Të punosh në fundjavë, t’u përgjigjesh email-eve ndërkohë që jeni në plazh, të marrësh pjesë në video-konferenca kur jeni disa ditë pushimesh në mal…
Kjo është karakteristikë e punës së ditëve të sotme…Tabloja po zgjerohet, po zë çdo hapësirë të jetës, ndërthuret me jetën personale dhe na shoqëron edhe në krevat, kur përfitojmë nga paqja e mbrëmjes për t’u hedhur një sy të fundit dokumenteve që duhet të nisim në email të nesërmen.
Historitë e njerëzve që punojnë rregullisht edhe 80 orë në javë po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Por ka edhe nga ata që zgjedhin të shkurtojnë orët që i kushtojnë punës, duke pranuar edhe një reduktim të pagës dhe duke u shndërruar në punonjës me kohë të pjesshme, ose sikur njihet “part-time”… persona që nuk kanë dëshirë të bëjnë karrierë.
Por pikërisht për shkak të mbingarkesës dhe stresit gjithnjë e më të përhapur në punë, ekziston dëshira për të pranuar më pak para, për më shumë kohë për veten.
Sipas Eurostat, përqindja e punonjësve që punojnë part-time në Europë është rritur nga 15% në vitin 2002 në 19% në vitin 2017. Në Holandë punojnë part-time 47% e punonjësve, përqindja më e lartë në të gjithë Europën. Në vend të dytë, Austria (28%), Gjermania (27%), Belgjika e Britania e Madhe (24%). Kjo do të thotë një pjesë e mirë e ekonomive më të zhvilluara të Bashkimit Europian. Një statistikë e Zyrës Statistikore në Mbretërinë e Bashkuar tregon se 10% e qytetarëve britanikë thonë se jo vetëm punojnë shumë, por do të ishin të lumtur të kishin një reduktim page në shkëmbim të shkurtimit të orëve të punëve. Kjo përqindje është më e lartë – shkruan The Guardian – se ajo e punonjësve që do të parapëlqenin të punonin më shumë dhe të fitonin më shumë.
Nga ana tjetër e Oqeanit Atlantik, gjërat duket se shkojnë në të njëjtën mënyrë…
Në këtë situatë nuk ka asnjë gjë për të çuditur, pasi kërkimet tregojnë se të punosh më pak orë jo vetëm që përmirëson produktivitetin e punonjësve, duke reduktuar kohën e humbur, por rrit edhe përqendrimin e përgjithshëm të punonjësve.
Por jo gjithçka që shndrin është ar. Së pari, pasi ka një numër të madh punonjësish që ndoshta do të donin të punonin më pak, por nuk mund t’ia lejojnë vetes një reduktim page. Ka dhe një aspekt të dytë tjetër… gjithnjë sipas të dhënave të Eurostat përqindja e grave europiane që punojnë me kohë të reduktuar është 31%, kurse ajo e burrave vetëm 8%. Kjo e dhënë konfirmohet edhe në Shtetet e Bashkuara, sipas studimit të Pew.
“Kjo dinamikë i bën gratë më të prekshme ndaj kontrollit dhe abuzimit dhe për pasojë, ato kanë më shumë të ngjarë të gjenden në kushte varfërie për shkak të një divorci” – shkroi gazetarja Livia Gershon, në Aeon.
“Në nivel social, kjo përforcon mendimin që gratë janë më të përshtatshme të bëjnë punë shtëpiake dhe janë më pak të përshtatshme për angazhime të tjera. Kjo çon në idenë që gratë, të cilat do të parapëlqenin të punonin me kohë të plotë ndihen shpesh nën presion të heqin dorë nga karriera e tyre për t’u kujdesur për dikë tjetër. Dhe kjo është një humbje e madhe për shoqërinë”.
Zgjidhja, natyrisht, do të kërkonte një ndryshim kulturor, por edhe politik. Duhen më shumë ligje që të nxisin punën part-time, paga më të larta dhe, nga ana tjetër, më shumë gatishmëri të strukturave të brendshme të kompanive që të mund të kujdesen për fëmijët. Por ndoshta është shumë vonë për të përfshirë në mënyrë vullnetare këto ndryshime. E vërteta është, që brenda një kohe të shkurtër, mund të detyrohemi të bëhemi punonjës part-time.
Me automatizimin e punës që ecën me hapa gjigantë duket sikur nuk ka zgjidhje tjetër. Shkurtimi i orëve të punës në një nivel të përgjithshëm mund të ishte mënyra e vetme për të mbajtur stabël përqindjen e njerëzve të punësuar, ndërkohë që robotët dhe softuerët rrisin rolin e tyre në fabrika dhe zyra.
Pikërisht për këtë arsye, të Gjelbrit britanikë kanë përfshirë në programin e tyre javën e punës me katër ditë: “Është ironike që nga një anë, ka njerëz që punojnë në çdo orë të ditës dhe në anën tjetër, njerëz që nuk punojnë mjaftueshëm” – shpjegoi co-leader i Partisë, Caroline Lucas. “Edhe nëse ky do të ishte një ekzagjerim, është e qartë që automatizimi do të ketë ndikim në punë, dhe për këtë ne duhet të reflektojmë se si duhet të përballemi me gjithë këtë”.
Aty ku politika do të kishte nevojë të ndalej për të reflektuar, kolosët digjitalë, që po shkaktojnë automatizimin e punës, i kanë idetë e qarta – sipas themeluesit të Alibaba, Jack Ma, në harkun e 30 vjetëve nuk do të ketë askënd që do të punojë më shumë se 16 orë në javë. Nga ana tjetër, Silicon Valley është e idesë për një të ardhur universale gjë që do t’i lejonte të gjithëve të marrin një pagë edhe nëse automatizimi i punës do të shndërrohej në papunësi në masë.
Para se të merren në analizë skenarët më ekstremë, do të ishte rasti të përballeshim me dëshirën në rritje të gjeneratave të reja (dhe jo vetëm), me qëllimin për të përmirësuar edhe ekuilibrin jetë profesionale – jetë personale, duke e bërë gjithnjë e më të thjeshtë aksesin ndaj punës part-time në të gjitha format.