Nga Akademik, Prof. Anastas Angjeli
“Vetëm në postkrizën e Pandemisë së Covid-19 dhe luftës në Ukrainë, hendeku mes të varfërve dhe të pasurve u thellua më tej. Kështu, pesë burrat më të pasur të botës nga viti 2020 e kanë dyfishuar pasurinë e tyre, sipas një studimi të fundit të publikuar nga organizata Oxfam.”
Debatet, jo vetëm në nivel teorik, por edhe në nivel liderësh shtetëror, të organizatave ndërkombëtare, ekspertë të fushave të ekonomisë dhe politikave sociale, rreth çështjes së ndikimit të zhvillimit ekonomik në nivelin e mirëqenies së popullsisë së çdo vendi, janë në qendër të vëmendjes këto 30 vitet e fundit. Veçanërisht kjo pas krizave të vitit 2008-2012, krizës së pandemisë Covid 19, luftës Rusi- Ukrainë, Izrael-Hamas, dhe konfliktet e tjera në rajone të ndryshme të botës. Ngjarje këto që çuan në ndryshime gjeopolitike, gjeoekonomike, krizë inflacioniste dhe të rritjes së çmimeve, ndërprerje të zinxhirit të furnizimeve etj.,. Ndërkaq zhvillimi teknologjik dhe i Inteligjencës Artificiale nuk është ndaluar.
Në thelb të këtij debati qëndron raporti i pasurisë individuale dhe i mirëqenies kolektive, i cili është një nga problemet më të debatuar në teoritë e mendimit të sotëm ekonomik. Pra kjo ka sjellë atë, që Ekonomia e Mirëqenies sot të jetë një nga rrymat relativisht më të reja të Shkencave Ekonomike.
Në këtë kontekst janë vënë përballë mendimi teorik ekonomik i nobelistëve të shquar si Leëis, Harrod-Domar, Rostoë”s etj, të cilët në thelb bazohen vetëm te rritja e GDP për vlerësimin e zhvillimit të një vendi, mësuar të masim zhvillimin ekonomik me tregues si GDP, inflacioni, shkalla e sundimi të tregut, etj., dhe të një grupi tjetër; si nobelisti Amartya Sen I avancuar më tej nga nobelisti i shumënjohur, Stiglitz.Stigliz,etj, të cilët bazohen jo vetëm dhe thjeshtë për analizën teorike të sistemeve ekonomike, por për zhvillimin e koncepteve teorike dhe treguesve e mekanizmave praktike për disa elementë të Ekonomisë së Mirëqenies, për të matur më mirë Lumturinë Ekonomike, duke zgjeruar më tej gamën e treguesve që lidhen me vlerësimin e gjendjes ekonomike e sociale të një vendi..
Çfarë po debatohet?
Ajo që po diskutohet së gjeri, është se kërkohet t’i jepet përgjigje dhe zgjidhje disa pyetjeve: A është e vërtetë se vetëm duke maksimizuar fitimin sigurojmë zhvillim? A është e vërtetë që duke siguruar mirëqenien garantojmë lumturinë? A ështe vetëm treguesi i rritjes ekonomike (GDP) që duhet konsideruar për të vlerësuar zhvillimin ekonomik e social të një shoqërie, të një vendi? Apo duhen analizuar edhe treguesit e elementë të tjerë të egzistencës shoqërore si shëndeti, jetëgjatësia, arsimi, të drejtat dhe liritë politike, zhvillimi i teknologjisë dhe digjitalizimit, ai kulturor dhe intelektual etj?
Në këtë debat, pjesa më e madhe e autorëve ndërtojnë një formë të re gjykimi të funksionimit të sistemit ekonomik, larg koncepteve marksiste të “Socializmit Shkencor”, ku mirëqenia për të gjithë ishte qëllimi kryesor i sistemit. Kështu, grupi i parë, mendojnë se mirëqenia e përgjithshme kalon domosdoshmërisht nga individualizmi i njeriut dhe liria e tij në treg, ndërsa grupi tjetër(I dytë) mundohet të argumentojë se thellimi i pabarazive është prishja e bazës sociale të ekzistencës shoqërore dhe faktori kryesor i ndryshimit të sistemeve. Në fakt, përqëndrimi ekskluzivisht në aspektet ekonomike, në rritjen e të ardhurave dhe PBB-së, sigurisht që e bën më të lehtë analizën e zhvillimit dhe krahasimin ndërmjet shteteve, por nuk përfaqëson një analizë të plotë. Është tashmë evidente se GDP dhe shkalla e kënaqësisë së individit në treg të lirë janë shpesh herë në kontradiktë reale.
Gjithashtu, është tashmë evidente se, GDP dhe shkalla e kënaqësisë së individit në treg të lirë janë shpesh herë në kontradikte reale. Shkalla e parabazisë në 30 vjetët e fundit u bë problem edhe në trasformimet që pësuan vendet e lindjes pas rënies së murit të Berlinit. Këtu pabarazia e krijuar me ritme shumë të shpejta. Vetëm në postkrizën e Pandemisë së Covid-19 dhe luftës në Ukrainë, hendeku mes të varfërive dhe të pasurve u thellua më tej. Kështu, pesë burrat më të pasur të botës nga viti 2020 e kanë dyfishuar pasurinë e tyre, sipas një studimi të fundit të publikuar nga organizata Oxfam.
Sipas studimit në vitin 2020 pesë më të pasurit e botës zotëronin një pasuri prej 450 miliardë dollarësh. Ndërkohë kjo pasuri është rritur tani në 869 miliardë dollarë – Oxfam thekson se të gjithë miliarderet e miliarderët në këtë hapësirë kohore deri në vitin 2023 e kanë rritur pasurinë e tyre në 3,3 bilionë dollarë, kjo në një kohë kur gati 5 miliardë njerëzit më të varfër të botës kanë humbur 20 miliardë dollarë pasuri.
“Zhvillimi i qëndrueshëm ka të bëjë me plotësimin e nevojave njerëzore, mjedisore, sociale dhe ekonomike të së tashmes pa kompromentuar mundësitë e brezave të ardhshëm për të plotësuar dhe ata nevojat e tyre. Me një popullsi në rritje dhe rritjen e kërkesave të shtruara për zgjidhje në planet, zhvillimi i qëndrueshëm është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet sot bota dhe subjekti i shumë debateve nga politikanët dhe liderët e biznesit.”
Shqipëria nuk shpëtoi nga këto sëmundje dhe niveli i pabarazisë vazhdon ta shqëtësojë atë, edhe pse ekonomia shqiptare e ka përfunduar periudhën e gjatë, të vështirë e të mundimshme të tranzicionit. Këtu kam parasysh edhe konfrondimin apo keqinterpretimin që ndodh shpesh mes suksesit apo jo të regjimit ekonomik që kemi zgjedhur dhe modelit, programeve, projekteve, prioriteteve ekonomike që qeverisjet kam zbatuar. Kjo sepse ekonomia shqiptare gjatë këtyre 30 viteve shembi modelin ekonomik komunist dhe vendosi e bëri funksionale (pavarësisht nga cilësia apo standardet e arritura) ekonominë (kapitaliste) të tregut. Pa dyshim që niveli i zhvillimit të kësaj ekonomie, standardet dhe zhvillimet sasiore e cilësore të saj, stadi i arritur deri tani në procesin e integrimit me ekonominë europiane, lënë ende shumë për të bërë. Politikat e reja sociale të nisura (rritja e pagave dhe mbështetja e shtresave në nevojë), akomodimi i strukturës së re ekonomike dhe zhvillimi i prioriteteve që tashmë kanë dalë në pah, duhet të vazhdojnë me përparësi. Këto, në mbështetjeten e një model të ri të zhvillimit ekonomik postranzicion, mëse i domosdoshëm drejt integrimit europian te vendit. Kjo edhe sepse , siç e ka theksuar edhe nobelisti i shquar Joseph STIGLITZ.”Tranzicioni nga komunizmi në ekonominë e tregut përfaqëson një nga eksperimentet më të rëndësishme të të gjitha kohërave”…
Të gjithë shkencëtarët janë dakort për një gjë: PBB nuk është një tregues i mjaftueshëm për të përcaktuar zhvillimin ekonomik, tashme të gjithë janë të bindur se nevojiten tregues alternative. Kjo sepse rritja ekonomike si tregues më vete nuk mund të kapë të gjitha dimensionet e progresit, kështu që ne nuk mund ta shohim PBB të vetmin tregues të zhvillimit. Po aq problematik mbetet fakti se PBB nuk përfshin shumë faktorë që masin “Lumturinë Ekonomike”, sepse këta nuk janë lehtësisht të matshëm në terma ekonomikë. Për më tepër, duhet pasur parasysh gjithashtu fakti se PBB nuk shpreh se si të mirat materiale ndahen ndërmjet individëve të një shoqërie. PBB-ja për frymë nuk ofron as këtë lloj mase, sepse është thjesht një masë e përfituar nga pjesëtimi i PBB-së me popullsinë, në pjesë të barabarta që nuk janë realisht përfaqësuese.
Cili është reagimi?
Duke u konstatuar se PBB nuk është një matës i mirë i zhvillimit, aq më pak i një zhvillim i qëndrueshëm, duhen kërkuar tregues të tjerë alternative. Vitet e fundit janë zhvilluar një sërë treguesish që synojnë të përmirësojnë vlerësimin e mirëqenies së një shoqërie. Më në zë prej tyre është ndoshta HDI – Human Development Indicator, pranuar tashmë dhe si protokoll llogaritjeje nga shumë vende të botës. Ekzistojnë gjithashtu indekse për nivelin ekologjik si “Indeksin e Gjelbër i Zhvillimit, ISEW – “Indeksi i Mirëqenies së Qëndrueshme Ekonomike”, GPI – “Treguesi i Progresit te Vërtetë” ose i përkthyer fjalë për fjalë Treguesi i Progresit Authentik , etj.
Po ndalem me gjatë në një tregues, që INSTAT i Italisë, që në vitin 2010 e ka prezantuar si ndër treguesit e matshëm të zhvilimit të qëndrushem indeksin BES (Benessere Equo e Sostenibile, që mund të fillojë të përllogaritet edhe në Shqipëri duke ndërtuar programe të përbashkëta me drejtorinë e statistikave Italiane si edhe për shumë tregues të tjerë. Ky tregues ka 130 indikator në nivel kombëtar që përmbledhin 12 dimensione të ndryshme (fusha). Më konkretisht fushat janë: Shëndeti, Edukimi dhe Trajnimi, Puna dhe raporti i kohës se punës me kohën e lirë, Mirëqenia ekonomike, Marrëdhëniet shoqërore, Politika e institucioneve publike, Siguria, Mirëqenia subjektive, Peizazhi dhe trashëgimia kulturore, Mjedisi, Hulumtimi dhe inovacioni dhe Cilësia e shërbimeve.
Kombinimi i indikatorëve sipas fushave përkatëse dhe metodikat per cdo indikator e kanë bërë këtë tregues shume të rëndësishëm, jo vetëm për vlerësimin e situatës korrente të mirëqenies së popullsisë, por dhe një mjet të rëndësishëm për të ndërtuar politika sociale në mbështetje të shtresave të caktuara të popullsisë.
Nëse do të shohim të dhënat e këtij indeksi për disa nga vendet kryesore të Europës, mund të themi se në vendin e parë gjendet në mënyrë konstante Norvegjia, e ndjekur nga Irlanda, që në krahasim me një vit me parë është rritur me 7 nivele dhe në vendin e tretë po konstante Zvicra. Të bënë përshtypje fakti që në vitin 2020, pra në kulmin e pandemisë, Gjermania gjendet në vendin e gjashtë, duke humbur 3 nivele, Danimarka në vendin e dhjetë, duke humbur 6 nivele dhe Anglia në vendin e trembëdhjetë. Nëse shohin PBB-të e këtyre vendeve do të shohim klasifikime komplet të tjera, ku dallimet ekonomike janë shumë të mëdha.
Nëse dikush specialist në fushën ekonomike mendon se vetëm një tregues duhet të përcaktojë një fenomen, atëherë analiza ekonomike do të jetë e thatë, e pa shpirt dhe mbi të gjitha jo njerëzore. Le të fillojmë të mendojmë për shoqërinë jo vetëm thjesht ekonomikisht, sepse atëherë do të kuptojmë se ajo është edhe më e bukur. Në këto kushte të gjithë do të interesohemi më shumë që të masim lumturinë tonë dhe mbi të gjitha “Lumturine Ekonomike të Shoqërisë. Aktualisht INSTAT-në Shqipëri, prodhon 61 indikatorë statistikorë, të cilët përditësohen në platformën për OZHQ-të qe realizohet në bashkëpunim dhe në financim me PNUD-in.[1]. Ky Dashboard përmban SDG-të me 17 objektivat, ku janë të paraqitura përkufizimet, drejtimi, përafrimi me OKB-në dhe burimi i informacionit për prodhimin e indikatorit. INSTAT prej vitesh ka të ngritur UN INSTAT Joint Data Group, një grup i përbërë me anëtarë nga të gjithë agjensitë e UN me qëllim për të dhëna ndërtuar të dhëna në këto drejtime për Axhendën Bota në 2030. Ndër modelet më të përhapura ekonomike, sot të gjithë pranojnë, se sistemi i rritjes së qëndrueshme është celësi i të gjitha objektivave për vitin 2030. Si treguesit kryesore të vlerësimit te mirëqenies dhe lumturisë (i cili ka filluar të konsiderohet edhe në vendin tonë, pavarësisht nga niveli i ulët i tij) së popujve UN ka ndërtuar tregues për këto drejtime kryesore:
- Pa Varfëri
- Zero Uri
- Shëndeti i Mirë dhe Mirëqënie
- Arsim Cilësor
- Barazi Gjinore
- Ujë i Pastër dhe Shërbime Sanitare
- Energji e Përballueshme dhe e Pastër
- Punë Dinjitoze dhe Rritje Ekonomike
- Industri, Inovacion dhe Infrastrukturë
- Zvogëlim i Pabarazive
- Qytete dhe Komunitete të Qëndrueshme
- Konsumi dhe Prodhimi i Përgjegjshëm
- Veprim për Klimën
- Jeta Nën Ujë
- Jeta në Tokë
- Paqe, Drejtësi dhe Institucione të Forta
- Partneritet për Objektivat
Pa u ndalur ne të gjitha unë do të fokusohesha vetëm në disa prej tyre.
- Lufta kundër varfërisë. Vlerësohet se në botë Pandemia, lufta në Ukrainë dhe ngjarjet në lidjen e mesme të kombinuara do të çojnë 75-95 milionë njerëz të tjerë që jetojnë në varfëri ekstreme në vitin 2024, krahasuar me parashikimet para pandemisë.
- Uria zero, është një sfidë tjetër shumë e madhe e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Në vitin 2020, nga 720 milionë deri në 811 milionë persona në mbarë botën vuanin nga uria, afërsisht 161 milionë më shumë se në vitin 2019. Gjithashtu në vitin 2020, 2,4 miliardë njerëz, ose mbi 30 për qind e popullsisë së botës, ishin mesatarisht pa akses të rregullt në ushqyerjen e duhur. Shifra u rrit me afro 320 milionë njerëz në vetëm një vit. Në nivel global, 149,2 milionë fëmijë nën 5 vjeç, ose 22,0 për qind, vuanin nga moszhvillimi, frenimi i rritjes (gjatësia e ulët për moshën e tyre) në vitin 2020, një rënie nga 24,4 për qind në 2015. Numri i njerëzve të uritur dhe që vuanin nga pasiguria ushqimore ishte rritur gradualisht midis 2014 dhe fillimit të pandemisë COVID-19. Kriza e COVID-19 i ka shtyrë ato norma në rritje edhe më të larta dhe gjithashtu ka përkeqësuar të gjitha format e kequshqyerjes, veçanërisht te fëmijët. Lufta në Ukrainë po prish më tej zinxhirët global të furnizimit me ushqim dhe po krijon krizën më të madhe globale të ushqimit që nga Lufta e Dytë Botërore.
Zvogëlimi i pabarazive dhe sigurimi që askush të mos mbetet prapa, janë pjesë përbërëse e arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Pabarazia brenda dhe midis vendeve është një shkak i vazhdueshëm për shqetësim.
Promovimi i shoqërive paqësore dhe përfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, ofrim i aksesit në drejtësi për të gjithë dhe ndërtimi i institucioneve efektive, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet.
Zhvillimi i qëndrueshëm ka të bëjë me plotësimin e nevojave njerëzore, mjedisore, sociale dhe ekonomike të së tashmes pa kompromentuar mundësitë e brezave të ardhshëm për të plotësuar dhe ata nevojat e tyre. Me një popullsi në rritje dhe rritjen e kërkesave të shtruara për zgjidhje në planet, zhvillimi i qëndrueshëm është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet sot bota dhe subjekt i shumë debateve nga politikanët dhe liderët e biznesit. Prandaj, edhe te ne duhet konsideruar më shumë kjo çështje.