Nga Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Prej mëse dy dekadash, në rajon është hapur gara e ethshme për thithjen e investimeve të huaja. Një ndër burimet e rritjes, që shoqërohet me kapital financiar, ekspertizë dhe netëork. Por jo vetëm, edhe me krijim të vendeve të reja të punës, taksa në buxhet dhe vlerë të shtuar në ekonomi.
Por sa investime të huaja tërheq sot Shqipëria?
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, fluksi i investimeve të huaja ka pësuar rritje të vazhdueshme vitet e fundit, duke arritur në mbi 1.3 miliardë euro në vitin 2022, që është edhe e dhëna e fundit vjetore. Ndërsa për 9 mujorin e 2023-it, ky tregues i kapërceu 1 miliardë euro, duke lënë të kuptohet se do të ruhet pak a shumë e njëjta vlerë si e 2022-it.
Por si paraqitemi ne krahasuar me vendet e rajonit?
Shqipëria renditet e dyta në rajon me rreth 1.4 miliardë euro. Vendi që është më atraktiv në rajon për investimet e huaja është Serbia me 4.6 miliardë euro ose gati trefisht më shumë se Shqipëria. Vendet e tjera të rajonit, pozicionohen shumë më poshtë përsa i përket fluksit. Përkatësisht, Mali i Zi me një total prej 877 milionë dollarë; Maqedonia e Veriut me 794 milionë dollarë dhe Bosnje- Hercegovina me 661 milionë dollarë.
Por sa të rëndësishme janë investimet e huaja për ekonomitë respektive të vendeve të Ballkanit?
Varësinë më të madhe e ka Mali i zi, ku investimet e huaja përbëjnë 14.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Shqipëria renditet në vendin e tretë, me 7.6% të PBB-së. Ndërkohë që vendi me peshën më të vogël të investimeve të huaja kundrejt prodhimit të përgjithshëm kombëtar është Bosnje-Hercegovina me 2.6%.
Cilët janë sektorët ku janë përqendruar pjesa më e madhe e investimeve të huaja në Shqipëri?
Të dhënat e qendrës studimore Altax tregojnë se elektroenergjetika ka marrë 25% të totalit të investimeve të huaja, pasuar nga industria nxjerrëse me 16%; shërbimet financiare dhe të sigurimit me 12%; pasuritë e paluajtshme me 11% e me radhë sektorët e tjerë.
Shoqata e Investitorëve të Huaj ka evidentuar në anketën e fundit situatën në Shqipëri dhe si e shohin tregun dhe klimën e biznesit kompanitë ndërkombëtare. Rezulton se problemet kryesore të investitorëve të huaj janë sistemi gjyqësor; mungesa e transparencës nga qeveria; mungesa e fuqisë punëtore; legjislacioni fiskal dhe administrata tatimore.
Sa konkurrues jemi për investitorët?
Ekspertët e ekonomisë evidentojnë specifikën që kanë secili prej vendeve si arsyen pse investitorët e zgjedhin atë. Kjo pasi është shumë e vështirë për ekonomi të vogla, si ajo e Shqipërisë që të tërheqin kompani të mëdha për të investuar në industri, të cilat në Shqipëri nuk janë të zhvilluara dhe që nuk ka as fuqi punëtore të kualifikuar për t’iu përgjigjur kërkesës.
Ish ministri i Financave, Ridvan Bode argumenton se vendi ynë kërkon nga investitorët mundësinë për të zhvilluar tregun e brendshëm dhe bizneset shqiptare nëpërmjet bashkëpunimit më shumë sesa kapital. Pasi në këtë fazë që ndodhet vendi, fondet nuk konsiderohen më problem, nisur nga fakti se vetëm në depozita janë të mbyllura rreth 13 miliardë euro.
“Ne prej investimeve të huaja nuk presim më kapitale, presim dije dhe tregje që të na zgjerojnë. Dhe kjo po ndodh. Industria që ka kapitalin, siç është turizmi, po shfaq interes. Po thirren dhe po vijnë kompanitë e mëdha botërore të turizmit. Vijnë duke iu bërë koncesione bizneseve shqiptare, duke bërë kontrata me ta.
Por e rëndësishme është të kuptojmë se përse vijnë investitorët e huaj tek ne. E para, nuk vijnë për tregje industriale, pasi ne nuk kemi. E dyta, do të vijnë për fuqinë punëtore, por ne këtë avantazh që e kishim, nuk e kemi më. Investimeve të mëdha po strategjike ne kemi pak mundësi që t’u ofrojmë fuqi punëtorëve, se ata nuk do të vijnë këtu dhe të sjellin fuqi punëtore nga jashtë. Ne duhet të jemi modestë në kërkesat dhe ambiciet tona dhe të presim ata investitorë në atë sektorë që kapitali ka interes, si p.sh energjetikë, turizëm dhe nuk kanë interes për sektorë të tjerë”, shprehet Bode.
Ndërsa për ekspertin e ekonomisë, Artan Gjergji vendi ynë ka disa disavantazhe në raport me rajonin, të cilat rrjedhin edhe nga politikat e ndërmarra deri më tani.
“Për investitorët e huaj ka rëndësi struktura e ekonomisë. Kapitali do të shikojë interes dhe aty shkon. Por investitorët kërkojnë disa elementë kur vendosen në një vend, si stabiliteti politik, zbatueshmëria e ligjit që tek ne lë shumë për të dëshiruar; pronësia mbi tokën, që është një ndër problemet madhore; barra tatimore dhe niveli i lartë i taksave krahasuar me vendet e tjera të rajonit; ndryshimet e shpeshta ligjore dhe sidomos fiskale”, deklaron Gjergji.
Por një problem jo i vogël i ekonomisë shqiptare, që reflektohet dhe ndikon vendimmarrjen e investitorëve të huaj është edhe struktura e saj. Duke qenë kryesisht me biznese të vogla dhe e përqendruar në sektorë që kërkojnë një kohë të gjatë për të kthyer mbrapsht investimin, kjo e bën pak konkurruese kundrejt vendeve të tjera të rajonit.
“Ekonomitë e Ballkanit janë si kompani që konkurrojnë me njëra tjetrën. Kemi një kompani që quhet Shqipëria sh.p.k, Maqedonia sh.p.k, Serbia sh.p.k që konkurrojnë me njëra tjetrën. Ne bilancin e pagesave e kemi deficit, 8 miliardë euro importojmë dhe 4 miliardë euro eksportojmë. Por në vendet e Ballkanit e kemi bilancin deficitar vetëm me Serbinë. Me të tjerët jemi në avantazh. Ajo që është e rëndësishme është struktura e ekonomisë. Investitori nuhat se ku duhet ti investojë paratë, në Shqipëri, Serbi apo Maqedoni.
Unë shoh se struktura e investimeve të huaja në Shqipëri është thuajse e tëra në burime minerale, që kanë të ardhura, në shërbime dhe në energji. Unë nuk shoh investime të huaja në hoteleri, që e kanë kthimin e kapitalit shumë të gjatë ose në bujqësi. E duan kthimin e investimit shumë shpejt investitorët dhe kështu është në të gjithë botën.
Por ekonomia jonë ka një strukturë të tillë, ku 96% e totalit të bizneseve janë të vogla me 1- 4 të punësuar. Kjo do të thotë se duhet ndryshuar struktura e ekonomisë që të thithet kapitali. P.sh nëse vjen një kompani teknologjike në Shqipëri, shteti mund t’ia japë tokën me 1 euro dhe kapanonet, por ku do e gjejë fuqinë punëtore të strukturuar, të cilët t’i fusë direkt në fabrikë”, shprehet Sokol Kraja sipërmarrës.
Me pak apo shumë mundësi, gara për të tërhequr investitorë të huaj është intensifikuar vitet e fundit në rajon. Vende si Serbia dhe Maqedonia e Veriut po përdorin si “karrem” subvencionet, duke e bërë edhe më të vështirësi rrugëtimin. Në pamundësi për të përdorur subvencionet, Shqipëria duhet të tregohet vigjilente për të përfituar nga pozita gjeografike, një avantazh konkurrues kundrejt të tjerëve. Dalja në det mundëson transportin detar, që është më i lirë nga të gjitha llojet e tjera të transporteve. Por edhe këtu kemi çaluar.
Gazsjellësi Trans Adriatic Papiline (TAP) ishte shembulli që tregoi qartë se Shqipëria u zgjodh nga investitorët azerë për pozitën gjeografike dhe humbi mundësinë e madhe të përfitimeve ekonomike, pasi nuk realizoi dot gazifikimin e vendit. Një shans i humbur, nga ato që vijnë ndoshta vetëm një herë!