Nga Nuriona Berdica, konsulentë financiare
Në çdo tryezë me bashkëpunëtorë, klientë, kolegë apo miq përballem me të njëjtin shqetësim, nuk po gjejmë punonjës të kualifikuar, po na ikën rinia. Dhe mendimi më shkon tek një frazë që më thoshte një nga mentorët e mi, nëse nuk i përshtatesh brezit të ri, do përfundosh të punosh vetëm. Për çdo industr, që bazohet në fuqinë njerëzore të punës, unë mendoj që duhet të dëgjojë zërin e gjeneratës së re. Studimet globale theksojnë që në përgjithësi, të rinjtë që i përkatsin gjeneratës Z i kushtojnë më shumë rëndësi shëndetit mendor dhe kujdesit për veten sesa gjeneratat e mëparshme, janë të ndërgjegjshëm ndaj mjedisit, pëlqejnë të punojnë në mënyrë të pavarur dhe sipas kushteve të tyre, vlerësojnë fleksibilitetin në jetën e tyre profesionale dhe thelbi i tyre është kujdesi për shëndetin mendor dhe për veten.
Sjellja e gjeneratave ka përherë një kontekst lokal dhe për këtë arsye ne në Kreston Albania kemi zhvilluar një anketë e cila kishte për qëllim të përcaktonte pritshmëritë dhe mënyrat e të sjellurit në punë të të rinjve.
Gjetjet e anketës nxjerrin në pah disa karakteristika të ngjashme me mënyrën globale të të sjellurit të gjeneratës Z. Shpërblimi monetar mbetet kriteri më i rëndësishëm për të zgjedhur një vend pune fakt që lidhet me pavarësinë financiare që është edhe kriteri dallues i të rinjve të gjeneratës Z. Shumica e të anketuarve presin që niveli i pagave bruto gjatë programeve të praktikës të jetë në intervalin 700-1000 euro dhe në vitin e parë nivelet e pagave të jenë në intervalin 800 – 1200 euro.
Duke pasur parasysh edhe normat e rritjes së pagave varësisht arritjes së objektivave vlen të theksohet që biznesi duhet të përshtasë operacionet dhe politikat e çmimit të saja me qëllim që të përmbushë pritshëmëritë e të punësuarve të ardhshëm. Vlen te theksohet që pritshmëritë e të rinjve ndikohen edhe nga qasja që ka patur administrata publike lidhur me politikat e përcaktimit të pagave në sektorin publik.
Përgjigjet e anketës nxjerrin në pah që të rinjtë kanë përparësi të punojnë dhe bashkëpunojnë me kompani të cilat kanë rritje të impaktit në ekosistem më shumë sesa në kompani që thjesht ofrojnë stabilitet financiar. Kjo nxjerr edhe një herë në pah që gjenerata Z ka prioritet praktikat e zhvillimit të qëndrueshëm. Lidhur me sa më sipër është e rëndësishme që perveç përfitueshmërisë financiare, zotëruesit e bizneseve duhet të nisin implementimin e praktikave të zhvillimit të qëndrueshëm më fokus impaktin në mjedis, aktvitetet sociale dhe mirëqeverisjen.
E ndërkohë që ekosistemi i biznesit në vend është akoma në fazat e para të njohjes së këtyre praktikave, të rinjtë e kanë në prioritet këto qasje dhe ndikimin që ka organizata në aspektet mjedisore, sociale dhe të mirëqeverisjes e kanë si kriter përzgjedhës.
Ndryshe nga qasja e të rinjve jashtë Shqipërisë, rezultatet tregojnë që të rinjtë tanë kanë një preferencë për marrëveshjet tradicionale të punës mbi punën në distance. Ato ritheksojnë që përfshirja në vendimmarrje dhe përfshirja në zhvillimin e projekteve strategjike mbetet një ndër kriteret e rëndësishme të përzgjedhjes.
Gjithashtu, rezultatet theksojnë një prirje të fortë drejt të punuarit në ambjente që të ofrojnë edhe ekspozim ndërkombëtar dhe mundësi për të ndërvepruar me manaxherë të niveleve të larta si komponentë kryesorë të një përvoje pune ideale, duke reflektuar një qasje strategjike dhe të menduarit përpara për zhvillimin profesional.
Stresi dhe mjediset e punës që kanë presion të lartë vazhdojnë të jenë faktorët mbizotërues që i bëjnë individët të lënë punëdhënësin. Ky fakt tregon që keqmanaxhimi i situatave stresuese që lidhen me punën, kontrolli i tepruar i sjelljeve të punonjësve dhe jo i rezultateve të punës apo delegimi i pasigurive të biznesit ndikojnë ndjeshëm në jetëgjatësinë e marrëdhënies së punës dhe është një ndër arsyet që ndikon në mbajtjen e forcës punëtore në vend.
Ndryshe nga sjelljet e gjeneratave të mëparshme që kanë patur në themel stabilitetin financiar, gjenerata Z është më pak e ndjeshme në këtë aspekt. Në linjë edhe me sjelljet e të rinjve jashtë Shqipërisë, rezultatet e anketimit konfirmojnë që 49% e të anketuarve nuk e kanë të qartë se sa kohë mund të punojnë me një kompani dhe kanë një preferencë të shtuar për rotacionin nëpërmjet funksioneve dhe departamenteve të ndryshme.
Kjo vë në dukje që një ndër elementët motivues për gjeneratën është puna e bazuar në projekte dhe objektiva afatshkurtra, duke i dhënë mundësinë që të përfitojnë zhvillim profesional të vazhdueshëm në disa fusha. Këto rezultate i dërgojnë sinjale biznesit që duhet të ngrenë programe të strukturuara që lehtësojnë rotacionet mes funksioneve dhe departamenteve, duke krijuar një mjedis pune pozitiv dhe dinamik që përputhet me pritshmëritë në zhvillim të punonjësve.
88% e të anketuarve theksojnë rëndësinë kryesore të ndikimit të marketingut të një kompanie në procesin e tyre të vendimmarrjes. Ky pohim kumbues nënvizon rolin kryesor që luan marketingu në formësimin e perceptimeve dhe ndikimin në zgjedhjet e individëve kur zgjedhin një kompani me mediat sociale që janë burimi kryesor i informacionit. Ndaj vlen që kompaitë dhe organizatat t‘i kushtojnë rendësi promovimit të shërbimeve dhe aktiviteteve. Informimi i kuturës së korporatës nëpërmjet kanaleve të rrjeteve sociale , mund të jetë një mjet i mirë për të nxitur të rinjtë të zhvillohen në mjediset e biznesit lokal.
Një tjetër e dhënë që duhet të konsiderohet dhe të merret parasysh sidomos në procesin e rekrutimit është fakti se 52% e të anketuarve besojnë se kanë përparësi konkurruese në krahasim me aplikantët e tjerë dhe 51% besojnë se Universiteti i përgatit të diplomuarit e tyre për detyrat e ardhshme profesionale. Më shumë se 55% e të anketuarve besojnë se puna e tyre është po aq e rëndësishme sa ajo e kolegëve të tyre me më shumë se 10 vjet përvojë. Nga pikëpamja e manaxhimit të burimeve njerëzore vlen të theksohet që vetëbesimi është karakteristikë e gjeneratës Z dhe në ndërveprim me gjeneratat e mëparshme që kanë patur si karakteristikë dalluese modestinë dhe të qënurit i besueshëm, manaxhimi i diferencave vlen të ndërlidhet pozitivisht me qëllim rritjen e secilit anëtar dhe organizatës në tërësi.
Një tjetër element që është më së shumti kulturor në vendin tonë është pikëpamja personale për marrjen e një diplome universitare e cila është ende një domosdoshmëri ku 98% e të anketuarve pohojnë se posedimi i një diplome universitare është thelbësor dhe 46% e tyre kërkojnë të marrin një diplomë universitare jashtë vendit. Rezultatet e anketës tregojnë se 65% e të anketuarve janë të gatshëm të punojnë jashtë vendit për një punë që është më interesante se ajo që kanë dhe vetëm 20% janë të gatshëm të shkojnë jashtë, megjithëse puna nuk është aq konkurruese sa ajo në Shqipëri.
Në këtë prespektivë ne vlerësojmë që bizneset duhet të përshtasin operacionet e tyre duke përshtatur mësimin në biznes si element për të thithur nxënësit e shkollave të mesme dhe për të ndikuar në ndryshimin e qasjes nga arsimi profesional dhe rëndësisë së nxënies duke punuar.
Përgjigjet e të anketuerve zbulojnë një hierarki të veçantë të kërkesës në tregun e punës, me profesionet që ofrojnë shërbimet e marketingut, zhvillues dhe programues, dhe shërbimet këshillimit financiar që renditen si pozicionet më të kërkuara. Sa më sipër nxjerrin në pah tendencat aktuale në preferencat profesionale, duke i udhëhequr individët dhe organizatat drejt fushave me kërkesë të shtuar të industrisë. Pavarësia financiare mbetet prioriteti më i lartë i renditur në objektivat e karrierës së 88% të njerëzve tanë të anketuarit.
Po si duhet ne si manaxherë të përshtatemi për të përmbushur pritshmëritë e të rinjve? Ka disa elementë që në gjykimin tim ndihmojnë në një marrëdhënie të mirë me to.
Së pari duhet të aftësohen për kryerjen e aktiviteteve komplekse nëpërmjet zhvillimit dhe edukimit Brenda organizatës dhe duhen mbështetur në rastet kur duan të kenë rotacion Brenda organizatës në funksione të tjera.
Së dyti kompanitë duhet të krijojnë strategji që rrisin impaktin e tyre në mbrojtjen e mjedisit, ndikimin social dhe mirëqeverisjen. Kjo pasi gjenerata Z ka një preferencë ndaj kompanive që kanë impact dhe që japin mundësi për eksperienca ndërkombëtare.
Së treti ekuilibri punë – jetë dhe pavarësia financiare vazhdojnë të jenë përcaktues në vendimmarrjen për të vazhduar marrëdhënien e punës. Në kushtet e uljes së konsumit dhe rritjes së inflacionit rritja e kostos së pagave do ketë një ndikim të qenësishëm në performancën e biznesit. Pavarësisht kësaj harmonizimi i nivelit të pagave me nevojat e punëmarrësve është kusht thelbësor për një qëndrueshmëri të punonjësve dhe një faktor përcaktues në ofrimin e mundësive në vend për të rinjtë.