Nga Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Vlera e tenderave që institucionet shtetërore zhvilluan vitin e kaluar kapërceu 111.7 miliardë lekë ose mbi 1 miliard euro. Shifra është bërë e ditur nga Agjencia e Prokurimit Publik në analizën vjetore të vitit 2023. Shqipëria renditet vendi i parë në rajon për fondet buxhetore të shpenzuara për prokurime publike, me 9.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me rritje në vite.
Por sa prokurojnë vendet e tjera?
Kosova: Sipas raportit të Komisionit Europian, në vitin 2022, Prokurimi Publik arriti në 6,5% të PBB, me një rritje nga përqindja e vitit 2021, kur Prokurimi Publik zinte 5,6% të PBB.
Serbia: Sipas raportit të Komisionit Europian, në vitin 2022, Prokurimi Publik arriti në rreth 9,3 % të PBB, duke pësuar një rritje nga përqindja e vitit 2021, kur Prokurimi Publik zinte 8,9 % të PBB.
Mali i Zi: Sipas raportit të Komisionit Europian, në vitin 2022, Prokurimi Publik zë 8.74% të PBB, duke pësuar një rritje të konsiderueshme nga përqindja e vitit 2021, kur Prokurimi Publik zinte 4.47 % të PBB.
Maqedonia e Veriut: Sipas raportit të Komisionit Europian, në vitin 2022, Prokurimi Publik, përfaqëson 8,6 % të PBB, duke pësuar një ulje nga përqindja e vitit 2021, kur Prokurimi Publik zinte 11 % të PBB.
Shqipëria: Sipas analizës vjetore të vitit 2022, publikuar nga APP, prokurimi publik për vitin 2022 zinte rreth 9,4 % të PBB, duke pësuar një rritje nga përqindja e vitit 2021, kur Prokurimi Publik zinte 8.9 % të PBB .
“Qeveria shqiptare, si çdo qeveri në botën e sotme për të zbatuar politikat e veta qeverisë, dmth për ofrimin e shërbimeve publike, prokuron sasi të madhe mallrash dhe shërbimesh. Dmth strategjia, praktikat dhe sistemi i prokurimit publik ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe mirëqenien e qytetarëve. Në këtë proces, të paktën teorikisht, qeveria synon t’i përdorë fondet buxhetore me efikasitet, me efektivitet dhe të sigurojë vlerën maksimale për paratë qe shpenzon përmes prokurimit publik.
Prokurimi publik përdoret në të gjitha funksionet e shpenzimeve qeveritare, nga shëndetësia tek mbrojtja e mjedisit, rendi publik dhe çështjet ekonomike (duke përfshirë infrastrukturën, transportin, komunikimin, energjinë dhe kërkim-zhvillimin).
Madhësia e shpenzimeve të prokurimit të qeverisë së përgjithshme vlerësohet duke përdorur të dhënat nga sistemin e llogarive kombëtare te INSTAT. Sipas OECD-se, prokurimi i qeverisë së përgjithshme përkufizohet si shuma e konsumit të ndërmjetëm (mallrat dhe shërbimet e blera nga qeveria, formimi i kapitalit fiks bruto dhe transferta sociale në natyrë nëpërmjet prodhuesve të tregut (blerje nga qeveria e përgjithshme të mallrave dhe shërbimeve të prodhuara nga prodhuesit e tregut dhe të furnizuara për familjet).
Kështu që treguesi më i lartë apo më i ulët në rajon i prokurimeve ndaj GDP-se nuk është se shpreh ndonjë arritje apo tipar të veçantë në lidhje me zhvillimin e vendit dhe rritjen ekonomike të tij”, shprehet Zef Preçi, ish ministër i Ekonomisë për Fast News Economy.
Ndërsa për ekspertin e ekonomisë, Fatos Çoçoli një peshë kaq e lartë e vlerës së tenderimeve kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto lidhet me nevojën e ekonomisë për mallra dhe shërbimeve.
“Ekonomia jonë është e privatizuar në një shkallë të lartë. Ne jemi mësuar me një shifër 80 për qind të ekonomisë private, po në fakt në dekadën e fundit sektori privat në ekonomi ka kaluar në gati 87 për qind. Shumë kompani sh.a shtetërore kanë pushuar ose pakësuar ndjeshëm prodhimin. Dhe në një ekonomi më të privatizuar shteti do të kërkojë më shumë mallra dhe shërbime nga privatët përmes tenderave”, shprehet Çoçoli.
Sa kontrata u lidhën në prokurimet publike?
Vlera e kontratave që institucionet shtetërore nënshkruan vitin e kaluar i kapërceu 111.7 miliardë lekë. Nga analiza vjetore 2023 e Agjencisë së Prokurimit Publik rezulton se janë lidhur 4007 kontrata, që kishin një fond limit prej 125 miliardë lekësh. Kundrejt një viti më parë konstatohet një ulje e numrit të kontratave me 500 të tilla, si dhe e fondit limit. Sipas të dhënave, në vitin 2022 janë lidhur 4507 kontrata dhe me një fond limit prej 134 miliardë lekë.
“Kjo është një cështje që meriton të analizohet më tej dhe nuk mund të flitet në përgjithësi. Ajo që dihet dhe pranohet gjerësisht është se ulja e numrit të kontratave duhet lexuar si një rritje e përqëndrimit të fondeve publike në një numër gjithnjë e më të vogël operatorësh ekonomike fitues, deri-diku edhe si përqëndrim i korrupsionit dhe kilentelizmit qevertiar me këto fonde, por edhe mungesë besimi e komunitetit të biznesit ne integritetin e procesit të prokurimit, rritje të ndikimit të lobeve të biznesit dhe të oligarkëve në vendim-marrjet për alokimin e fondeve buxhetore etj.
Ndërsa ulja e fondit të tenderimit, që në kushte normale duhej lexuar si rritje e konkurrencës, mendoj se duhet analizuar e lidhur edhe me planifikimin e dobët, me rishikimet e mëvonshme të kontratave (si psh në sektorët e infrastrukturës së rrugëve etj”, shprehet Zef Preçi, ish ministër i Ekonomisë.
Ndërkohë që Fatos Çocoli, ekspert për ekonominë jep një tjetër shpjegim. “Gjykoj se pjesa e luanit e investimeve publike u dha gjatë viteve 2020-2022, duke pasur parasysh dhe 927 milionë eurot e fondit të rindërtimit. Viti 2023 ishte vit kontraktimesh dhe investimesh me të pakta kryesisht lokale për efekt të zgjedhjeve të 14 majit 2023. Ky vit do të ketë numër më të lartë kontratash dhe të fondit limit, për shkak se investohet për zgjedhjet e përgjithshme të pranverës 2025”, shprehet Çoçoli.
Por sa transparentë janë tenderat?
Mënyra sesi kryhen tenderat dhe transparenca e tyre janë ndër elementët që ekspertët dhe jo vetëm, kritikojnë procedurat e prokurimit publik. Sipas tyre, devijacionet që vihen re, janë të formave nga më të ndryshmet.
“Pavarësisht përmirësimeve të shënuara, në kuadrin rregullator të prokurimit publik më shumë nën presionin e agjencive monitoruese të procesit të integrimit europian të vendit, duhet thënë se po aq, në mos më shpejt janë përsosur e sofistikuar edhe format e shmangies së transparencës dhe te konkurrencës në tregje. Nuk e teproj të them se në vendin tonë shumica e prokurimeve, sidomos ato me vlera mbi një milion euro janë thjesht porosi shtetërore në diskrecionin e titullarëve të autoriteteve kontaktore, për të cilat përgatiten formalisht edhe disa dosje/dokumente për të justifikuar procesin.
Po kështu, vihet re se është rritur presioni mbi nëpunësit e thjeshtë për të firmosur për procedura jotransparente dhe klienteliste të prokurimit dhe dorëheqjet në radhët e tyre, krahas me vendim të çuditshme ministrash që delegojnë përgjegjësinë për çështje të tilla të zyrtarëve të tjerë me poshtë në hierarkinë institucionale, ndonëse parashikimet kushtetuese nuk i çlirojnë kurrsesi, nga detyrimet e tyre as në këto raste.
Shkurt, transparenca e bashkë me të edhe gara në prokurime dukshëm është përkeqësuar, gjë që dëshmohet nga analiza profesionale, si p.sh nga rritja e numrit të procedurave te klasifikuara “me flamur te kuq”, por edhe shumë afër fondit limit përkatës”, argumenton Preçi.
Edhe për ekspertin Fatos Çoçoli, transparenca në procedurat e prokurimit mungon dhe ky fakt ende nuk është hetuar nga institucionet.
“Transparenca ruhet vetëm në formë tek tenderimet online. Marrëveshjet e fshehura të bashkimit të operatorëve ekonomikë për të fituar një tender dhe pastaj për t’u ndarë apo e kundërta, për të sjellë një ofertë artificialisht të lartë, duke marrë pjesë sa për të plotësuar kuorumin, janë, për fat të keq të shumta. Ato asnjëherë nuk janë hetuar në thellësi nga institucionet tona ligjzbatuese për të shkurajuar këtë dukuri shkatërruese për investuesit e huaj që të marrin pjesë në tenderat tanë publikë”, deklaron Çoçoli.
Tendera të shumtë në fund të vitit
Të dhënat e raportit vjetor 2023 të Agjencisë së Prokurimit Publik tregojnë gjithashtu se numri më i madh i tenderave është kryer në tetor dhe më saktësisht 666 të tillë, me një mesatare nga 30-40% më shumë krahasuar me muajt e tjerë. Perqëndrimi i procedurave kryesisht në tetor tregon përpjekjen e institucioneve për të mos djegur fondet dhe paratë hidhen në projekte, për të cilat nuk ka kohë të realizohen, pasi në dispozicion janë vetëm 3 muaj nga mbyllja e vitit buxhetor.
“Kjo është një sëmundje e vjetër e autoriteteve kontraktore të vendit tonë. Edhe pse celja e fondeve buxhetore është përmirësuar dhe bëhët në fillim të vitit, kryerja e prokurimeve publike në këtë periudhë bën që të përkeqësohet përzgjedhja e operatorëve ekonomikë, ul ekfektivetin e tyre dhe kështu bëhet edhe burim për përfitime korruptive të një numri jo të vogël zyrtarësh të perfshire.
Më keq, kur këto fonde prokurohen dy apo tre ditë pa u mbyllur viti fiskal që në vendin tonë korrespondon me vitin kalendarik. Akoma më keq, kur kjo bëhet përmes akteve normative, dmth është vetë qeveria që planifikon keq shpërndarjen e fondeve publike, që vendos pastaj rialokime kreysisht mbi bazën e preferencave politike dhe për vepra publike të dyshimta, të panevojshme apo të parakohshme”, deklaron Preci.
“Tetori kontraktues është një sëmundje e vjetër e administratës sonë publike, për të mos djegur fondet në dhjetor. Për fat te keq kjo dukuri do të vijojë, edhe pse është zbutur disi me kuadrin afatmesëm të investimeve publike”, shprehet Çoçoli.
Të dhënat zyrtare të APP-së tregojnë gjithashtu, se 53% e totalit të tenderave të kryer gjatë vitit që lamë pas kanë qenë për mallra, pasuar nga 29% për shërbime dhe 18% për punë civile. Shifrat tregojnë qartë se dominanca ka ndryshuar dhe nuk është më në duart e kompanive të ndërtimit.