Nga Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Shqipëria realizoi në fillim të shkurtit njohjen e ndërsjelltë të pensioneve me Italinë, negociatat për të cilat kishin mbi 15 vite që zhvilloheshin. Një marrëveshje që ndihmon emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Itali dhe shtetasit italianë që punojnë në Shqipëri, pasi njeh vitet ku janë derdhur kontributet e sigurimeve në të dyja vendet dhe mundëson bashkimin e tyre, me qëllim që këta shtetas të dalin më shpejt në pension dhe të përfitojnë më shumë.
Marrëveshje të ngjashme vendi ynë ka realizuar me 12 shtete, ndërsa drejt finalizimit janë marrëveshjet edhe me Bullgarinë, Rumaninë, Kroacinë dhe Malin e Zi. Shqipëria po negocion gjithashtu me Serbinë dhe Poloninë, ndërsa negociatat për marrëveshjen e pensioneve pritet të nisin edhe me Danimarkën, Spanjën, Slloveninë dhe Moldavinë.
Por ndërsa ka nënshkruar marrëveshje ose është në proces me të gjitha vendet e rajonit, Shqipëria rezulton të ketë pensionet më të ulëta në të gjithë Ballkanin. Sipas raportit të fundit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), niveli mesatar i pensioneve në Shqipëri është 180 euro, ndërsa përllogaritet dyfish më shumë në Malin e Zi, ku është 360 euro. Shumë më lartë është në Serbi, ku pensioni mesatar është 290 euro apo Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinën që është 280 euro. Shqipëria ka pensione më të ulëta edhe se Kosova, vend në të cilin pensioni përllogaritet nga 185-265 euro.
Por pse ndodhemi në këtë situatë dhe si ndikon fakti qe njohim pensionet me vendet e tjera dhe kemi pensionet më të ulëta?
“Nëse shikojmë pensionet në vendet e tjera përreth Shqipërisë shihet se ka një administrim më të mirë fiskal përsa lidhet me informalitetin e tregut të punës, si dhe kanë norma kontributive të sigurimeve më të larta kryesisht në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Mali i Zi. Kosova ka një sistem pensionesh private me skemë kapitalizimi, ndërsa Maqedonia e Veriut ka afër një dekadë që po zbaton skemën e fondeve private të pensioneve të detyrueshme, e cila ka arritur një kapitalizim mbi 2 miliard Euro në pak vite dhe që shërbyen si një lehtësues për fonde në situatën e pandemisë prej Covid-19.
Natyrisht që pensionet e larta në të gjithë vendet përreth ka një ndikim direkt në tregun e punës për të rritur vlerën e pagës dhe rrjedhimisht, të kontributit dhe qeveria ka reaguar tani së fundmi për të rritur pagat e administratës. Por edhe sektori privat ka rritur pagat me një nivel prej 15% më shumë se ritmet e rritjes në vitet e fundit. E gjitha kjo është ndikuar direkt edhe nga largimi i punonjësve në vendet ku paga dhe kontributet janë më të larta, por edhe të nxitur nga një rritje e largimeve në të ardhmen, që ka rritur ndjeshëm edhe masën e pensionit mesatar në vitin e fundit me të paktën 30% krahasuar me 5 vite më parë”, shpjegon Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë për Fast News.
Ndërsa për drejtorin e përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado fakti që vendet e rajonit kanë pensione më të larta shpjegohet me faktin se nuk i kanë të mbuluar 100% të gjithë pensionistët me pensione, siç e ka Shqipëria. Kjo bën që numri i pensioneve që japin shtetet e tjera të jetë më i vogël dhe rrjedhimisht, të ekzistojnë mundësitë për pensione më të larta. “Ka një faktor që duhet ta themi: Shqipëria ka sot mbulim me pensione pleqërie 100% të popullatës mbi 65 vjeç dhe jemi vendi i vetëm në rajon me këtë mbulim. Maqedonia nuk i ka të gjithë qytetarët e mbuluar. Kosova ka diku tek 98- 110 mijë pensionistë, ndërsa Maqedonia ka rreth 380 mijë pensionistë. Ndërkohë që Shqipëria ka 705 mijë pensionistë”, shprehet Hado.
Por sa interes kanë emigrantët shqiptarë që të sigurohen në vendin e origjinës dhe aty ku jetojnë, nisur nga fakti se Shqipëria ka pensione kaq të ulëta?
Ekspertët shpjegojnë se përfituesit e vërtetë të marrëveshjeve të njohjes reciproke të pensioneve janë ata që përpara emigrimit, kanë pasur vite të siguruara në Shqipëri. “Nuk është për masën e madhe. Emigrantët shqiptarë që kanë ikur herët dhe kanë dalë tashmë në pension nuk përfitojnë. As emigrantët e rinj që ikin tani dhe sigurohen vetëm një vend, pasi nuk kanë sigurime në Shqipëri, nëse do të shohësh grupmoshat”, shprehet Zana Guxholli, eksperte për ekonominë.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i ISSH-së, Hado shpjegon parimin mbi të cilin janë negociuar dhe nënshkruar të gjitha marrëveshjet. “Bëhet bashkimi i periudhave kontributive, me qëllim që të plotësohen kushtet minimale që të marrin një pension në vendet respektive, me parimin që të mos humbasë asnjë kontribut i paguar. Por kur vjen puna tek pensioni, secili vend do të përllogarisë pensionin sipas legjislacionit të tij dhe bazuar në vitet kontributive të realizuara në atë vend ”, deklaron Hado.
Le ta shohim të konkretizuar me një shembull. Një person ka 10 vite pune në Shqipëri. Dmth ka derdhur kontribute për këtë periudhë. Më vonë, ai ka emigruar drejt Italisë, ku ka 12 vite pune të deklaruara, për të cilat ka paguar sigurime. Në castin që arrihet marrëveshja, bëhet i mundur bashkimi i viteve të punës dhe sipas përllogaritjeve, këtij personi i njihen 22 vite punë. Në Itali, mjaftojnë 20 vite punë për të dalë në pension. Kjo do të thotë se ky qytetar del automatikisht në pension dhe përfiton pension në Shqipëri, për 10 vitet që ka kontribuar dhe pension në Itali për 12 vitet e tjera.
Në bazë të kësaj logjike, emigrantët që janë në moshë të re në një vend tjetër, kanë interes që të sigurohen atje dhe kur të arrijnë moshën të marrin një pension të lartë sesa të sigurohen edhe në Shqipëri, duke blerë periudha të caktuara, për të përfituar një pension më të vogël. Ndonëse në këtë rast, ka një përfitim: do të dilnin në pension më shpejt.
Por a mund të rriten pensionet në Shqipëri? A ka mundësi buxheti i shtetit për të adresuar rritjen e të ardhurave për 705 mijë pensionistë? (shifra për vitin 2023)
“Pensionet kanë mundësi rritje, por kjo duhet të vijë si rezultat i kombinimeve të politikave ekonomike, fiskale, financiare bashkë me masat e duhura administrative dhe nxitëse për të stimuluar bashkëveprimin e skemës shtetërore të sigurimeve me skemën private. Natyrisht, që rritja duhet të kalojë me patjetër në: rritjen e bazës (numrit) të kontribuesve dhe vlerës së kontributeve duke ngushtuar hapësirat e informalitetit të punës, një detyrë që mbetet sfidë për çdo qeveri;
Konsolidimin e pozitiviteteve të reformës së pensionit të vitit 2014 në lidhje me rritjen e moshës së daljes në pension, rritjen e pensionit social dhe ngushtimin e hendekut gjinor për moshën e daljes në pension; Rritja e tregut të pensioneve private duke përshtatur këtë qasje të re me pjesën e paplotësuar nga pensionet shtetërore, pra duke shërbyer si pensione plotësuese; Zbatimin e kombinimit të daljes në treg me bono pensioni publike afatshkurtra, të cilat mund të krijojnë normë interesi më të lartë se ajo që qeveria përfiton aktualisht nga fondet e buxhetit që administrohen nga thesari”, deklaron Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado shpjegon se rritja e pensioneve për të gjithë pensionistët do ta conte skemën drejt falimentimit. “Kjo është cështje e të gjitha qeverive dhe jo vetëm e një qeverie. A mund të rriten pensionet? Sigurisht që mund të rriten. Kur mund të rriten? Sot, nesër. Del një vendim qeverie dhe thuhet që pensioni minimal të bëhet 500 euro ose 700 euro sa e ka Italia. Problemi është ku do të gjenden paratë. Do të rriten pensionet apo do të ruhet qëndrueshmëria financiare e skemës. Pasi atëherë do të ishte skema e falimentuar. Skema shqiptare nuk është e falimentuar. Ka probleme qe i ka pasur që në vitin 1992 dhe do t’i ketë edhe për 20 vjet. Por nuk është e falimentuar”, deklaron Hado.
Po si janë shpërndarë emigrantët shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian për të kuptuar rëndësinë e marrëveshjeve për pensionet të nënshkruara deri më tani?
Të dhënat e fundit janë ato të vitit 2018 nga Instituti Europian i Statistikave. Shqipërisë i mungon një regjistër i diasporës. Me fjalë të tjera, nuk e dimë sesa shqiptarë jetojnë jashtë vendit dhe se ku ndodhen ata.
Ndërkohë statistikat e Eurostat tregojnë se në vendet europiane kanë emigruar rreth 1 milion shqiptarë, ku pjesa dërrmuese janë në Itali dhe në Greqi. Por duke pasur parasysh riaktivizimin e emigracionit me ritme të forta në vitet e fundit, situata ka ndryshuar tërësisht. Por vetëm publikimi i të dhënave të Censit do të mundësojë panoramën e qartë të emigracionit shqiptar. Nga ana tjetër, në ndryshim nuk janë vetëm shifrat, por edhe preferencat për vendet drejt të cilave emigrohet, ku Italia dhe Greqia janë zëvendësuar me Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Francën.