Nga Aurora Sulce, drejtuese e Fast News Economy
Javën që shkoi u zhvillua në Tiranë Samiti mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, ku u prezantuar edhe Plani i Rritjes, që do të mbështesë zhvillimin e ekonomive të këtyre vendeve në procesin e integrimit. Një integrim që duhet të jetë para së gjithash ekonomik dhe t’u garantojë qytetarëve të vendeve respektive nivel jetese dhe të ardhura të disponueshme në mos të njëjta, të afërta me ato të qytetarëve europiane. Por që kjo të ndodhë, duhet që ekonomitë e vendeve të rajonit tonë të rriten dhe të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme dhe në afatgjatë.
Si paraqitet sot situata?
Ajo që konstatohet tashme prej vitesh është një luhatshmëri e fortë e rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perendimor, cka tregon se ekonomitë janë të pastrukturuara dhe shumë të ndikuara nga faktorë të brendshëm apo të jashtëm.
Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se në vitin 2023, Mali i Zi dhe Shqipëria shënuan rritjen ekonomike më të lartë në Ballkanin Perëndimor me respektivisht 4.8% dhe 3.6%, të ndihmuara kryesisht nga sezoni i suksesshëm turistik. Ndërkohë që rritja ekonomike për katër vendet e tjera u luhat mes 1.8% – 3.2%.
“Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, duke marrë 2019 si pikë nisje, Shqipëria ka rritje kumulative më të madhe, diku tek 13-14 pikë përqindje. Në total që është rritja më e lartë. Edhe gjatë vitit 2024 pritet që të jenë turizmi dhe investimet në ndërtim ato që do të jenë motori kryesor i rritjes dhe zhvillimit të ekonomisë së Shqipërisë. Rritja pritet të jetë diku tek 3.5% edhe për 2024-ën”, shprehet Endrit Yzeiraj, zv.ministër i Ekonomisë për Fast Neës Economy.
Por për ish ministrin e Ekonomisë, Zef Preci analiza për situatën ekonomike dhe krahasimin me vendet e rajonit duhet të shkojë përtej shifrës së rritjes ekonomike.
“Nuk është tregues një vit për të dëshmuar për ecurinë e një ekonomie. Duhet të shohim faktorët që qëndrojnë pas rritjes ekonomike. Janë një listë me 17 faktorë: burimet natyrore, arsimi, burimet njerëzore, normat e interesit, rritja e popullsisë, kujdesi social, fuqia punëtore disponibël, faktorët kulturorë, infrastruktura, çmimet e mallrave të konsumit, sipërmarrja, pagat, sundimi i ligjit, progresi teknologjik, formimi i kapitalit, faktori politik dhe tensionet gjeopolitike.
Bazuar në këta faktorë ne e kemi të qartë sesa realiste është rritja ekonomike. Rritja ekonomike nën 6%, përsa kohë nuk hap vende pune, është statistikore. Vlen për t’u parë me pozitivitet, por në të njëjtën kohë, kjo nuk duhet parë as fitore, as si arritje e askujt, pasi pasqyron një dinamikë që ka brenda të gjithë faktorët që përmenda më lart dhe me gjithë kundërthëniet apo kontradiktat e veta”, argumenton Preci.
Të dhënat tregojnë se në vite, rritja ekonomike e Shqipërisë ka qenë e luhatshme. Kjo tregon se ende nuk kemi një ekonomi të bazuar në një model me sektorë të strukturuar që të japin një kontribut të qartë në zhvillimin e vendit. Kështu, në vitin 2019 ekonomia jonë u rrit me 2.1%, zbriti në vitin 2020 rritje ekonomike negative me -3.3%, për shkak të pandemisë së Covid 19, kapërceu në 8.9% një vit më pas me kapërcimin e emergjencës shëndetësore dhe që prej asaj periudhe, rritja ka ardhur duke u moderuar. Këtë vit, ekonomia pritet të rritet nga 3.2% që është parashikimi i FMN dhe Bankës Botërore në 3.6% që është objektivi i qeverisë.
Një situatë e ndryshuar nga ajo e vitit që lamë pas. Vendet ballkanike do të vijojnë të ruajnë një rritje ekonomike pozitive, por Mali i Zi dhe Shqipëria që mbanin stafetën, do të ngadalësojnë ritmet e rritjes, teksa vendet e tjera do t’i përshpejtojnë, të ndihmuara kryesisht nga konsumi dhe investimet.
Kështu, ekonomia shqiptare pritet të rritet këtë vit me 3.2% dhe në të njëjtën masë edhe ekonomia e Malit të Zi. Ndërsa rritjen më të lartë do ta shënojë Kosova me 3.9%. Vijon Serbia me 3%, ndjekur nga Bosnje-Hercegovina me 2.8% dhe në fund Maqedonia e Veriut me 2.5% rritje ekonomike për këtë vit.
Por cilët janë faktorët që do të kushtëzojnë ecurinë e ekonomisë së vendeve të rajonit dhe rrjedhimisht, edhe financat e qytetarëve?
Përvec faktorëve të brendshëm, që janë specifikë për secilin nga vendet, i përbashkët është ndikimi i situatës ende të trazuar gjeopolitike, me luftën e hapur në Ukrainë dhe konfliktin në Gaza. Rritja e çmimeve ose sic është quajtur ndryshe, kriza e inflacionit vijon të kërcënojë ekonomitë e të gjitha vendeve, vecanërisht ato me nivel të ulët prodhimi dhe varësi të madhe nga importet, si e Shqipërisë. Problemi i tretë i përbashkët i rajonit është mungesa e fuqisë punëtore, për shkak të emigracionit, diku më i ngadaltë e diku më intensiv, si në rastin e Shqipërisë. Një situatë e tillë detyron industritë që të mos punojnë me kapacitet të plotë dhe të ulin prodhimin, rrjedhimisht të ngadalësojnë ritmet e rritjes.
“Ne presim të jemi një ndër vendet më mirë performuese këtë vit. Problemi që ka Ballkani, kryesisht vendet që kanë më tepër industri prodhuese është se Europa pritet të ketë një vit të dobët. Vazhdon të ketë pritshmëri të ulëta, për shkak të problemeve që kemi hasur në furnizimet me energji, por edhe sepse luftat tregtare mes SHBA dhe Kinës e kanë vënë Europën në një pozitë gjithmonë e më të vështirë, përsa i përket industrive kryesore eksportuese, duke filluar që me Gjermaninë që është lokomotiva e kontinentit”, shprehet Endrit Yzeiraj, zv.ministër i Ekonomisë.
Por a do ta lehtësojë Plani i Rritjes i Bashkimit Europian situatën për vendet e rajonit?
Kjo duke pasur parasysh edhe vlerën 6 miliardë euro në total për të 6 vendet. “Ne po synojmë të marrin 1 miliard euro investime nga Plani i Rritjes. Por kjo vlerë kushtëzohet me disa reforma strukturore që duhet të bëjë Shqipëria, si përmirësimi i kapitalit njerëzor, i klimës së biznesit, mbyllja e reformës në drejtësi, të cilat në vetvete e bëjnë më të lehtë zhvillimin e biznesit në vendin tonë. Pra, këto reforma do të bëjnë të mundur që të rritet mundësia e njerëzve për të konkurruar në treg në Shqipëri”, shpjegon Yzeiraj.
Por kushtëzimi me reformat është njëra anë e medaljes. Ana tjetër është se shuma prej 6 miliardë euro nuk do të ndahet në mënyrë të barabartë mes vendeve. Brukseli ka parashikuar që 4 miliardë euro nga kjo paketë të jepen si kredi të buta, që nënkupton me interesa të ulëta për vendet. Kjo do të thotë se Shqipëria duhet të konkurrojë me projekte për t’i përfituar këto financime. Nga shuma e mbetur prej 2 miliardë euro, 400 mijë janë shpenzime administrative dhe vetëm 1.6 miliardë euro do t’iu shpërndahen 6 vendeve të Ballkanit Perendimor për 3 viet. Sipas përllogaritjeve, i bie mesatarisht nga 80-100 milionë euro në vit për cdo vend.
Një fond më shumë inkurajues sesa domethënës për rritjen, ku vendet duhet të lexojnë mes rreshtash se integrimi duhet fituar, pasi në ekonomi “nuk ka drekë falas”!