Kontratat koncesionare apo të partneriteteve publike private (PPP) të cilat janë aktualisht aktive mes qeverisë dhe privatëve cilësohen si një risk fiskal dhe mundësia e rritjes së detyrimeve të prapambetura mbetet aktive.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë në këtë konstatim pas auditimit të kryer në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë duke u ndalur ndër të tjera tek monitorimi i pagesave për këto kontrata me mbështetje buxhetore.
Konkretisht KLSH vlerëson se janë të paktën 12 kontrata të kësaj natyre ku gjatë vitit 2022 vetëm për një prej tyre siç ishte “Ndërtimi dhe Operimi i rrugës Milot-Balldren nuk ka pasur pagesa.
“Në total, plani përfundimtar për këto projekte paraqitet në shumën 12,7 miliard lekë, ndërkohë që pagesat rezultuan në shumën 12,6 miliard lekë, me një realizim në masën 99,5%.
Pagesat vjetore faktike nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, për kontratat koncesionare apo PPP, rezultuan në shumën 12.6 miliard lekë ose 2.66 % e totalit të të ardhurave tatimore faktike të vitit 2021, prej rreth 475.61 miliardë lekë, duke qenë brenda kufirit të pagesave prej 5% të të ardhurave tatimore faktike”, vlerëson KLSH.
Audituesit vlerësojnë se pavarësisht kontratave aktive dhe pagesave të rregullta sot nuk ka një vlerësim për efektivitetin apo eficiencën e tyre.
“Rritja e shpenzimeve për kontratat koncesionare/PPP nga viti në vit përbën një risk fiskal për buxhetin, për më tepër që në mungesë të treguesve të matshëm të performancës së tyre bën të diskutueshme dhe arritjen në kohë të objektivave të tyre me eficiencë, ekonomicitet dhe efektivitet. Gjithashtu duke qenë se këto kontrata koncesionare/PPP janë me mbështetje buxhetore dhe koncesionari nuk ka përgjegjësi apo angazhim financiar, këto shpenzime nga ana e buxhetit të shtetit janë një borxh i fshehur për vitet në vijim”, nënvizon raporti.
PPP morën 120 milionë euro në 2022, si u ndanë
Raporti i KLSH auditon të gjithë kontratat PPP duke nisur së pari me inceneratorin e Fierit. Lidhur me këtë të fundit raporti nënvizon se pagesat e kryera gjatë vitit 2022 për këtë kontratë koncesionare janë në shumën 376,385 mijë lekë, sipas 6 urdhër shpenzimeve të regjistruara në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë të kryera nga ana e aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Secila faturë rezulton në vlerën 62,731 mijë lekë.
Kontrata e dytë e rrugës së Arbrit e nënshkruar në 2018 me një vlerë 33.6 miliardë lekë pa TVSH gjatë vitit 2022 ka marrë 2.9 miliardë lekë në përputhje me planifikimin fillestar.
Ndërtim, Operim dhe Mirëmbajtje e Rrugës Milot-Morinë është kontrata e tretë. “Pagesat e kryera gjatë vitit 2022 për këtë projekt janë në shumën 740,978 mijë lekë, sipas 2 urdhër shpenzimeve të regjistruara në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë të kryera nga ana e aparatit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë” thuhet në raport.
Kontrata e katërt është “Ndërtimi dhe Operimi i Porti Jahteve Orikum – Dukat” gjatë 2022 ka përfituar 224 milionë lekë nga të cilat më shumë se gjysma i takon detyrimeve të prapambetura të vitit 2021.
Një tjetër kontratë e analizuar është ajo e shërbimit të skanimit në Dogana dhe duket se edhe këtu problem janë bërë pagesat e prapambetura.
“Pagesat e realizuara në vitin 2022 sipas databazës së pagesave në SIFQ rezultojnë në shumën 1,898,906 mijë lekë sipas 69 urdhër shpenzimeve. Nga vlera e paguar për këtë kontratë, konstatohet se për 8 urdhër shpenzime, në shumën 231,864 mijë lekë i përkasin detyrimeve të prapambetura periudhës 2020-2021”, vlerëson KLSH.
Kontrata e radhës është “Ndërtimi i Shkollave të Arsimit Parauniversitar në Bashkinë e Tiranës”. Për këtë të fundit gjatë 2022 Bashkia e Tiranës si autoritet kontraktues ka paguar 395 milionë lekë, të financuara nga të ardhurat e veta dhe buxheti i vendosur në dispozicion nga ministria, në masën 50% me 50%, konkretisht nga 197.5 milionë lekë.
Audituesit janë ndalur edhe tek kontrata e inceneratorit të Tiranës. Sipas raportit vlera e detajuar në fillim të vitit për këtë projekt koncesionar paraqitet në shumën 200 milionë lekë dhe e rishikuar në ulje në shumën 180 milionë lekë plan përfundimtar.
“Këto ndryshime buxhetit me ulje, krahasuar me vitet e kaluara, për kontratat në vazhdim rezultojnë të paargumentuara. Pagesat e realizuara përgjatë vitit 2022 sipas raportimit në “Mbi zbatimin e buxhetit vjetor, situatës makroekonomike dhe fiskale gjatë vitit 2022”, rezultojnë 1.04 miliard lekë mijë lekë. Këto pagesa sipas SIFQ janë financuar në shumën 179 milionë mijë lekë nga buxheti i MIE, programi i mbetjeve urbane. Pjesa tjetër prej 866.6 milionë lekë është financuar prej të ardhurave të veta të Bashkisë Tiranë”, thuhet në raport.
Koncesionet s’kanë transparencë
Ministria e Financave dhe Ekonomisë prej vitesh ka detyrimin e raportimit të ecurisë së koncesioneve në funksion të monitorimit që kryen çdo vit edhe si kërkesë e mëparshme e institucioneve ndërkombëtare si FMN.
Çdo vit një raport i posaçëm shoqëron buxhetin faktik dhe që ndalet tek secila kontratë PPP me specifikat e saj. Ky raport mungoi këtë vit gjatë prezantimit të buxhetit faktik dhe ende nuk është publikuar në faqen e Ministrisë. Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka cilësuar mospublikimin e këtij raporti si mungesë transparence.
“Nga auditimi konstatohet se për vitin 2023 nuk është publikuar raporti i Performancës së Kontratave të Koncesionit dhe të Partneritetit Publik Privat për vitin 2022. Mos-publikimi i këtij raporti dhe mungesa e raportimit të tij bashkëlidhur Raportit mbi zbatimin e buxhetit vjetor, situatës makroekonomike dhe fiskale gjatë vitit 2022, cilësohet mungesë transparence nga ana e MFE dhe veprim në kundërshtim me: pikën 7 të nenit 10 të ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar dhe shkronjën c, të pikës 126.3, të kapitullit IV “Raportimi dhe monitorimi i risqeve fiskale nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme dhe njësi të tjera të sektorit publik” të udhëzimit plotësues nr. 2 datë 19.01.2023”, vlerëson KLSH. /Monitor