AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI
Nëse ka një element që të gjithë shkencëtarët janë dakord, është fakti se paraja luan rolin vendimtar të zhvillimit të një tregu, nga lashtësia e deri më sot. Forma e saj ka evoluar me kalimin e kohës, nga gjendja primitive (lëndët e para, produktet bujqësore ose artizanale) në monedha metalike të bazuara në metale të çmuara, në kartë monedha dhe në fund paraja bankare (e quajtur edhe paraja skripturale si depozitat, çeqet, transfertat, etj.).
Kohët ndryshojnë. Format e parasë evolojnë. Sot, në kohët moderne, ku zhvillimet teknologjike dhe digjitale janë marramendëse, paraja është kryesisht e dematerializuar dhe ku paraja letër përbën vetëm një pjesë të vogël të ofertës monetare. Një shumëllojshmëri monedhash përdoren në mbarë botën ku krijimi dhe emetimi i tyre kontrollohen dhe rregullohen nga shteti ose institucioni që ushtron autoritetin e tij në zonën e përcaktuar (Banka Qendrore).
Këto monedha këmbehen me njëra-tjetrën në kuadër të sistemit monetar ndërkombëtar. Por lindja ekriptomonedhave duket se ka tronditur universin monetar që nga ardhja e Bitcoin-it në vitin 2009. Kjo monedhë digjitale, e krijuar nga një person (ose grup njerëzish) të quajtur “Satoshi Nakamoto”, së bashku me fintech dhe pagesat dixhitale, kanë shënuar një zhvillim të ri, revolucionar, që po i çojnë drejt “fundit financat tradicionale.
Ndryshe nga monedhat e zakonshme të emetuara nga vendet e ndryshme, kriptomonedhat përfaqësojnë një monedhë të decentralizuar që funksionon falë teknologjive inovative kompjuterike. Mospasja nevojë për Bankat Qendrore, “duket si një revolucion demokratik”. Që nga krijimi i Bitcoin, kriptomonedha të tjera kanë pushtuar universin monetar si Ethereum, USDT, Ripple, Litecoin, etj. Atopo përdoren nga shumë njerëz anembanë botës për shkak të lirisë financiare dhe anonimitetit që këto kriptomonedha iu krijojnë, duke ofruar kështu dallime të dukshme në krahasim me sistemet tradicionale bankare.
TEKNOLOGJIA KRIPTOGRAFIKE DHE PARAJA E MATERIALIZUAR
Siç ka filluar të njihet dhe të përdoret, kriptomonedhat bazohen në konceptet e Blockchain dhe kriptografisë. Nëse një përdorues dëshiron të dërgojë Bitcoin te një përdorues tjetër, ai krijon një transaksion. Për të garantuar autenticitetin dhe integritetin e këtij transaksioni, përdoruesi e nënshkruan atë në mënyrë elektronike duke përdorur çelësat kriptografikë që ai mban.
Ky transaksion i vërtetuar më pas transformohet në një bllok, në mënyrë që ta shtojë atë në Blockchain. Një Blockchain është si një bazë të dhënash rebele dhe e decentralizuar që ruan në mënyrë të sigurt çdo ngjarje që ndodh atje, pra në rastin tonë, transaksionet me Bitcoin.
Pasi të krijohet ky bllok transaksioni, ai transmetohet më pas në rrjetin e decentralizuar të “minatorëve” (në anglisht “Miners” ose më konkretisht të kujdestarëve të rrjetit), të cilët konkurrojnë me njëri-tjetrin për të zgjidhur një problem matematikor, i cili zakonisht quhet “prova e punës”. Ky proces garanton vlefshmërinë e transaksionit.
Minatori që zgjidh problemin i pari, ndan rezultatin e tij me minatorët e tjerë. Pasi shumica e minatorëve bien dakord me zgjidhjen, blloku i transaksionit verifikohet dhe më pas shtohet në zinxhirin e bllokut. Ky Blockchain i ri shpërndahet më pas në të gjithë rrjetin. Pasi një transaksion regjistrohet në zinxhir, modifikimi i tij është sfidues.
Për të bërë një metaforë alegorike, do të ishte sikur të përpiqesh të shuash diellin me një pistoletë uji. Kjo është për shkak të përdorimit të funksioneve të gjurmëve kriptografike dhe faktit që çdo bllok i ri është i lidhur në mënyrë të sigurt me blloqet e mëparshme. Është sikur çdo transaksion të kishte një targë unike, e cila redukton rrezikun e mashtrimit. Në disa vende të botës, kriptomonedhat po bëhen të zakonshme. Mund të përmendet si shteti i parë në botë El Salvadori, i cili vendosi në vitin 2021 të miratojë Bitcoin si mjet ligjor. Një vendim që shkaktoi sa duartrokitje aq edhe frikë.
Megjithatë, dy vjet më vonë, përdorimi i kufizuar i tij nga popullsia lokale dhe natyra e tij e paqëndrueshme (Bitcoin humbi më shumë se 65% të vlerës së tij midis janarit dhe dhjetorit 2022) hodhi një sy pesimist mbi këtë vendim.
El Salvadori nuk është i vetmi vend që ka flirtuar me këtë ide, pasi mund të përmendet edhe Republika e Afrikës Qendrore që miratoi gjithashtu Bitcoin si mjet ligjor në prill 2022, vetëm për t’u tërhequr një vit më vonë. Shumë vende të tjera, veçanërisht brenda Bashkimit Europian, kanë legalizuar përdorimin e Bitcoin pa e bërë atë si devizë ligjore. Kriptomonedhat kanë gjithashtu një anë të errët.
Pavarësisht nga përdorimet e tyre legjitime, ato shfrytëzohen për aktivitete të ndryshme të paligjshme për shkak të karakteristikave të tyre unike si anonimiteti. Transaksionet në kriptomonedha, megjithëse të regjistruara publikisht, fshihen pas adresave të portofolit që duken më shumë si një varg karakteresh alfanumerike sesa një identitet njerëzor.
Mjafton të thuhet se identifikimi i pronarit të tyre të vërtetë është një utopi. Individë të ndryshëm mund të lëvizin fondet e tyre midis shteteve pa kaluar kurrë doganën në institucionet tradicionale financiare.
Disa studiues shkencorë pohojnë madje se tregjet Darknet favorizojnë kriptomonedhat, veçanërisht Bitcoin, Monero dhe USDT. Disa studiues të tjerë pohojnë për mashtrime të ndryshme si mashtrimet Ponzi, ku individë ose organizata të ndryshme joshin viktimat e tyre me premtimin e kthimeve të larta në kriptomonedha, ndërsa përdorin investimet e pjesëmarrësve të rinj për të shlyer të vjetrat, derisa ata/ato të arratisen me fondet, duke lënë shumë viktima me humbje (mund të përmendet rasti “OneCoin” në vitin 2017si shembulli më ilustrues).
SISTEMI FINANCIAR (MONETAR) TRADICIONAL NË SFIDË ME TË ARDHMEN
Për shekuj me radhë, besimi ka luajtur një rol vendimtar në pranimin e parasë si mjet këmbimi. Kjo sepse besushmëria dhe paraja janë të lidhura në mënyrë shumë të ngushtë gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Qeveritë dhe institucionet financiare po punojnë vazhdimisht për të ruajtur këtë besim. Megjithatë, krizat ekonomike shpesh kanë shkaktuar kriza monetare, ku humbja e besimit rrjedh nga paaftësia e monedhës për të ruajtur bazat e saj ekonomike.
Me fjalë të tjera, besimi në monedhë është i brishtë dhe një dështim mund të çojë në pasoja katastrofike për ekonominë dhe shoqërinë në tërësi. Sistemi aktual monetar mbështetet në një grup vendimmarrësish që kanë diskrecionin për të vendosur politikën monetare. Qeveritë mund të përdorin masa ekstreme për të mbajtur ekonomitë e tyre në këmbë, të tilla si krijimi i parave nëpërmjet shtypjes së parave, duke çuar në një rritje të sasisë së parave në qarkullim.
Pasojat e vendimeve të tilla janë të dukshme në përkeqësimin e bankave komerciale, duke përfshirë falimentimin e bankës amerikane Silicon Valley Bank vitin e kaluar. Sidoqoftë, asetet e kriptomonedhave kanë sfiduar rrënjësisht këtë operacion të centralizuar, duke ofruar një formë ekuivalente, apo edhe epërore nëse mund të quhet si e tillë, atë të besimit digjital. Kjo, sepse besimi dhe pranimi nga të gjithë i një monedhe është baza e ekzistencës së saj.
Prandaj dhe kriptomonedhat si Bitcoin, shihen shpesh si “pionierët e një revolucioni monetar”. Besimi, pra, mbetet një aspekt thelbësor i çdo monedhe. Në ekonomitë e zhvilluara, monedhat e emetuara nga Bankat Qendrore, si Euro, Dollari apo Yuan-i, përfitojnë nga një nivel pothuajse absolut i besimit të popullatës për shkak të qëndrueshmërisë, besueshmërisë dhe stabilitetit të institucioneve që i mbështesin ato.
Megjithatë, në vendet ku besimi në monedhat kombëtare është dobësuar, siç ilustrohet nga rënia drastike e dollarit të Zimbabve ose bolivarit venezuelian, adoptimi i kriptomonedhave përfaqëson një fije shprese për qytetarët që dëshirojnë t’i shpëtojnë inflacionit. Bitcoin në veçanti ofron një alternativë revolucionare.
Ai i jep fund detyrimit për të përdorur një monedhë specifike në çdo vend të caktuar. Bitcoin i heq këto barriera, megjithëse ka ende një rrugë për të bërë për adoptim dhe përdorim të gjerë. Kjo vënie në pikëpyetje e sovranitetit monetar dhe rolit të institucioneve tradicionale është një realitet që qeveritë dhe institucionet financiare nuk mund ta injorojnë më.
Popullariteti në rritje i kriptomonedhave ngre pyetje në lidhje me të ardhmen e këtij sovraniteti. Shtetet më të zgjuara kanë filluar të rishqyrtojnë sistemet e tyre monetare, ndërsa të tjerët po punojnë në monedhat digjitale të emetuara nga Bankat Qendrore. Kina ishte një hap para të gjithëve me lançimin e Yuan-it të saj digjital.
Këto nisma tronditin normat e vendosura dhe paraqesin sfida të mëdha për modelet tradicionale monetare. Përballë kësaj gare të furishme drejt kriptomonedhave, shtetet dhe institucionet bankare duket se ndjejnë një shqetësim të caktuar.
NJOHJA E BITCOIN NGA KOMISIONI AMERIKAN I LETRAVE ME VLERË DHE I SHKËMBIMEVE
Autoriteti amerikan i tregjeve “Securities and Exchange Commission” (SEC), ose shqip Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve i dha dritën jeshile ETF Bitcoin spot në 10 janar të këtij viti (2024) të saponisur. Një datë që do të mbetet e gdhendur në historinë kriptomonedhës, e cila pas vetëm pesëmbëdhjetë vitesh ekzistence, është quajtur nga Uashingtoni dhe institucionet financiare amerikane si një aset më vete.
Produkti i autorizuar ETF (Exchange Traded Fund), ose shqip Fond i Tregtuar në Shkëmbim, është një fond indeksues që u mundëson investitorëve të përfitojnë nga zhvillimet në Bitcoin pa i investuar drejtpërdrejt paratë e tyre në monedhën digjitale. Konkretisht, ata blejnë aksione të fondit, të cilat mund t’i rishesin në çdo kohë.
Vlera e aktiveve të tyre mbetet e shprehur në dollarë, kurse asetet e fondit vendosen në kriptovaluta. Një Bitcoin ETF spot mbështetet nga Bitcoin fizik që mbështesin vlerën e ETF. Nëse vlera e monedhave digjitale që mbështesin ETF rritet, vlera e investimit në përgjithësi mund të pritet të rritet. Me fjalë të thjeshta, nëse çmimi i Bitcoin rritet, investimi rritet gjithashtu. Kur investoni në një ETF, ju merrni një paketë aktivesh që mund t’i blini dhe shisni gjatë orëve të tregut – duke ulur potencialisht rrezikun dhe ekspozimin tuaj, pra duke ndihmuar në diversifikimin e portofolit tuaj.
Të lançuara në fillim të viteve 1990, ETF-të u popullarizuan në fillim të viteve 2000, duke tërhequr me thjeshtësinë e tyre, e cila ofron mundësinë e gjurmimit të performancës së arit, naftës, një indeksi aksionesh ose një sektori industrial.
Deri më tani, blerja e Bitcoin kërkonte adoptimin e një portofoli digjital ose hapjen e një llogarie në një platformë tregtare kriptomonedhash si Coinbase ose Binance. Ky vendim do të lejojë miliona individë amerikanë dhe fondet e pensioneve të kenë akses më të lehtë në kriptovalutat nëpërmjet ETF. Duket se pranimi i ETF Bitcoin spot është një pikë kthese për asetet digjitale dhe sinjalizon një lëvizje drejt adoptimit dhe legjitimitetit financiar digjital në të ardhmen.
Megjithëse ky miratim pritej prej disa muajsh, çmimi i Bitcoin është rritur rreth 70% që nga tetori, me investitorët që spekulojnë se përdorimi i gjerë i ETF-ve Bitcoin do të rriste kërkesën për kriptomonedhën.
Ndërsa çmimi kishte rënë në 16,000 dollarë në nëntor 2022 pas falimentimit të shkëmbimit të kriptomonedhave FTX, ai po tregtohej me 46,500 dollarë në orët pas njoftimit të 10 janarit 2024. Edhe nëse Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve merr një qasje shumë të kujdesshme, ETF-të mund të ndihmojnë në stabilizimin e çmimeve të kriptomonedhave duke zgjeruar përdorimin e tyre dhe audiencën e mundshme.
EKONOMIA DHE FINANCAT TRADICIONALE PËRBALLË SFIDAVE TË ARKITEKTURËS SË RE FINANCIARE TË SË ARDHMES
Bitcoin ka potencialin të prishë infrastrukturën aktuale financiare falë sistemit të tij të decentralizuar që eliminon ndërmjetësit tradicionalë. Kjo lejon çdo përdorues që drejton një nyje të plotë për t’u bërë palë e interesuar në procesin e transaksionit, duke shpërndarë fuqi për të gjithë.
Transfertat e fondeve në rrjetin Bitcoin bëhen drejtpërdrejt ndërmjet dy palëve, pa kërkuar ndërhyrjen e ndërmjetësve për menaxhimin dhe shpërndarjen e monedhës. Për më tepër, zinxhiri i besimit tani bazohet në një ndërtim algoritmik brenda rrjetit Bitcoin.
Çdo transaksion duhet të miratohet nga të gjitha nyjat e plota në rrjet për t’u vërtetuar. Si rezultat, një gabim ose mosmarrëveshje e vetme mund të rezultojë në refuzimin e transaksionit, duke rritur kështu sigurinë dhe besueshmërinë e sistemit. Teorikisht, riorganizimi i operacioneve midis individëve dhe aktorëve ekonomikë në blockchain-in e Bitcoin mund të riorganizojë infrastrukturën aktuale financiare.
Në të vërtetë, ky konfigurim i ri i decentralizuar bën të mundur që të bëhet pa qeveritë dhe ndërmjetësit e tyre për menaxhimin dhe rregullimin e politikës ekonomike. Fuqia për të rritur ose ulur ofertën monetare nuk i besohet më një autoriteti të vetëm ose grupi autoritetesh, por është në duart e çdo individi në rrjet. Rritja e kriptomonedhave ka ndezur debate dhe polemika të nxehta, duke sfiduar rolet tradicionale të parasë dhe duke minuar modelin e centralizuar ekonomik. Megjithëse paqëndrueshmëria e Bitcoin u pasua nga kritika të forta fillestare, suksesi i saj në rritje si njësi llogarie, instrument pagese dhe gardiane vlere i kanë bërë kritikët të heshtin.
Kriptomonedhat ofrojnë një alternativë revolucionare ndaj monedhës tradicionale dhe mund të ofrojnë një fije shprese për qytetarët e vendeve që vuajnë nga inflacioni dhe humbja e besimit në monedhat e tyre kombëtare. Revolucioni është duke u zhvilluar dhe Bitcoin dhe kriptomonedhat mund të tronditin themelet e infrastrukturës financiare tradicionale, siç e njohim ne. A ka ardhur koha për të përqafuar këto sfida dhe për të eksploruar mundësitë që ato ofrojnë për një menaxhim financiar më të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë?
Tashmë që po bëhen 80 vite nga krijimi i sistemit monetar ndërkombëtar, i institucioneve të tij, Fondit Monetar Ndërkombëtar e Bankës Botërore, a do të përfshjinë këtë revolucion në arkitekturën e re financiare të tyre të së ardhmes? Le të presim e të shikojmë se si do të zhvillohet ky revolucion.