Çmimit i vajit të ullirit arrin në 800 lekë për litër nga mungesa e prodhimit. Por deri tani, nga fabrikat nuk është grumbulluar asnjë litër vaj. Për industrinë, çmimi është i paleverdishëm, si për shitje në supermarkete edhe për eksport. Edhe për këtë vit, vaji i ullirit vijon të shitet masivisht në bidonë nga fermerët. Përpunuesit kërkojnë sërish zgjidhje për investime në kapacitete ruajtëse. Për ekspertët, ruajtja e cilësisë dhe vlerës së shitjes duhet të nisë që me krijimin e klasterave që do të kërkojë disa vite…
Kujtim Kadiu, fermer i fshatit Dushk të Lushnjës, i cili zotëron 300 rrënjë ullinj, krahasuar me vjet ka prodhuar 40% më pak vaj ulliri.
Pavarësisht se i ka shtuar shërbimet ndaj pemës së ullirit, rënia e prodhimit u ndikua nga paqëndrueshmëria e motit dhe futja me vonesë e rrënjëve të reja në prodhim.
Mesatarisht, rendimenti për pemë varion nga 10 deri në 15 kg, ndërsa vitin e kaluar, ishte 20 deri në 25 kg ullinj për rrënjë. Kujtim Kadiu pohoi për “Monitor” se vajin e prodhuar e mban të depozituar në bidonë plastikë në shtëpi dhe pret ta shesë vetë në tregun e brendshëm me çmim 800 lekë për litër.
Ndërsa Zhazivar Lila, fermer nga Peqini, i cili zotëron 800 rrënjë ullinj, do t’i shesë individualisht për eksport në Itali 500 litra vaj ulliri të prodhuar, me çmim 8 euro për litër.
Sipas tij, shitja e vajit me këtë çmim është shumë e leverdishme për fermerin, pasi arrin t’u sigurojë fitimet e munguara të vitit 2022.
“Këtë vit, prodhimi është 40 deri në 50% më i ulët se vjet, por çmimi është shumë i kënaqshëm për ne fermerët. Me këtë çmim do të mund të mbulojmë humbjet e vitit të kaluar.
Vjet e shitëm vajin me çmim 350 deri në 400 lekë për litër, totalisht nën koston e prodhimit”, nënvizoi ai.
Në total, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2022 u prodhuan 29.230 vaj ulliri. Krahasuar me vjet, prodhimi i vajit të ullirit u rrit me 13%.
Për 2022, rendimenti i prodhimit për rrënjë ulliri, sipas të dhënave të INSTAT ishte 17,2 kg. Krahasuar me 2021, rendimenti për rrënjë u shtua me 37%.
Vitin e kaluar shtim pati edhe te numri i rrënjëve të ullirit. Në raport me 2021, numri i rrënjëve të ullirit u rrit rreth 2%.
Për vitin 2023, mungesa e prodhimit ka dyfishuar çmimin e shitjes së vajit të ullirit krahasuar me vjet. Vaji i ullirit po tregtohet nga fermeri me çmim që varion nga 600, 700 deri në 800 lekë për litër.
Por shtrenjtimi i çmimit që erdhi nga mungesa e prodhimit po penalizon fabrikat e grumbullimit dhe eksportuesit.
Drejtuesit e pikave të përpunimit dhe grumbullimit të zonave ku është përqendruar prodhimi i lartë i ullirit, si: Elbasan, Mallakastër, Vlorë dhe Lushnjë njëzëri pohojnë se deri tani nuk kanë depozituar asnjë litër vaj për ambalazhim, me qëllim shitjen e tij në tregun e brendshëm dhe eksport, pasi çmimi është i paleverdishëm.
Sipas tyre, çmimi i vajit të ullirit, duke përfshirë koston e ambalazhimit, paketimit dhe transportit arrin 1,200 deri në 1,300 lekë për litër. Për këto arsye, vaji i ullirit si çdo vit, përveçse nuk po ruhet me standarde, vijon të shitet në informalitet me bidonë nga fermeri, duke mos krijuar vlerë të shtuar për ekonominë.
Deri në mbylljen e sezonit të vjeljes dhe përpunimit të ullirit (periudha nëntor-dhjetor) parashikohet që sasia e vajit të prodhuar për zona të caktuara të bjerë 30 deri në 70% krahasuar me vjet.
Prodhuesit dhe përpunuesit thanë se rënia e prodhimit u ndikua jo vetëm nga kushtet klimatike, peridiociteti i prodhimtarisë, karakteristikë për pemën e ullirit, por edhe nga mungesa e shërbimeve, për shkak të kostos së lartë të pesticideve dhe rritjes së kostos për fuqinë punëtore.
Agron Çakalli, administratori i Federatës Bujqësore Elbasan (F.B.E) tha për “Monitor” se deri tani nuk ka grumbulluar asnjë litër vaj ulliri nga fermerët me qëllim ambalazhimin dhe tregtimin me markën “Valmi”.
- Çakalli pohon se çmimi i shitjes 700 lekë për litër është i paleverdishëm si për shitjen e vajit “Valmi” në tregun e brendshëm, edhe për eksport.
Federata Bujqësore e Elbasanit, që deri vjet ka funksionuar si federatë e bashkuar për marrjen e prodhimit të 125 fermerëve, këtë fillim sezoni të vjeljes së ullirit është shndërruar vetëm në një “mulli” për përpunimin e ullirit në vaj, që më tej transportohet në shtëpi nga fermerët.
60% e sasisë së vajit të prodhuar nga F.B.E eksportohej, pjesa e mbetur shitej në dyqane të vogla ushqimore, restorante dhe supermarkete.
“Nuk ka ndodhur asnjëherë që të grumbullojmë vaj ulliri me shumicë me çmim 700 lekë për litër. Çmimi është i paleverdishëm, si për tregtimin e tij në tregun e brendshëm, edhe për eksport.
Duke përfshirë koston e ambalazhimit, etiketimit, etj., çmimi i vajit të ullirit arrin 1,200 deri në 1,300 lekë për litër. Me këtë çmim nuk e blen asnjë dyqan apo supermarket për shitje.
Çmimi është shumë i lartë edhe për eksport. Për këtë arsye nuk kemi grumbulluar asnjë litër vaj për ambalazhim”, pohon ai.
Drejtuesi i FEB pohon se prodhimi i vajit të ullirit deri tani është 70% më pak se vjet. Situata ishte e pritshme sipas tij, për shkak të kushteve klimatike të pafavorshme, periodicitetit të prodhimit dhe mungesës së shërbimeve nga fermerët.
Ai thotë se vitin tjetër parashikohet që prodhimi i vajit të ullirit të rritet me 60%, çka automatikisht do t’i krijonte humbje financiare edhe nëse do ta depozitonte prodhimin e ri për ta shitur pas një viti.
Situata me mungesën e prodhimit dhe mosgrumbullimit të vajit nga industria është e njëjtë edhe në zonat e tjera të Shqipërisë.
Luan Satka, i cili zotëron një pikë të grumbullimit të ullirit në Lushnjë, thotë se prodhimi sivjet është 60% më pak krahasuar me sezonin e kaluar.
- Satka, i cili çdo vit nënshkruan kontrata me 2,500 fermerë të zonës për grumbullimin e ullirit që pasi përpunohet, ruhet dhe ambalazhohet tregtohet në markën “BioLive”, parashikon që këtë vit, të realizojë 10 deri në 20% të tyre, pasi mungesa e prodhimit ka rritur çmimin e shitjes me shumicë të vajit nga fermeri.
“Sivjet prodhimi i ullirit është 60% më pak se vitin e kaluar. Rënia e prodhimit është tërësisht për shkak të kushteve klimatike, pasi në periudhën e lulëzimit të pemës pati reshje të vazhdueshme.
Në anën tjetër, fermeri përkundrazi ka rritur shërbimet për këtë kulturë.
Mungesa e prodhimit ka sjellë rritje të çmimit të shitjes që nis nga 600, 700 deri në 800 lekë për litër.
Çmimi është pozitiv për fermerin, por rëndon industrinë, pasi çmimi minimal i shitjes, duke përfshirë koston e ambalazhimit, paketimit, etj., llogaritet të jetë 1,000 lekë për litër.
Aktualisht nuk po grumbullojmë ullinj, sepse është shumë i shtrenjtë”, pohon ai.
Pika e grumbullimit në Lushnjë zotëron depozita me kapacitet deri në 100 tonë vaj ulliri. Një pjesë e vajit të kësaj pike grumbullimi eksportohet edhe në Itali.
Për drejtuesit e pikës së grumbullimit, çmimi i vajit është i leverdishëm për eksport, nëse është mbi 600 lekë për litër. Fermerët nuk parashikojnë ta shesin vajin e ullirit nën këtë çmim./Monitor