoj që më shumë është vullneti, është çështje politike”, deklaron Igli Tola.
Ekspertët rekomandojnë uljen e nivelit të taksave, pasi kjo do të bënte që qytetarët dhe bizneset të kishin më shumë para dhe rrjedhimisht, të konsumonin dhe investonin. Eksperti i ekonomisë, Artan Gjergji mbron tezën se paraja në xhepin e qytetarit është më eficiente sesa tek ai i shtetit.
“Pse duhet të vjelim më shumë ta ardhura nga taksat? Pse shteti duhet të ketë më shumë rol në ekonomi? A nuk do ishte më mirë që ulja e barrës tatimore (për rrjedhojë një shtet më i vogël në ekonomi) të reduktonte evazionin dhe të krijonte premisat për akumulimin e kapitalit tek individi dhe biznesi. Përdorimi i këtij kapitali apo kursimesh të akumuluara do të ishte shumë herë më eficient në ekonominë e një vendi, se sa rishpërndarja e centralizuar që bën buxheti i shtetit. Ri-shpërndarja në ekonomi në formën e investimeve apo sipërmarrjes private, është shumë herë më eficiente se sa ri-shpërndarja publike nga buxheti, për shkak se ky fenomen kurrë nuk ka arritur të shpëtojë nga sëmundja e korrupsionit dhe nepotizmit. E kjo padyshim që redukton mjaftueshëm eficiencën e investimeve publike apo rritjen e mirëqenies tek qytetarët.
Personalisht mbështes një rol shumë të vogël të shtetit në ekonomi, vetëm në ato sektorë të domosdoshëm si gjyqësori, diplomacia, siguria, arsimi, shëndetësia etj. (edhe këtu kjo peshë të lehtësohet nga konkurrenca e sipërmarrjes private). Kjo padyshim që do të reduktonte nevojën për të ardhura publike në vlera të mëdha, e për rrjedhojë, do të reduktonte edhe barrën fiskale që bie mbi tatimpaguesit”, shprehet Gjergji.
Por në drejtim të uljes së taksave nuk ka ende asgjë konkrete nga qeveria, përveç një premtimi dukshëm elektoral për reduktimin e tatimit për pagat e larta. Një ndërhyrje që gjithsesi nuk do të zgjidhte problemin, por do të ishte një “arnë” më shumë në sistemin aspak eficent të pagesës së taksave nga qytetarët dhe mbledhjes së tyre nga nëpunësit e shtetit.