Nga Aurora Sul çe, drejtuese e Fast News Economy
Punojmë më shumë dhe paguhemi më pak. Por kjo nuk na bën më produktivë. Të dhënat e Institutit Europian të Statistikave (Eurostat) tregojnë se shqiptarët punojnë më shumë orë pune sesa punëtorët e tjerë në rajon apo në Bashkimin Europian. Një i punësuar me pagë në Shqipëri mesatarisht punoi 43.7 orë në javë në vitin 2022, nga 43.3 orë vitin e mëparshëm.
Ky nivel orësh pune është shumë më lart se mesatarja e BE-së. Sipas Eurostat, një europian punoi mesatarisht 37.5 orë në javë vitin e kaluar, ose 6.2 orë më pak sesa një shqiptar. Thuajse, sa një ditë pune më pak.
Të dhënat tregojnë se në rajon, pas shqiptarëve, më gjatë punojnë serbët me 43.3 orë. Për Maqedoninë e Veriut, të dhënat e fundit të disponueshme janë për vitin 2020, ku mesatarja ishte 40.9 orë. Sipas Eurostat, në vitin 2022, java e zakonshme e punës për personat e moshës 20-64 vjeç në BE ishte mesatarisht 37.5 orë.
Por edhe brenda vendeve të Bashkimit Europian ka dallime të dukshme përsa u përket orëve të punës. Javët më të gjata të punës u regjistruan në Greqi (41.0 orë), Poloni (40.4), Rumani dhe Bullgari (40.2 të dyja). Në të kundërt, Holanda kishte javën më të shkurtër të punës (33.2 orë), e ndjekur nga Gjermania (35.3) dhe Danimarka (35.4).
Punojmë më shumë, paguhemi më pak
Por edhe pse punojmë më shumë orë sesa të tjerët, shqiptarët paguhen më pak. Më saktësisht, kanë nivelin më të ulët të pagave në rajon dhe në Europë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vitin 2022, paga mesatare bruto në vendin tonë përllogaritej në rreth 554 euro.
Pagat më të larta në rajon i ka Serbia, me mesatarisht 880 euro, ndërsa në dhjetor 2022, kërceu afër nivelit prej 1000 eurosh bruto (983 euro), sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave i Serbisë. Në Maqedoninë e Veriut, paga mesatare ishte 832 euro në fund të 2022, në Mal të Zi 900 euro, në Bosnjë 934 euro. Ndërsa në shtetet e tjera të Europës, paga mesatare janë mbi një mijë euro në muaj.
Por pse në Shqipëri ka një disbalancë kaq të fortë mes orëve të punës dhe pagesës?
“Kjo ndodh pasi kushtet ekonomike janë të tilla që kërkojnë më shumë orë pune, ndërkohë që niveli i pagesës që bizneset mund të japin, nuk i justifikon orët e punës. Përsa kohë që marrëdhëniet e punës ne Shqipëri nuk janë të rregulluara qartë, do të vazhdojmë të kemi këtë disbalancë midis orëve të punës dhe pagesës”, shpjegon Eranda Ymerali, eksperte për punësimin.
Ndërsa ekspertja e ekonomisë Eriola Hoxha argumenton se ligjet që rregullojnë orët e punës në Shqipëri ekzistojnë, por nuk zbatohen, në mungesë edhe të sindikatave apo lidhjeve të biznesit me qeverinë.
“Aktet ligjore që rregullojnë marrëdhëniet e punësimit ne i kemi bashkëkohore, por zbatimi i tyre lë për të dëshiruar. Inspektoriati i Punës është një prej institucioneve të ngritura posaçërisht për të rregulluar marrëdhëniet punëdhënës dhe punëmarrës. Por mënyra si funksionon, stafi i reduktuar ndoshta edhe ndikime të tjera, bëjnë që ndihmesa që ai të mos funksionojë.
Shqipëria ka një komitet të krijuar që në vitin 2000 që quhet Komiteti Trepalësh: punëdhënësi- punëmarrësi- qeveria. Është fakt i njohur që në pjesën më të madhe të kohës ai është dominuar nga oligarkë dhe organizata biznesi që punojnë për interesat e tyre të ngushta. Shqipëria nuk ka sindikata, ka thjesht disa zinxhirë transmisioni të trashëguara që nga komunizmi dhe të keqpërdorura në demokraci, në një kohë kur sindikatat kanë rol të qenësishëm në Europën Perëndimore dhe vendet e zhvilluara demokratike”, shprehet Hoxha.
Të gjitha vendet po diskutojnë sot shkurtimin e ditëve të punës, me argumentin se më pak orë, i bëjnë punonjësit më produktivë. Madje, një pjesë po aplikojnë edhe javën e punës me katër ditë. Por a ndikojnë orët e gjata tek produktiviteti?
“Një ditë e gjatë në punë përkeqëson shëndetin fizik dhe emocional. Kjo është arsyeja pse java e punës 4 ditore del si një propozim i mirëpritur nga shumica. Në këtë kuadër lindi ideja e miratimit të javës 4 ditore të punës. Por a është vërtet e realizueshme? Ka nga ata që mendojnë se ky reduktim i ditës së punës do të sillte humbje të mëdha për kompanitë, prandaj do të ishte më mirë të mos miratohej, pavarësisht përfitimeve për punëtorin. Megjithatë, disa të dhëna sugjerojnë të kundërtën. Së pari, sepse përparimet teknologjike i bëjnë disa punë më pak të nevojshme së dyti, sepse më shumë orë pune nuk përkthehen në performancë më të mirë. Kushtet e punës ndryshojnë sipas pozicionit dhe profesionit që kryen çdo person”, shprehet ekspertja Hoxha.
“Nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë, pasi çdo punonjës ka një limit të caktuar produktiviteti dhe kjo nuk lidhet me orët e zgjatura. Orët e zgjatura rrjedhin nga fakti që sipërmarrësit në Shqipëri ende nuk e kuptojnë se duke pasur punonjës të motivuar, ata do të jenë më produktive dhe më loyal ndaj tyre”, deklaron Eranda Ymerali, eksperte për punësimin.
Masat që duhen marrë për një raport të drejtë punë/pagë
Vendosja e një raporti të drejtë mes orëve të punës dhe pagës është i mundur edhe në Shqipëri. Ndonëse i vështirë, duke pasur parasysh kushtet e punës dhe nivelin e zhvillimit të biznesit dhe ekonomisë në tërësi.
“Vetë sipërmarrësit duhet të ndërgjegjësohen, por dhe shteti përmes institucioneve përgjegjëse duhet të sigurojë që të kemi një raport të drejtë. Gjithsesi, nevoja për staf ka filluar të ketë ndikimin e saj dhe po ndërgjegjëson sipërmarrësit që të jenë më të kujdesshëm në atë çfarë kërkojnë nga stafet e çfarë iu ofrojnë atyre”, shprehet Eranda Ymerali, eksperte për punësimin.
Ndërsa për eksperten e ekonomisë, Eriola Hoxha ka disa hapa konkretë në formën e një strategjie që mund të zbatojnë bizneset për të përmirësuar klimën në punë dhe për ta bërë punonjësit më të motivuar dhe rrjedhimisht më produktivë, çka do të çojë edhe në përmirësimin e raportit orë pune/pagë.
“Për të përmirësuar raportin orë pune/pagë mund të testosh dhe të përdorësh disa masa: 1. Organizimi i detyrave: Përdor një agjendë ose mjet organizimi për të planifikuar detyrat dhe aktivitetet. 2. Menaxhimi i Kohës: Përdor teknika si Pomodoro për të ndarë kohën në periudha pune dhe pushim. 3. Komunikimi efikas: Sigurohu që ka një komunikim të qartë dhe efikas me kolegët dhe menaxherët për të shmangur keqkuptimet. 4. Përfshirja e pushimeve: Sigurohu që planifikon pushime dhe periudha pushimi për të mbajtur nivelin e produktivitetit. 5. Përdorimi i teknologjisë: Përdor mjete dhe aplikacione të teknologjisë për të përmirësuar efikasitetin dh e bashkëpunimin. 6. Përmirësimi i aftësive: Zhvillo aftësitë e tua për të bërë detyrat më efikas dhe për të përmirësuar aftësinë për menaxhimin e stresit. Duke implementuar këto masa, mund të shikosh një përmirësim në raportin ore pune/page”, argumenton Hoxha.
Emigracioni i viteve të fundit ka sjellë mungesa të forta në tregun e punës, duke imponuar një rritje të pagave në përgjithësi, por ende nuk është reflektuar tek një reduktim i orëve të punës.