Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Qeveria ka hyrë në rrugën e konsolidimit fiskal. Thënë ndryshe, po ul nivelin e borxhit. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në fund të 2023-it, niveli I borxhit zbriti në 61.5%, duke pësuar një rënie prej 12.8 kundrejt vitit 2020, kur nisi pandemia e COVID 19 dhe kur niveli I borxhit kapërceu në 74.3%, si pasojë e nevojës për të përballuar emergjencën shëndetësore. Ndërkohë që këtë vit, borxhi publik pritet të zbresë në 59.8%, duke i dhënë edhe më shumë frymëmarrje buxhetit të shtetit, që është liruar tashmë nga presioni i borxhit të lartë.
“Në fakt, niveli aktual i borxhit është nën 60% në raport me PBB, sipas të dhënave të fundit. Është pozitiv fakti që ka një angazhim të dukshëm të qeverisë për uljen e mëtejshëm të nivelit të borxhit dhe tendenca muajt e fundit ka ardhur duke rënë, e favorizuar dhe nga rritja ekonomike dhe rritja e të ardhurave buxhetore. Për arsye që dihen, si niveli i inflacionit, ulja e informalitetit etj që i kanë bërë më të larta dhe të qëndrueshme të hyrat buxhetore”, shprehet Adrian Civici, ekspert për ekonomisë për Fast News Economy.
Ndërsa për ekspertin e buxhetit, Pano Soko niveli aktual i borxhit është optimal, në kushtet kur ka tendencë rënëse dhe nuk peshon mbi financat publike.
“Niveli aktual i borxhit në masën 60% nuk është shqetësues për momentin, pasi vijmë nga një tendencë rënëse të borxhit, ku nivelet paraprake kanë qenë mbi 80%. Sot niveli 60% është një frymëmarrje më shumë për qeverinë dhe buxhetin e shtetit që nuk e ka më peshën që ka pasur më përpara për urgjencën e shlyerjes së borxhit. 60% është një nivel optimal i borxhit, jo ideal, por duket se jemi në trajektoren e duhur të konsolidimit fiskal, që i kemi vënë vetes si synim”, shprehet Soko.
Por stoku i borxhit publik nuk ka pësuar rënie vetëm në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Kjo pasi rënia është reflektuar edhe në vlerë neto vitin që lamë pas. Në vitin 2023 stoku i borxhit në vlerë arriti në 1,36 triliardë lekë ose 90 milionë euro më pak se në vitin 2022. Detyrimet neto në përqindje shënuan rënie vjetore me 0.7 për qind për të dytin vit radhazi. Kjo ishte rënia më e fortë në vlerë e borxhit përgjatë tre dekadave të fundit.
Përgjatë viteve të fundit borxhi publik në raport me PBB kanë qenë në rënie, por në vlerë ishte në rritje. Zakonisht rezultatet e detyrimeve maten me PBB, pasi sa më shumë rritet ekonomia aq më shumë rritën kapacitet e vendit për shlyer.
Shqipëria, vendi i dytë me nivelin më të lartë të borxhit në rajon
Edhe pse niveli i borxhit është futur në trajektore rënëse, Shqipëria renditet vendi i dytë me normën më të lartë të rajon. Nivelin më të lartë të borxhit publik në Ballkanin Perendimor e ka Mali i Zi me 71%, pasuar nga Shqipëria me 61.5%, Serbia me 52.1%, Maqedonia e Veriut me 51.5% dhe në fund Bosnje-Hercegovina me 29.5% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Ekspertët shpjegojnë se Shqipëria ndodhet në këtë situatë prej rreth dy dekadash dhe për këtë arsye, partnerët ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore kanë rekomanduar vazhdimisht uljen e borxhit, për të mos rrezikuar financat publike të vendit.
“Në fakt është një situatë më afatgjatë se momenti i tanishëm. Edhe nga pikëpamja strukturore dhe mënyra e menaxhimit të politikave buxhetore dhe fiskale, Shqipëria ka qenë vazhdimisht në rajon dhe më gjerë, një vend me nivel të lartë borxhi, që në momentin më të keq iu afrua edhe nivelit 80% të PBB-së, që ishte një nivel shumë shqetësues. Po të kemi parasysh sugjerimet e vazhdueshme të FMM dhe BB për rrezikshmërinë që paraqiste ky nivel borxhi.
Me këtë dua të them që ne jemi në këtë situatë me borxh të lartë të paktën prej një periudhë 15-20 vje çare kundrejt vendeve të rajonit, sidomos po të kemi parasysh që për vende si Shqipëria, niveli më i lartë i pranishëm për borxhin nuk duhet të kalojë nivelin 40-45%”, shprehet Adrian Civici, ekspert për ekonominë.
Ndërkohë që Pano Soko shpjegon se inflacioni ka ndihmuar qeverinë që të ulë nivelin e borxhit, në kushtet kur janë rritur të ardhurat në buxhet nga rritja e çmimeve. Me të njëjtën situatë janëë përballur edhe vendet e tjera, të cilat gjithashtu kanë ndjekur politikën e uljes së borxhit dhe kjo ka bërë që në renditje të përgjithshme, situata të ketë mbetur e njëjtë.
“Duhet kuptuar që në momentet që ka procese inflacioniste, kur periudhat inflacioniste godasin ekonomitë e vendeve të ndryshme, nën ritmin e shprehjes që çdo e keqe e ka një të mirë, dhe inflacioni e ka një të mirë. Në kuadër të politikës fiskale që ndiqet për të rregulluar inflacionin, përpos asaj që bën Banka Qendrore me politikën monetare, reduktohen shpenzimet. Në këtë moment, qeveritë përballen me një realitet të ndryshëm nga ai që përballen zakonisht, ku kemi të ardhura të shumta dhe reduktim të shpenzimeve dhe për pasojë, mbetet tepricë likuiditeti.
E mira është që kjo tepricë likuiditeti shkon për shlyerje borxhi dhe pikërisht, për shkak të kësaj situate inflacioniste, të gjitha vendet e rajonit kanë parë ulje të nivelit të borxhit dhe reduktim të deficitit fiskal. Janë në nivele të pranishëm, por gjith çka varet nga pika fillestare, pika zero, ku e kemi nisur pikën zero dhe ajo renditje vazhdon të ruhet edhe sot. Ne kemi qenë ndër vendet me treguesit më të këqinj të borxhit në rajon dhe vazhdojmë të jemi edhe sot një ndër vendet me nivelin më të lartë të borxhit. Kjo është arsyeja pse jemi këtu, për shkak të trashëgimnisë”, argumenton Soko.
Ndikimi në ekonomi i borxhit të lartë
Një nivel i lartë i borxhit krijon probleme për menaxhimin e buxhetit të një vendi, duke e kufizuar qeverinë në kryerjen e investimeve. Kjo pasi duhen parashikuar fondet për shlyerjen e detyrimeve.
“Në një situatë të nivelit të lartë të borxhit efektet janë reduktimi i kapaciteteve eficente të përdorimit me efikasitet të parasë. Në vend që ta çosh paranë në projekte zhvillimore, je i detyruar ta çosh paranë në shlyerjen e borxhit dhe ky është presioni fiskal që ushtron borxhi në ekonomi. Sa më i madh të jetë ky borxh, aq më në kolaps është buxheti i një vendi. Pasi sasia e parave që duhen çuar për shlyerjen e borxhit është e madhe dhe nuk mbeten lek për investime. Në rastin më të keq, kur një shtet falimenton, nuk mbeten lek as për shpenzimet e detyrueshme, që janë pagat dhe pensionet”, vlerëson Pano Soko.
Eksperti Adrian Civici shpjegon se borxhi i lartë çon në më pak shpenzime për sektorët prioritarë, si arsimi dhe shëndetësia.
“Një nivel i lartë i borxhit është barrë e rëndë për financat publike. Eshtë një detyrim financiar për t’u shlyer nga njëri vit në tjetrin, sipas termave të borxhit dhe natyrisht, sa më të larta këto detyrime, aq me kufizuese janë shpenzimet për sektorët prioritarë, si arsim , shëndetësi, infrastrukturë dhe shpenzime të tjera buxhetore”, shprehet Civici.
Këtë vit, borxhi publik i vendit pritet të zbresë për herë të parë nën 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Qeveria do të jetë e detyruar ta mbajë në nivele të ulëta këtë tregues, për të garantuar stabilitetin e financave publike, por edhe për të krijuar hapësira të reja për të marrë borxh, në rast të projekteve madhore apo emergjencave, si ato me të cilat është përballur vendi vitet e fundit: tërmeti dhe pandemia.